The Walk (2015) – Recensim

Jam rritur me ‘3rd Rock from the Sun’! Kasti ka qenë i mahnitshëm. Pjesë e këtij kasti ka qenë edhe Joseph Gordon Levitt. Derisa më pas Levitt vazhdoi të më impresionoj me filma si ‘Inception’, ‘500 Days of Summer’, e ‘50/50’; dëshpërimet nuk kanë munguar kohë pas kohe – ‘Don Jon’.

Aktrimi i tij tek ‘The Walk’ rrezikon punën snobiste që bën tek ‘Don Jon’. Është një aktrim i tmerrshëm, që thjesht më bën ta urrej njëri ndër karakteret reale ndoshta më të guximshme të portretizuar në film këtë vit. Ajo çfarë e prish, e shkatërron këtë film që megjithatë nuk është për tu hedhur në bërllog pa e shikuar një herë, është aksenti i karakterit të Levitt. Nuk kam parë portretizim më të keq të një francezi nga amerikanët kurrë. Joseph Gordon Levitt dështon në çdo fjalë që thotë. Shyqyr që nuk dështon të ec nëpër litarin e dy kullave binjake ngjashëm sepse s’do të mbetej gjë nga ai.

Pra, filmi bën fjalë për tregimin e Philippe Petrit, një francez i cili vendos të realizoj ëndrrën e tij duke ecur në litar ndërmjet dy kullave binjake. Francezi nis ëndrrën e tij duke mbledhur një skuadër trime që do ti ndihmoj ta bëj misionin e tij klandestin.

Pjesa e parë e filmit na shërben si hyrje në këtë histori, derisa ajo e fundit na jep emocione që na lidhin me ngjarjen. Është ndryshe kur e dimë fundin pasi bazohet në tregim të vërtetë, por megjithatë, emocionet dhe pasiguria arrin të futet tek shikuesit, kryesisht fal punës së Robert Zemeckis.

Ai ia arrin të sjell një skenar të mirë, me një portretizim vizual për merak, sidomos në pjesët kryesore të filmit. Por, ajo çfarë dështon është aktrimi, aksenti. Thjesht është i pafalshëm dhe drejtori i kastingut s’duhet të lejohet të bëj këtë profesion kurrë më. Ka prishur një film potencialisht shumë të mirë.

‘The Walk’ mbetet një ide e mirë, film i realizuar shkëlqyeshëm, por me një aksent që siç thotë populli ‘e merr në qafë’. Nota personale: 3/5

Luan Morina
Kritik filmi

Mund të ju interesoj edhe...