Wreck-It Ralph (2012) – Recensim

Wreck-It-Ralph-central-station

Për fëmijët e të ’90-tave, ky film është diçka që duhet të shohin medoemos. Të gjithë ne që mbajmë në mend Nintendo 64, Terminator, GameBoy etj, Ralf Shkatërruesi është një lundrim mbi pjesën më të këndshme të kujtesës sonë.

Nuk janë heronjtë tanë, ndoshta mungojnë për shkak të të drejtave autoriale, por edhe këta heronj artificial të krijuar për këtë film arrijnë të zaptojnë vëmendjen tonë për ata 100 minuta kohë. Tregimi, ashtu siç shihet edhe nga vet titulli, përqendrohet rreth karakterit të Ralfit. Ai është mërzitur duke prishur gjëra dhe duke qenë karakteri negativ në lojën e Feliks Riparuesit. Injorimi i ka ardhur në maje të hundës dhe kërkon të jetë pjesë e festave, por, nga ai kërkohet të fitoj një medalje. Këtë s’do të mund ta bëj në lojën e Feliks Riparuesit, prandaj vendos të kaloj nëpër konzollat tjera gjithnjë në kërkim të medaljes. Fati e shpien tek medalja dhe më pas në një lojë ëmbëlsirash ku takon Vanelopen, një defekt-gliç loje, që do ti vjedh medaljen dhe të ndryshoj fatin jo vetëm të këtyre dy karaktereve.

Është një tregim i përpiluar në mënyrë të shkëlqyeshme nga skenaristët që të zhyt në një botë imagjinare për të gjithë neve që kemi kaluar fëmijërinë duke fantazuar për botën e karaktereve, dhe kohë pas kohe në frikë se jemi pranë çmendinës. Kjo lojë na bën reale këtë çmendinë, duke u dhënë jetë karaktereve të ndryshme të cilat janë një pasqyrë e të gjitha atyre që kemi në jetë, pos mundësisë për të ndryshuar ‘kode’!

Zhvillimi i tregimit është shumë i mirë duke lëvizur me një tempo që përshtatet me të gjitha pjesët e tregimit. Zhvendosja e Ralfit në lojën e ëmbëlsirave është aty ku nis filmi të bëhet më interesant. Deri në këtë pjesë kemi si një ndërtim për ngjarjen kryesore, ngjashëm edhe nuk ka ndonjë aktivitet ngazëllues. Futja e tij në këtë botë është përplot aksion dhe ‘mbjellje’ argëtimi. Këtu takojmë karakterin e Sarah Silverman, Vanelopen, e cila në fillim duket si diçka indinjuese por me kalimin e kohës do të shndërrohet në njërin nga karakteret më të preferuara të filmit. Ajo është e ‘izoluar’ nga ngjarja që ndodh në lojën e ëmbëlsirave, dhe mundësia e vetme për tu kthyer në lojë është të fitojë garën automobilistike për të cilën ka shfrytëzuar medaljen e Ralfit. Ndërtimi i një automobili për të është pjesa më interesante, më komike e filmit, sipas mendimit tim. Është diçka që ofron të qeshura më së shumti nga tërë filmi që del të jetë komedi e bukur, por jo diçka që do të ju çmend së qeshuri. Mund tu ngjajë në filmat e Tinker Bell por më pak ‘vajzërore’.

Tashti kur jemi tek zërat nuk mund të gjej ndonjë ankim. John C. Reilly nuk ka ndonjë përvojë, por e kryen për mrekulli rolin e tij. Përshtatet me karakterin në mënyrë të përkryer, si të gjithë aktorët e tjerë. Zëri i karakteri të Mbretit Kendi portretizuar nga Alan Tudyk ishte i njohur personalisht për mua falë filmave Ice Age, ngjashëm si për fansat e serive të animuara me superheronjë Young Justin e Batman: Brave and the Bold. Më ka impresionuar Sarah Silvermann, ngjashëm si e mrekullueshmja Jane Lynch dhe Ed O’Neill.

Në përgjithësi, Wreck-it Ralp është një film i animuar, inovativ, ndryshe nga ato komeditë e rëndomta të cilat kanë shumë të qeshura, por storie të zakonshme, që kryesisht përfshijnë kafshë. Këtu kemi një tregim shumë mirë të shtjelluar, jo të kotë, me mjaft ndryshime të papritura, dhe mbi të gjitha një rrugëtim për parajsë për nostalgjikët e videolojërave të viteve ‘90ta.

Luan Morina

Kritik për TV&Film

 

Mund të ju interesoj edhe...