Top 50 programet më të mira në kanalet kosovare (5)

Edhe këtë vit si zakonisht, Telekomanda rendit programet më të mira në kanalet kosovare. Për dallim nga dy vitet e kaluara, këtë vit kjo listë është zgjeruar në 50 programe. Nga e hëna, 7 maj e deri të premten me 11 maj, çdo ditë do të numërojmë nga 10 programe duke nisur nga programi i renditur në pozitën e 50të deri tek programi më i mirë që do të publikohet të premten.

Programet janë renditur sipas mendimit kritik personal të autorit dhe nuk paraqesin ndonjë sondazh apo anketë të gjerë. Në listë janë përfshirë të gjitha programet që janë transmetuar ndërmjet periudhës Shtator2011-Maj2012 në kanalet kombëtare dhe ato kabllore kosovare.

vijon nga dje

10 Drejtësia në Kosovë (RTK)

Një spin-off program nga Jeta në Kosovë që ka arritur të gjej audiencë lojale brenda një viti të transmetimit. Ajo çfarë nuk pajtohem me këtë emision është koha e transmemit pasi thjesht të dielat mendoj që duhet të jenë për programe argëtuese. Vet formati i emisionit është i shkëlqyeshëm. Sjell intervista interesante me tema dytësore të Jeta në Kosovë e të cilat në fakt nganjëherë janë edhe më interesante se ato të JNK. Rubrika Policia mendoj që është pjesa më e preferuar e këtij emisioni jo vetëm për mua por edhe për numrin e konsiderueshëm të shikuesve. Mua më kujton në një mënyrë emisionin Cops. Për momentin emisionin është duke shkuar mirë dhe me plotë meritë vendoset në Top 10 emisionet kosovare për sezonin e kaluar televiziv.

9 Fehi’s Show (RTV21)

Emisioni më i mirë në RTV21. Në fakt i vetmi që kalon serialet turke. Fehmi Ferati ka arritur të sjell një format të ri të emisioneve në ekranet tona. Njërin ndër formatet më të preferuara për mua të programeve amerikane, ato të natës së hershme. Ka provuar të marr shembull nga Jay Leno, që në fakt nuk është ndër të preferuarit e mi, por, nuk ka shtuar edhe kreativitetin e tij në emision, me të cilin jemi mësuar në prodhimet e tij të mëhershme ku thjesht ka qenë i shkëlqyeshëm. Personalisht mendoj që ka shumë punë për të bërë në perfeksionizmin e Fehi’s Show nëse krahasohet me ato emisionet simotra amerikane. Por, për vitin e parë ka bërë mjaft duke u adaptuar në një rol jo të lehtë, e krahasuar me emisionet tjera kosovare, sigurisht që meriton të jetë në mesin e dhjetë më të mirave.

8 Liga e Kampionëve (RTK)

Sa kuptim ka RTK pa Ligën e Kampionëve? Imagjinojeni të martat edhe të mërkurat pa futboll, ashtu siç ndodh nga mesi i dhjetorit deri në mes të shkurtit. Kemi dhjeëtra emisione informative dhe një ton dokumentarësh për luftën e fundit. Herë pas here ka ndonjë film, dhe nganjëherë episod të ndonjë seriali që nuk ja vlen të filloni ta ndiqni pasi kushedi se kur do të transmetohet episodi vijues. RTK pa Ligën e Kampionëve nuk ekziston të martën dhe të mërkurën.

Kur ka futboll është ndryshe. Këtë vit ka pasur shumë ndeshje interesante në vjeshtë, përballje gjigantësh, e finalet e pranverës kanë ofruar ajkën e futbollit evropian. Nuk dyshoj që disa ndeshje kanë sjell shumë shikues para ekranit të RTK-së, por duhet të bëjnë diçka që të ngushtojnë formatin 16/9 në 4/3 pasi shpesh nuk duket topi në fushë. Këtë problem e ka edhe KTV. Gjithashtu edhe më shumë ndeshje të komentuara të Agron Berishas do të ishte e mirëseardhur, kuptohet nëse fitojnë të drejtat për tri vitet e ardhshme.

7 Lajmet e KTV-s (KTV)

Lajmet më të pavarura në televizionet tona padyshim. KTV ka arritur të ruaj një paanshmëri dhe rezistencë ndaj pushtetit duke ofruar gjithnjë lajmet më të pavarura dhe më të sakta tek shikuesit tanë. Mbulimi i protestave të shkurtit ka qenë ndër pikat më të forta të departamentit të informacionit të KTV-së këtë sezon. Gjithashtu transmetimi i lajmeve në ora 7 në mbrëmje vazhdon të jetë orari më i mirë për mendimin tim në televizion. Edhe Klan Kosova është munduar të mbuloj gjerësisht ngjarjet e sezonit të kaluar, përfshirë edhe protestat. Megjithatë transmetimi i lajmeve në ora 8 në mbrëmje, sidomos gjatë vjeshtës dhe dimrit kur bie terri në ora 4-5 na bën të ndihemi si spanjoll që han darkë në ora 22. Nëse janë të guximshëm le të vendosin të gjitha televizionet lajmet në të njëjtën kohë, dhe jo tu lejojnë ithtarëve të politikës (disa pleqve zakonisht) nga 3 orë lajme të vazhdueshme në mbrëmje.

