Trouble with the Curve (2012) – Recensim

clint-eastwood-trouble-with-the-curve

Trouble with the Curve (2012)

IMDB Rejtingu: 6.7

Premiera e shfaqjes: 21 shtator

Kohëzgjatja: 111 minuta

Rejtingu: +13 për shkak të referencave për të rritur, materialit tematik dhe duhanit

Zhanri: Dramë

Regjia: Robert Lorenz

Skenari: Randy Brown

Aktrojnë: Clint Eastwood, Amy Adams, John Goodman, Justin Timberlake, Matthew Lillard

Shtëpia filmike: Warner Bros. Pictures

Një skaut bejsbolli në vitet e fundit të karrierës e merr të bijën në një udhëtim të fundit të rekrutimit.

 

Clint Eastwood është kthyer dhe tani ka vendosur të kapet me teknologjinë. Pas asaj bisede të ‘famshme’ me karrigen e zbrazur në mitingun e Konferencave kur u shfry në Obaman, tani shfryhet në kompjuterët.

Ai luan rolin e një skauti të plakur dhe me përvojë i cili u reziston teknologjive të reja për gjetjen e talenteve të lojës së bejsbollit. Mplakja ka filluar të marrë më të mirat nga ai duke nisur me shikimin e dobësuar. Gas ka vetëm të bijën, një avokate e suksesshme e cila fëmijërinë e ka kaluar vetëm me babin duke vëzhguar për talente bejsbolli gjë që i ka krijuar një njohuri më lartë se e zakonshmja për vajzat. Të dy kanë disa probleme nga e kaluara, sidomos pas vdekjes së nënës së Mikit. Shëndeti rrezikon edhe pensionimin e Gasit që do të ishte ‘përfundim i një dashurie të gjatë’ sipas vajzës së tij.

Eastwood luan rolin e skautit duke sjell si zakonisht më të mirën që mund të ofrohet nga një emër si ai. Roli i tij ofron mundësi të mira për të shfaqur një karakter kokëfortë, në moshë, dhe sportdashës – diçka për të cilën Eastwood nuk besoj që ka pasur shumë probleme për të aktruar. Harmonia e tij me Amy Adams që luan rolin e vajzës së tij është goxha e mirë. Për këtë më shumë merita i jap Adams që viteve të fundit ka arritur të përshtatet me emra të mëdhenj nëpër projekte kinematografike. Ajo bën një punë të shkëlqyeshme përkrah Eastwood. Portrezimi i karakterit të saj sigurisht do të kërkonte më shumë punë se sa karakteret tjera – një vajzë e një të apasionuari të bejsbollit që di shumë për këtë sport, dhe mbi të gjitha me probleme fëmijërie që provon të përballet me sfidat e kryqëzuara – problemet familjare, profesionale, dhe në dashuri.

Këtyre dyve për mrekulli u përshtatet Justin Timberlake. Ka shumë veta që dyshojnë në aftësitë e tija në aktrim, por, personalisht mendoj  që është një aktor që përshtatet me disa role të tilla si ky. Mund ta quaja këtë si treshen themelore të filmit, duke mos përjashtuar edhe kastin ndihmës, sidomos aktorin që luan rolin e talentit kryesor.

Tema mund të ju duket jo shumë e afërt, dhe nëse nuk jeni fans i bejsbollit është vështirë të kapni kuptimin. Kast i mirë, temë interesante, argëtim i garantuar, por vetëm nëse jeni fans i bejsbollit.

Nëse e vetmja gjë që dini për bejsbollin është llosi i bejsbollit, atëherë ky film nuk është për juve.

 

Luan Morina

Kritik për TV&Film

Mund të ju interesoj edhe...