Top 50 programet në kanalet shqiptare për sezonin televiziv 2011-2012 (poz. 30-21)

Pas renditjes së 50 programeve më të mira në kanalet kosovare, tani është radha për të bërë një recensim të televizioneve të bazuara në Shqipëri. Ngjashëm me listën për kanalet kosovare, edhe kjo listë është zgjeruar në 50 programet më të mira.

Edhe këtë vit si zakonisht, Telekomanda rendit programet më të mira në kanalet kosovare. Për dallim nga dy vitet e kaluara, këtë vit kjo listë është zgjeruar në 50 programe. Nga e hëna 28 maj e deri të premten me 1 qershor, çdo ditë do të numërohen nga 10 programe duke nisur nga programi i renditur në pozitën e 50të deri tek programi më i mirë.

30 Smallville (Top Channel)

Fundi i një ndër historitë me të cilën është rritur një gjeneratë adoleshentësh shqiptarë. Historia e Kentit ka përfunduar tashmë, por kujtimet do të ndjekin përgjithnjë fansat e këtij seriali. Ndoshta edhe ishte koha e duhur të përfundonte. Megjithatë duhet të vlerësohet durimi i Top Channel për të sjell të gjitha episodet duke mos lënë të dëshpëruar audiencën, përkundër ndryshimeve të shumta në orar.

29 Dritëhije (Albanian Screen TV)

Një nga emisionet debatuese që veçohet në Albanian Screen TV. Ajo çfarë e bën më të theksuar se emisionet tjera është moskufizimi në vetëm debate politike. Jonida Shehu ka arritur të gjej tema shumë të qëlluar për të trajtuar në emision së bashku me ekspertë të njohur përkatës. Meriton të vendoset në mesin e 30 emisioneve më të mira në kanalet shqiptare.

28 Fiks Fare (Top Channel)

Njëri nga ato emisionet epike. Përkundër moshës vazhdon të mbijetoj. Por, pikërisht ndoshta mosha është arsyeja kryesore pse rrallë shikoj këtë emision. Kohë pas kohe zgjohet interesimi për të përcjell ndonjë episod, zakonisht pasi të zbulojnë ndonjë skandal dhe bën bujë në media.

27 Zonë e Lirë (Klan TV)

Njëri ndër emisionet që më prish nervat. Arjan Çani është nga moderator më neveritës për mendimin tim në televizionet tona. Qëndrimi i tij duke nisur nga mysafirët e për të vazhduar gjatë tërë kohës sa zgjat emisioni nuk më pëlqen fare. Mos të harrojmë edhe banalitetin e kohëpaskohshëm. Por, janë mysafirët ata që nganjëherë i japin shije emisionit. Për këtë arsye edhe zë një vend në mesin e emisioneve solide.

26 Dita ime (Vizion Plus)

Kur jemi tek Dita ime, mos të harroj të përmend edhe emisionin Zip. Edhe pse emeton shumë më herët se Dita ime, Zip jep ato informatat e nevojshme që të duhen posa të hapësh televizorin. E Dita ime ka bërë një mini-revolucion në kanalet shqiptare duke ofruar një program të mëngjesit/drekës që nis shumë më vonë se programet tjera të mëngjesit, por edhe ka audiencën më ndryshe, amvise për të cilat Dita ime ofron gjithçka që do të ju mund tu interesonte. Format dhe ide e shkëlqyeshme.

25 Extreme (Top Channel)

Një ndër emisionet e pakta, mos të them të vetme që sjell imazhe ekstreme në kanalet tona. Më pëlqen koncepti i emisionit dhe termini i transmetimit është goxha i përshtatshëm. Ka një autor në nivel, ngjashëm si përmbajtja që për fansat e këtij emisioni pothuajse asnjëherë nuk dëshpëron.

24 Top Show (Top Channel)

Top Show ka rënë nga njëri prej emisioneve simbole të Top Channel në një emision solid. Përkundër studios së shkëlqyeshme, nuk kam një ndjenjë si më parë për këtë emision. Më pëlqen jashtëzakonisht mënyra e realizimit, trajtimi i temave, por thjesht çdo herë duket de është ai katrori që mungon në enigmë.

23 Nga e para (Vizion Plus)

Edhe pse ndoshta me vonesë, adaptimi i versionit shqiptar të Extreme Makeover është një ndër hapat më të mençur në industrinë e televizionit. Ky emision ka qenë i domosdoshëm për një ambient si tek ne ku ekzistojnë me mijëra raste të përshtatshme për këtë format. Puna humanitare gjithnjë është e mirë, por kur realizohet në mënyrë të shkëlqyeshme, atëherë ka një shije më të ëmbël. Stafi i Nga e para ka bërë një punë të shkëlqyeshme, dhe shpresoj të vazhdojnë edhe vitin e ardhshëm.

22 Mad Men (Albanian Screen TV)

Në sondazhin e realizuar nga Telekomanda, Mad Men nuk ka marrë as 1% të votave. Është mëkat që ky prodhim fantastik amerikan nuk shikohet më shumë. Personalisht mendoj që është ndër dramat më të mira në historinë e fundit të televizionit, e këtë e vërtetojnë edhe çmimet e shumta. Albanian Screen TV ka bërë një punë të shkëlqyeshme me sjelljen e këtij seriali tek shikuesit e gjerë, e edhe më i shkëlqyeshëm ka qenë vendimi për ta ofruar në uebfaqen e tyre zyrtare, hera e parë për serialet e huaja në kanalet shqiptare.

21 Shqip (Top Channel)

Përkundër zhvendosjes nga koha e rregullt dhe kalimi në emision të dorës së dytë pas fillimit të Top Story, Shqip me Rudina Xhungan vazhdon të transmetohet me mjaft sukses. Nuk ka ndonjë orar të ngjeshur në skemë, konfrontohet vetëm me Milionerin, prandaj edhe nuk ka ndonjë arsye për tu brengosur për suksesin e emisionit. Ajo që i ndihmon është trajtimi jo vetëm i temave politike, gjë që e bën më të gjerë edhe gamën e shikuesve të këtij emisioni.

Programet janë renditur sipas mendimit kritik personal të autorit dhe nuk paraqesin ndonjë sondazh apo anketë të gjerë. Në listë janë përfshirë të gjitha programet që janë transmetuar ndërmjet periudhës Shtator2011-Maj2012 në kanalet kombëtare dhe ato kabllore shqiptare.

 

Luan Morina

Kritik për TV&Film

Mund të ju interesoj edhe...