Transcendence (2014) – recensim

Filmi nis si narracion nga Max Waters (Paul Bettany) që flet për shkencëtarët Will dhe Evelyn Caster në kohën e shkuar. Nuk kalon shumë kohë dhe shohim këtë çift në kopshtin e tyre duke provuar të krijojnë një zonë të lirë nga ndërhyrjet e teknologjisë. Kjo vijon me fjalimet e tyre në lidhje me inteligjencën artificiale, për një botë humane të evoluar që shpien tek pyetja e njërit nga audienca nëse Will (Johnny Depp) dëshiron të krijoj zotin e tij.

Nga këtu e tutje kemi rrugëtimin e Will për tu bërë një zot i përzier me inteligjencën artificiale. Shtjellimi i tregimit provon të marr një nuancë filozofie duke përzier avancimin e teknologjisë. I shtyrë edhe nga faktorët e jashtëm dhe për të bindur të gjithë se mund të bëj atë që premton, Will zhvillon një produkt që do ta mbante të përjetshëm, por që në fund bëhet i sunduar i atij produkti, duke humbur ndjenjën humane.

Aktrimi është i mirë, nuk ka diçka të veçantë në të, pasi pjesa më e madhe ka të bëj me fotografinë dhe aspektin teknik që ka përpirë 100 milionë dollarë në buxhet duke rikthyer vetëm 3 milionë më shumë nga kinemaja. Një arsye shtesë pse është projekt i dështuar. Rebeca Hall vjen përkrah Depp në rolet kryesore. Harmonia e tyre në skenë nuk është kushedi çfarë niveli. Nuk preken askund, edhe pse do të duhej të ishin dy karaktere në martesë, në skenë duket një mur që ndalon në komunikimin skenik. Në rolet dytësore vijnë Cillian Murphy, Kate Mara, e Paul Bettany, duke mos harruar as Morgan Freeman.

Wally Pfister debuton në rolin e regjisorit, por duke mos lënë mbrapa përvojë që ka në kinematografi ku ka fituar edhe Oskar derisa ka bashkëpunuar me emra të njohur si Christopher Nolan. Ndoshta nuk është ide e keqe ti rikthehet profesionit të vjetër, pasi regjia e këtij filmi mund të jetë vetëm nga skenari që është edhe më i dobët. Edhe në skenar kemi një debutues, Jack Paglen që nuk ka kurrfarë përvoje në film, dhe kjo që i mbetet do të jetë negative.

Tregimi del të jetë absurd në pjesën e dytë të filmit kur Will mishërohet me sistemin kompjuterik duke kapur në një mënyrë botën në duar. Ndoshta njohësit e teknologjisë mund të kenë ndonjë bazë për të mbështetur premisën e këtij filmi, dhe ndoshta një ditë do të qeshemi ne që kritikuam këtë film, por jo vetëm premisa është e marrë. Edhe vet zhvillimi i filmit del të jetë i marrë.

Film i dobët. I cekët. Dështon në masë të madhe për kah skenari, e këtë nuk e mbulon as pjesa teknike. Film amator i realizuar nga amatorët. Nota personale 2/5 sepse nuk mund të notosh me njësh diçka që ka emrin e Morgan Freeman në të.

Luan Morina
Kritik filmi

Mund të ju interesoj edhe...