Trumbo (2015) – Recensim

Që filmat janë mënyra më e mirë e propagandës së ‘fshehtë’ nuk është mohuar asnjëherë. Është një fakt që duhet të dihet nga të gjithë, por jo të hallakatet çdo film apo segment filmi për të thurur imagjinata konspirative, sepse shumica e tyre ndodhin vetëm në kokën tuaj, dhe krijohet një histeri e panevojshme.

Një histeri e tillë kishte ndodhur në vitet pas Luftës së Dytë Botërore kur kishte nisur gjahu për përkrahësit e komunizmit në SHBA. Kjo histeri kishte prekur të gjithë, përfshirë edhe filmbërësit. Njëri ndër këta filmbërës ishte edhe Dalton Trumbo. Ky film është tregimi i tij.

Pak veta do të sakrifikonin rehatinë e jetës së tyre aktuale për të ndjekur ideologjinë, idealet e tyre, të cilat në rastin e Dalton Trumbos ishin në favor të shoqërisë, së paku ashtu konsiston Daltoni në ‘Trumbo’. Dy vite pas fitores ndaj Gjermanisë, kur Bota kishte nisur të ndahej në dy fronte, Trumbo ishte ndër skenaristët më të mirë në Hollywood. Por, refuzimi për të heq dorë nga ideologjia, vendos Trumbon dhe bashkëmendimtarët e tij prapa grilave. Jeta nuk lehtësohet as pas lirimit kur është në listën e zezë që e lë pa punë për pjesën më të madhe të karrierës së tij.

Aktrimi i Bryan Cranston, edhe pse jo aq i adaptuar në ekran të madh sa në botën e televizionit, është i shkëlqyeshëm. Nuk lë asgjë në hije, rezervë, në performancën e tij e cila sa zhvillohet filmi vetëm sa shkon duke u përsosur. Sjell në jetë një karakter interesant,  të ndryshëm, të ngujuar ndërmjet ideologjisë, karrierës, familjes. Pos Cranston, në rolet kryesore vjen edhe Diane Lane që arrin të ketë një harmoni të mirë skenike me të. Hapësirë të konsiderueshme në skenë ka edhe Helen Mirren e cila arrin të më shkoj nerva në çdo skenë që paraqitet. Të shohësh Louis CK në film gjithnjë është një përvojë e këndshme. Edhe në këtë rast ishte njëjtë. E kënaqësi edhe më të madhe kam kur shoh John Goodman. Është njëri nga aktorët më lezetshëm në ekranin e madh. Gjithnjë ka role dytësore, role në të cilat nuk bëhet merak për karakteret që zakonisht kanë një volum negativiteti në film.

‘Trumbo’ mbetet një film, një projekt që sfidon jo medoemos vetëm të kaluarën e Hollywoodit. Sjell në jetë një kryqëzim të padrejtë të njërit që del të jetë nga filmbërësit më të mirë të pasluftës. Nota personale: 4/5

Luan Morina
Kritik për TV&Film

Mund të ju interesoj edhe...