World War Z (2013) – Recensim

warzWorld War Z (2013)

IMDB Linku: http://www.imdb.com/title/tt0816711/

Premiera e shfaqjes: 21 qershor 2013

Kohëzgjatja: 116 minuta

Rejtingu: +13 për shkak të sekuencave me zombi, dhunës, dhe imazhëve shqetësues

Zhanri: Aksion, Fanta-Shkencë, Dramë, Triler, Horror

Regjia: Marc Forster

Skenari: Damon Lindelof, Drew Goddard, J. Michael Straczynski, Matthew Michael Carnahan, Max Brooks

Aktrojnë: Brad Pitt, Mireille Enos, David Morse, James Badge Dale

Shtëpia filmike: Paramount Pictures

Punëtori i Kombeve të Bashkuara, Gerri Llejn kundërvë botën në një racë kundër kohës për të ndalur pandeminë e mumieve që po mbikalon armatat dhe qeveritë, si dhe po rrezikon vet njerëzimin.

 

 

Projekti filmik i bazuar në librin e Max Brooks, ‘World War Z’ ka nisur qysh para gjashtë viteve për tu shfaqur në kinema vetëm këtë verë. Ekipi realizues, përfshirë skenaristët është ndryshuar disa herë gjatë filmimit, ka pasur devijime në buxhet e shumë çka. Megjithatë në fund kur erdhi para ekraneve të mëdha, filmi arriti të përmbush pritjet.

Është një film ‘blockbuster’ i përshtatshëm për stinën e verës.

Sjell aksion dhe tension qysh nga minutat e para të filmit për tu ‘qetësuar’ në pjesën e tretë të filmit. Ngjarja nis në Filadelfia të Pensilvanisë, ku Gerry Lane është një ish-punonjës i OKB-së që tani ka vendosur të kaloj më shumë kohë me familjen e tij. Krejt papritmas shfaqet një pandemi globale që shkakton kryengritje të ‘të pavdekurve’ apo zombive. Lane dhe familja e tij arrijnë të strehohen në një luftanije në brigjet lindore të SHBA-ve. Lane, karakteri që portretizohet nga Pitt, më pas del në një rrugëtim global për të gjetur pasojat dhe kurën e këtij virusi.

‘World War Z’ gërsheton shumë filma që arrijnë të japin vetëm nga një element të asaj që gjejmë në këtë film. Mund të marrim diçka nga ‘I Am Legend’, ‘Resident Evil’, e edhe ‘Zero Dark Thirty’. Tani merrni elementet pozitive nga këta filma, e edhe disa tjerë horror si ’28 Days Later’, dhe bashkoni në një film, dhe quajeni ‘World War Z’. Nuk është një hit-film që do të ju lë të kërkoni më shumë, mirëpo nëse shfaqet vazhdimi, pasi vet filmi është planifikuar si një franshizë, atëherë besoj që do të dëshironit ta shihnit. Fundi lë pak hapësirë për vazhdime, por as nuk mbyll të gjitha rrugët.

Tregimi shtjellohet shumë mirë. Më pëlqeu fakti se si karakteri i Brad Pitt, Gerry Lane, arrin të bashkoj pikat e ndryshme gjatë tërë filmit dhe eventualisht të gjej një ilaç. Është skena në kulmin e një ndërtesë kur Lane vërteton pikën e parë të teorisë, që ka zanafillën qysh në skenën e parë tensionuese të filmit. Shtjellimi i ngjarjes gjatë tërë 2 orëve nuk lë hapësirë për tu kotur. Pjesa e parë e filmit që përshkruan ‘aventurën’ e Pitt dhe familjes së tij në qytet, dhe pjesa e dytë që përfshinë Pitt dhe udhëtimin e tij në Kore të Jugut dhe Izrael në kërkim të ilaçit ofrojnë mjaftë adrenalinë dhe aksion. Tensioni është në nivelin më të përshtatshëm të mundur. E tërë kësaj i ndihmon një dizajn i shkëlqyeshëm i zërit. Disa skena kanë heshtje totale, heshtje e cila ‘eskalon’ falë tingujve jashtëzakonisht të kënaqshëm dhe të përshtatshëm për filmin. Për mendimin tim ‘sound design’ i këtij filmi është elementi më i shkëlqyeshëm në mesin e shumë elementeve tjera. E një element tjetër është edhe 3D efektet. Janë disa skena të shkëlqyeshme që mrekullohen falë teknologjisë 3D.

Filmi ka rejting +13, pra është i përshtatshëm për shikim familjar, duke ju ikur filmave horror që zakonisht janë +18. Personalisht nuk i pëlqej horroret, por sasia e horrorit që shfaqet në ‘World War Z’ më ka pëlqyer. Shumica e skenave kur ‘të pavdekurit’ janë në aksion nuk shfaqin gjak, e çdo viktimë e tyre në çastet e fundit mbetet larg kamerës. Nuk ka material eksplicit të filmave me zombi dhe horror, gjë që e bën të përshtatshëm për rejting +13.

Marc Foster nuk dëshpëron, e ngjashëm edhe skuadra e skenaristëve bën punë të mirë. Brad Pitt bën punë të shkëlqyeshme, edhe pse nuk më kujtohet ta kem parë në rol si kryefamiljar. Në fakt pjesa e familjes nuk ka shumë peshë, por e kuptoj pse ka pjesë në film. Në përgjithësi është një film ‘blockbuster’ i shkëlqyeshëm për ditë vere. Njëri nga filmat ‘apokaliptik’ më të mirë që kam parë viteve të fundit, e padyshim filmi më i mirë apokaliptik i këtij viti. Film fooort i mirë. Nota personale +++.

 

Luan Morina

Kritik filmi

Mund të ju interesoj edhe...