Top 50 programet në kanalet shqiptare për sezonin televiziv 2011-2012 (poz.40-31)

Pas renditjes së 50 programeve më të mira në kanalet kosovare, tani është radha për të bërë një recensim të televizioneve të bazuara në Shqipëri. Ngjashëm me listën për kanalet kosovare, edhe kjo listë është zgjeruar në 50 programet më të mira.

Edhe këtë vit si zakonisht, Telekomanda rendit programet më të mira në kanalet kosovare. Për dallim nga dy vitet e kaluara, këtë vit kjo listë është zgjeruar në 50 programe. Nga e hëna 28 maj e deri të premten me 1 qershor, çdo ditë do të numërohen nga 10 programe duke nisur nga programi i renditur në pozitën e 50të deri tek programi më i mirë.

vazhdon nga dje

40 Next (Vizion Plus)

Ngjashëm si programet e pasdites për audiencën familjare, edhe programet për të rinj që transmetohen në pasditen e hershme janë shtuar në kanalet tona. Next është njëri nga programet e reja të Vizion Plus dedikuar audiencës për të cilën nuk kishte shumë alternativa në këtë kanal. Është një realizim solid, trajton tema interesante dhe arrin të josh të rinjtë me rubrikat që ofrojnë informata të freskëta gjithnjë.

39 Sulltani – Shekulli i madhërishëm (Albanian Screen TV)

Ky serial do të duhej të ishte katalizatori kryesor i audiencës së Albanian Screen TV. Deri në një masë ka arritur të përmbush detyrat e tij. Gjëja më e mirë që AS TV ka bërë me këtë serial ka qenë mostransmetimi i tij çdo mbrëmje. Në të njëjtën kohë kjo ka mundur të lëndoj audiencën e këtij kanali pasi me anë të Digitalb, Tring Digital dhe kabllorëve tjerë të interesuarit e këtij seriali kanë mundur të përcjellin atë në RTV21. Do të jetë interesante të shohim nëse AS TV do të vazhdoj me seriale turke apo të heq dorë ngjashëm siç bëri V+.

38 House (Klan TV)

Njëri ndër serialet epike të zhanrit dramë mjekësore. Janë dy të tilla në Klan TV, dhe të dyja janë në mesin e serilaeve më të njohura në këtë zhanër. Edhe pse personalisht nuk jam fans i madh i këtij zhanri, House bën përjashtim. Është vet karakteri i Hugh Laurie që ja jep shijen speciale këtij seriali, e Klan TV ka bërë punë të shkëlqyeshme duke e sjell tek shikuesit shqiptar. Shpresojmë të sjell edhe sezonin e fundit i cili sapo ka përfunduar në SHBA.

37 Aldo Morning Show (Klan TV)

Njëri nga formatet më të vjetra në kanalet shqiptare. Të jem i sinqertë kohëve të fundit nuk kam shikuar edhe aq këtë program, por përsëri është ndër ato programet që kanë një audiencë të krijuar gjatë gjithë këto viteve të transmetimit.

36 Menekshe dhe Halili (Klan TV)

Një ndër serialet më të mira turke së fundmi. Karakteret kryesore luhen nga dy prej fytyrave më të bukura në industrinë kinematografike turke. Tregimi është paksa i komplikuar, si zakonisht në seritë turke, por nëse krahasojmë me Ezel, atëherë nuk guxojmë të ankohemi. Diçka që bëri bujë të madhe duke vazhduar një orar të skemës programore që mendoj se dominohet në tërësi nga Klan TV.

35 Top Select (Top Channel)

Edhe një nga programet simbole të Top Channel. Ndoshta jo sikur në ditët e hershme, por Top Select vazhdon të mbetet larg konkurrencës për kah cilësia. Për këtë ndihmon edhe tradita që vazhdimisht kryqëzohet me kreativitetin që vjen nga producentët e këtij programi. Top Fest vazhdon të jetë ndër specialet e këtij programi.

34 Kutia (Klan TV)

Me suksesin e Ezel, mendoj që Kutinë s’do ta shohim më në televizion. Nuk më ka pëlqyer ndryshimi i formatit me ofertuesin që shfaqej para publikut edhe pse më dukej se kishte një funksion më ndryshe. Emisioni ofronte argëtim solid, por ajo që më mundonte ishte mungesa e guximit për të shkuar në shuma më të mëdha. Do të nevojitej të rikthehej ndonjëherë edhe pse në orar tjetër. Ia vlen të kemi një format të tillë në TV.

33 Wake Up (Top Channel)

Adi Krasta nis një format, e rrit, zhvillon, forcon dhe e lë. Së paku janë tri emisione të tilla në Top Channel që mund të konsiderohen zhvillime apo më mirë adaptime të përkryera të Adi Krastas (100 milionë është format ndërkombëtar). Wake Up ka arritur të vazhdoj punën e shkëlqyeshme dhe për mua është zgjedhja e parë e programeve të mëngjesit në kanalet shqiptare.

32 Gymysh (Klan TV)

Pionieri i serialeve turke në kanalet shqiptare. Nuk është një ndër serialet e preferuara të mija. Megjithatë të gjithë e dimë se si është hera e parë. Akoma ka njerëz që e kujtojnë Aci Hayat në Kosovë, pasi ka qenë seriali që bëri thjesht revolucion. Ngjashëm mund ta konsideroja edhe Gymysh, por ndoshta më mirë do të ishte ta vlerësonim si një ngrohës audience para ngjarjes së madhe, Ezel. Ajo çfarë më pëlqen tek Klan TV është orari kur transmetohen këto seri. Është një termin i përkryer dhe nuk të bën të humbasësh ndonjë gjë tjetër me rëndësi në atë kohë në televizionet tjera nëse jeni fans i serialeve turke.

31 Sketch Show (Vizion Plus)

Vazhdoj të habitem me vetveten pse nuk më pëlqen Sketch Show dhe tejmase e dua 2XL (vitin e kaluar ishte i pari në këtë listë)! Jam munduar disa herë të kapem nga ky program, por pa sukses. Disa e kanë të vështirë ta bëjnë dallimin, dhe rrjedhimisht mendoj që e pëlqejnë. Për mua ndryshon. Sketch Show ofron skeçe të ‘skicuara’ më herët dhe në një mënyrë gjithçka është e programuar. Nuk ndihmon as audienca e regjistruar që shfaqet pas skeçeve të realizuara në ambient të hapur në mungesë audience. Tek 2XL ka më shumë liri dhe komedi të çastit.

S’dua ta pranoj, por më duhet – Sketch Show vetëm që ka prishur një imazh të përkryer të grupit i cili me përsosmëri na sjell Apartamentin 2XL.

vijon nesër

Mund të ju interesoj edhe...