Zonja Murphy fiton betejën ndaj Sky

Karen Murphy, pronare e një kafeneje/pub në qytetin Portsmouth të Anglisë ka fituar betejën gjyqësore ndaj gjigantit mediatik britanez Sky. Procesi gjyqësor ishte iniciuar nga zonja Murphy pasi autoritetet kishin konfiskuar kartelën e saj abonuese në paketën greke Nova, me anë të së cilës ajo ishte në gjendje të shihte ndeshjet e kampionatit anglez në lokalin e saj. Problemi qëndronte tek ndeshjet e orës 16 të cilat në Angli transmetohen vetëm si PPV, pra çdo ndeshje me pagesë shtesë. Gjithashtu autoritetet britanike nuk lejonin shitjen e kartelave të huaja në Britani të Madhe proces që konsiderohej si ilegale. Zonja Murphy ishte ankuar në gjykatën evropiane në Luksemburg duke pretenduar se nuk respektoheshin të drejtat për tregti të lirë në Bashkimin Evropian.

Gjykata sot ka vendosur në të mirë të zonjës Murphy, ashtu siç pritej duke shkaktuar një ta quajmë “mini-tërmet” në tregun e të drejtave televizive dhe financave të Premier Ligës. Sky dhe ESPN paguajnë shumë para për të blerë të drejtat e Premier Ligës për Britani të Madhe, në krahasim me Nova-n greke, Tringun shqiptar dhe pako të ngjashme të cilat paguajnë shumëfish më pak. Kjo mundëson që të shesin kartelat e tyre shumë më lirë se sa Sky apo ESPN që është kanal kabllor në Britani të Madhe. Kjo mund të shpie deri tek një tender gjigant që do të mbulonte tërë Bashkimin Evropian si tërësi, e që përsëri do të ishte ndoshta në të mirë të Sky e cila ka degët e saja edhe në Itali e Gjermani.

Mund të ju interesoj edhe...