Top 50 programet në kanalet shqiptare për sezonin televiziv 2011-2012

Pas renditjes së 50 programeve më të mira në kanalet kosovare, tani është radha për të bërë një recensim të televizioneve të bazuara në Shqipëri. Ngjashëm me listën për kanalet kosovare, edhe kjo listë është zgjeruar në 50 programet më të mira.

Edhe këtë vit si zakonisht, Telekomanda rendit programet më të mira në kanalet kosovare. Për dallim nga dy vitet e kaluara, këtë vit kjo listë është zgjeruar në 50 programe. Nga e hëna 28 maj e deri të premten me 1 qershor, çdo ditë do të numërohen nga 10 programe duke nisur nga programi i renditur në pozitën e 50të deri tek programi më i mirë.

 

50 Grey’s Anatomy (Klan TV)

Personalisht nuk jam shumë i dhënë pas serive mjekësore, megjithatë Anatomia e Greit sjell një prodhim elitë në ekranet tona. Edhe pse departamenti i serive amerikane në Klan TV mund të konsiderohet si i plakur, nëse nuk marrim parasysh 90210, ata kanë arritur të vazhdojnë deri në fund me ato seritë klasike si CSI:NY, House, Heroes.

49 E diela shqiptare (Klan TV)

Të qëndrojmë gjashtë orë para televizorit është tepër. Kjo është mangësia kryesore e këtyre emisioneve. Marrë si shembull nga televizionet italiane, E diela shqiptare dhe E diel kanë arritur të krijojnë një shikueshmëri sidomos në ditët e dimrit dhe ato me shi, por nuk besoj që shumë njerëz do të dedikonin ditën e diel para një ekrani. Gjithashtu është neveritëse kur presim një rubrikë apo mysafir të caktuar dhe gjithnjë na thuhet “pas pak”. E diela shqiptare është një tentim i mirë, por nuk do ta vendosja më lartë se kjo pozitë.

48 Orkidea (Albanian Screen TV)

Një program i thjeshtë pasditeje i cili ka provuar të konkurrojë me programet tjera të ngjashme në kanalet rivale. Kanë sprovuar veten, por nuk besoj se ia kanë dal, por as nuk kanë dështuar. Studio e thjeshtë, format i thjeshtë pa publik që edhe e bën më të qetë. Megjithatë nuk do ta zgjedhja më të mirin në zhanrin e programeve të tilla dhe do të duhej ndonjë temë apo mysafirë special që të më joshte ta shihja para programeve tjera në atë kohë.

47 Pop Channel (Top Channel)

Një program satirik që provon të sjell versionin shqiptar të The Onion. Për mua nuk funksionojnë këto programe, pasi thjesht më duken të kota dhe jo aq qesharake. Më shumë e shoh këtë program si një hap për të konkurruar me Bypass Show se sa një program kreativ. Ndoshta më mirë do të ishin Just for Laughs të shtunave në mbrëmje.

46 E diel (Top Channel)

Ngjashëm si E diela shqiptare dhe E diel është diçka që zgjat tepër. Vitin e kaluar ishte Formula 1 që na jepte pushim, derisa këtë vit është Moto GP që për nja një orë është më i shkurtër. E vendos më lartë se E diela shqiptare pasi ka një studio me kontrast më të bukur ngjyrash, rubrika që mundohen të jenë kreative dhe autorë e moderatorë më me numër dhe më të mirë.

45 Formula 1 në Vizion Plus (Vizion Plus)

Një goditje e fortë e Tring Digital ndaj Top Channel ishte marrja e të drejtave të Formula 1, një ndër programet themelore që i japin identitet brendit të Top Channel. Ajo çfarë ka qenë prezentë tek Top Channel ishte komentimi tepër emocional, sidomos për Ferrarin nga ana e komentatorëve të cilët tani kanë Rossin si të favorshim e tyre. Tek Vizion Plus atmosfera është më e qetë dhe ndoshta më e baraspeshuar. Ana negative e kësaj marrëveshje është që Vizion Plus nuk transmeton Formula 1 në 70% të Kosovës, për ku deklaron se i ka marrë të drejtat.

44 Takimi i pasdites (Klan TV)

Takimi i pasdites ka rikthyer në ekran Rudina Magjistarin. Tematika, themelet e realizimit të emisionit janë shumë të ndërlidhura mirë, e për autoren nuk nevojiten shumë fjalë për të shkruar pasi të gjithë jemi të njohur me punën e saj të shkëlqyeshme. Ajo çfarë nuk më pëlqen tek emisioni është ambienti, studioja. Mendoj që Klan TV ka mundur të bëjnë më shumë në këtë drejtim.

43 Chic Plus (Vizion Plus)

Ndoshta jo i vetmi, por pa dyshim programi më i mirë dedikuar kulturës dhe shoubizit në kanalet shqiptare. Ka arritur të krijoj një audiencë të besueshme si dhe një traditë të pashoqe në kategorinë e programeve kulturore. Për mendimin tim është emisioni/magazina e përkryer që mbulon fushën e kulturës dhe shoubizit. Edhe koha e transmetimit është e përkryer.

42 Skaner Kampionat (Albanian Screen TV)

Njëri nga pak programet origjinale të Alsat që ka mbijetuar edhe në Albanian Screen TV. Është njëri ndër emisionet që ka ofruar reportazhe dhe mbulim të futbollit shqiptar shumë kohë para se të filloni transmetimet në TV. Akoma vazhdon të mbaj një nivel të lartë informatash sportive, por konkurrenca nga Proçesi sportiv sigurisht po lëndon shikueshmërinë. Personalisht më pëlqen, por, ndër problemet kryesore është koha e transmetimit që nuk më përshtatet.

41 Ora 5PM (Vizion Plus)

Edhe një program pasditeje që mundohet të marr shikuesit e mbetur në këtë termin. Gjatë dy viteve të fundit të gjitha kanalet shqiptare kanë arritur të krijojnë programe që vërtetë sjellin një alternativë më të mirë se sa serialet latine apo ato turke. Ora 5PM është një emision solid, i mirë, me një atmosferë joshëse dhe autore cilësore. Megjithatë do ta rendis në pozitën e dytë në këtë kategori të programeve.

(vijon nesër)

Programet janë renditur sipas mendimit kritik personal të autorit dhe nuk paraqesin ndonjë sondazh apo anketë të gjerë. Në listë janë përfshirë të gjitha programet që janë transmetuar ndërmjet periudhës Shtator2011-Maj2012 në kanalet kombëtare dhe ato kabllore shqiptare.

 

Luan Morina

Kritik për TV&Film

 

Mund të ju interesoj edhe...