Top Five (2014) – Recensim

top five

Ndryshe nga dy filmat e tij të parë si regjisor, Chris Rock sjell ‘Top Five’ në një frymë tjetër komedie, sidomos në aspektin e skenarit.

Filmi sjell jetën e karakterit të Rock, Andre Allen i cili është një komedien i njohur që tashmë thjeshtë është zaptuar nga bota e biznesit modern të argëtimit. Gjithçka ka shkuar mirë për Allen, ka pasur një trilogji të suksesshme me një franshizë komike që ka kënaqur më shumë shikuesit e thjeshtë se kritikët, është martuar e ndarë, tani është përsëri afër martesës, ndodhi kjo që po përshkruhet në një reality-show, yll i të cilës botë është e fejuara e tij.

Tani, ai provon të rigjej veten duke bërë film më serioz, për kryengritjen e skllaveve në Hawaii në shekullin e XVIII, dhe si pjesë e promocionit ai duhet të bëj një intervistë me New York Times, me të cilën gazetë nuk i ka marrëdhëniet e mira për shkak të kritikave gjithnjë negative që ka marr nga ky medium. Për të realizuar revistën është ngarkuar Chelsea Brown, portretizuar nga Rosario Dawson.

I tërë filmi përqendrohet tek lidhja e këtyre dyve në aspektin reporter-aktor, një lidhje e dominuar nga dialog shumë mençur të shkruar që shërbejnë si nyje lidhëse ndërmjet skenave të historisë së jetës të Andre Allen. Derisa këta dialogë dominojnë pjesën kryesore të filmit, ata ofrojnë edhe një komedi më ‘serioze’ që kërkon më shumë nga dialogu, bisedat e dy karaktereve kryesore. Ndërkohë pjesa e historisë së Allen që vjen si video-tregime në sfond, ka më shumë nga komedia e zakonshme e Chris Rock dhe elitës së komikëve si ai.

Harmonia skenike ndërmjet Dawson dhe Rock është e shkëlqyeshme. Qysh në fillim vërehet një fërkim i përkryer që na dërgon në një rrugëtim të këndshëm 100 minutësh. Kontribut të madh japin edhe karakteret dytësore që shfaqen kohë pas kohe, si në tregime në sfond, ashtu edhe duke ndërhyrë në rrugëtimin aktual të këtyre dyve. Këto karaktere vijnë nga aktorë të njohur si JB Smoove, Cedric the Entertainer, Gabrielle Uninon, Kevin Hart, Sherri Shepherd, Tracy Morgan, e Ben Vereen. Gjithashtu për të dhënë Top 5shin e tyre shfaqen edhe emra si Jerry Seinfeld, Adam Sandler, Whoopi Goldberg, Taraji P Henson, e DMX.

Në përgjithësi, ‘Top Five’ është një komedi e shkruar për merak nga Chris Rock, i cili sjell një lloj (auto)biografie të një ylli të sinqertë Hollywoodi, të kapluar nga modernizimi snobist i kësaj industrie, që detyron shumicën e yjeve të bëjnë atë që kërkon tregu, e jo atë çfarë dëshirojnë vet ata. Është një betejë me vetveten, një betejë që kërkon sinqeritet nga dy karakteret kryesore, sinqeritet që ofrohet jo nga të dy.

Personalisht, mendoj që ‘Top Five’ është një nga komeditë më së miri të shkruara të vitit. Nota personale: 4/5

Luan Morina
Kritik filmi

Mund të ju interesoj edhe...