Winter Sleep (2013) – Recensim

wintersleep

Filmi i radhës i Nuri Bilge Ceylan na merr e na dërgon në një ëndërr të një gjumi dimëror, një ëndërr që na ri-njofton me bukuritë e kinematografisë, duke sjell çdo segment të saj në përsosmërinë e skajshme. Për tri orë të këtij tregimi, ne si shikues notojmë në një botë të thellë që depërton thellë nën lëkurën e karakterit kryesor, Aydinit të cilin ky tregim nga fillimi deri në fund do ta bëj të rishqyrtoj gjithçka për të cilat konsiston se jeton e vepron.

Aydini është një artist i cili në Anadollin e skajshëm, tani bën punën e një kolumnisti dhe shkrimtari njëkohësisht duke qenë edhe pronar i një hoteli dhe disa pronave të fshatit. Ai e sheh veten si një njeri që kontribuon për popullin me shkrimet e tij, pikëpamjet e tij mbi shoqërinë, e që në fakt është një lloj snobi, fakt që nis të trajtohet që nga momenti kur një fëmijë thyen xhamin e veturës së tij. Që nga ky moment nis të sfidohet qëndrimi dhe personaliteti i tij, sfidë që bëhet më e rëndë me çdo pëllëmbë bore që mbulon sipërfaqet e mbyll rrugët me civilizimin, pjesë e të cilit pretendon se është Ajdini.

Ai jeton me gruan e tij më të re në moshë, dhe motrën e porsa ndarë nga burri. Edhe pse të dyjat admirojnë punën e tij, ato gjithashtu janë edhe brutalisht të sinqerta, sinqeritet që shfaq plasaritjet si në lidhjet ndërmjet tyre, edhe më shumë në karakterin e tij sipërfaqësor.

Me anë të familjes së djaloshit i cili i thyen xhamin e veturës dhe gjithashtu është banor në pronën e Ajdinit, skenari sjell paralele ndërmjet dy botëve të shoqërisë, paralele që provojnë të ndeshen në një pikë vazhdimisht, me karakterin e Hamdiut si katalizator.

Aktrimi është i përkryer me një mjeshtër të kinematografisë moderne turke si Haluk Bilginer. Melisa Sozen e Demet Akbag në rolet e gruas dhe motrës kanë një hapësirë të konsiderueshme në film, me të parën që dominon në disa skena me dialogje të fuqishme, skena të cilat edhe e bëjnë këtë film aq të përsosur. Serhat Mustafa Kilic, Nadir Saribacak, e Nejat Isler më pak se dy të parët, kanë disa pjesë tepër të mira në film, edhe pse dytësore.

Inspiruar nga shkrimet e Anton Chekhov, çifti bashkëshortor Ebru e Nuri Bilge Ceylan sjellin një nga kryeveprat e kinematografisë së kësaj dekade. Derisa dialogët janë thjesht të përkryer duke ndihmuar zhvillimin e një tregimi, një jetë që ndryshon, edhe më mbresëlënëse është pjesa teknike. Me regji të realizuar nga Nuri Bilge, filmi sjell kënde statike duke lënë anash karakteret në skenë për tu përqendruar në hapësira të ndriçuara për bukuri. Ndriçimi, rrjedhimisht ngjyrat sjellin një interier që shpesh na thith brenda sikur një pikturë që është duke u komentuar me një dialog të përkryer, por i cili mbetet në plan të dytë, dhe dalëngadalë zhduket në largësi. Kërcimet e kamerës sa brenda sa jashtë, vetëm që na kënaqin sytë dhe epshin kinematografik, duke zhgroposur arsyet e dashurisë ndaj filmit, dhe në të njëjtën kohë duke mohuar faktin që ‘dashuria është e paarsyeshme’.

Mbi të gjitha bora… bora e përsos këtë mjeshtri të Ceylanit. Film i përkryer 5/5

Luan Morina
Kritik filmi

Mund të ju interesoj edhe...