6 Milioneri (RTK)

Më duhet të pranoj, Milioneri ka filluar të humb “zjarrin”. Fillimi i Agron Llakajt, njëri nga personalitet e preferuara të mija në televizion ishte i mahnitshëm. Ai akoma vazhdon të jetë ai që ka qenë gjithmonë, i hareshëm me batuta të kohëpaskohshme dhe tregime joshëse dhe interesante për shikuesin. Por, ajo çfarë më pengon mua dhe shumë të tjerëve është ndihma që u jepet disave sidomos në pesë pyetjet e para në lojë. Po të mos ishte frika që do të gaboja në pesë pyetjet e para, edhe unë do të konkurroja në Milioner. Dua të them që standardi i kuizit më duket se ka rënë me këtë pasi ka filluar të duket si një emision që të jep rastin e dytë dhe nëse je i shpejtë në përzgjedhje siguron 250 euro. E kur jemi tek 250 euro, shumat të cilat shpërndahen janë komike. Nëse vlerësojmë një mesatare prej 3500 eurove për çdo emision (dy veta të arrijnë në pyetjen e 10të pasi edhe nuk do të mjaftonte më shumë kohë), bën një total prej 14 mijë eurove në muaj që është më pak se sa që paguan RTK për një episod që transmeton. Grand Media është koha të shpërndani më shumë para, pasi për këto vite vetëm dy veta kanë arritur në pyetjen e 15të nëse s’gabohem.

5 Oxygen (RTK)

Emisioni i vitit të ri i Oxygen ishte më i miri i sezonit. Që nga atëherë emisioni ka ndryshuar goxha shumë, është larguar Jehona Ferati, është ndryshuar sponsori dhe moderimi i emisionit vetëm nga Besim Dina na është dukur risi. Mysafirët kanë qenë të përzier, por duhet të urojmë punën e Besim Dinës për ti dhënë hapësirë shtresave të ndryshme sociale duke rritur edhe vetëdijën e qytetarëve për ato shtresa. Ka pasur mysafirë shumë interesant dhe të njohur, të cilët thjesht na kanë kënaqur me tregimet e tyre. Emisioni zgjat paksa shumë, shpeshherë deri në ora 1 gjë që ka bëër në zvogëlimin e interesimit për shikuesit e hershëm. Megjithatë rikthimi të premteve në ora 10 është shumë më mirë dhe më i frytshëm se vendosja në ora 3 të dielave. Por, mund të vendoset edhe më herët, diku rreth orës 9 dhe të mbyllej siç duhet, para mesnate, pasi thjesht kujt i interesojnë debatet politike të premtave.

4 Jeta në Kosovë (RTK)

Dy sezonave të fundit Jeta Xharra po është shumë më pak e angazhuar në këtë emision. Pa marrë parasysh se sa të suksesshëm janë udhëheqësit e rinj të emisionit, debatet me Jeta Xharrën në rolin e moderatores janë më ndryshe, më të veçantë. Emisioni vazhdon të debatoj dhe të trajtoj tema të ndryshme aktuale që zgjojnë interesim tek shikuesit. Gjithashtu pjesa hulumtuese është në nivelin më të lartë që ka qenë ndonjëherë duke e vënë emisionin në njërën nga shtyllat kryesore kundër korrupsionit dhe padrejtësisë. Vizita nëpër qendrat spitalore nëpër Kosovë ka qenë ndër rubrikat që më ka pëlqyer më së shumti këtë sezon në këtë emision. Edhe këtë vit Jeta në Kosovë vazhdon të jetë njëri ndër emisionet më të mira në Kosovë dhe padyshim më i miri në kanalin publik, RTK.

3 Kafeneja Jonë (RTK)

Programi më i mirë i dy viteve të kaluara sivjet është renditur vetëm në pozitën e tretë. Kjo jo medoemos ka lidhje direkte me rënien në cilësi të serialit pasi edhe dy emisionet që renditen më lartë kanë pasur suksese të jashtëzakonshme gjatë kësaj periudhe. Megjithatë Kafeneja Jonë nuk është ajo Kafeneja Jonë e para dy viteve. Me keqardhje e them që seriali ka filluar të plaket. Kjo vjen si pasojë e kreativitetit të pamjaftueshëm dhe adaptimit ndaj ndryshimeve. Sezoni nisi me Lejlan duke premtuar risi, të cilat për disa javë u bënë bajat pasi i vetmi person që nuk u lidh me të ishin karakteret femra. Më pas ishte ai ndryshimi me karakterin e Bekimit. Ndryshimi i karakterit të tij nuk më kishte pëlqyer as herën e kaluar. Gjithnjë kam sugjeruar që të zhvendosin serialin në katund duke i dhënë më shumë hapësirë Fekës dhe një pjese të vogël të karaktereve. Kjo do të bënte shikuesit të ndjenin mungesë për shumicën e karaktereve të zakonshme dhe pas një aventure 10-15 episodesh të rikthejnë serialin në ambientin ku tashmë zhvillohet për disa vite. Mendoj që kjo do të funksiononte duke ia zgjatur jetën serialit para se të shuhet kah sezonet e fundit siç kishte ndodhur me Kafeneja Jonë.

2 Interaktiv (KTV)

Interaktiv është bërë edhe më interaktiv këtë vit. Me përfshirjen e komenteve nga Facebook dhe Twitter, ky emision ka arritur të krijoj një mini-revolucion në mediat tona. Ndoshta edhe është emisioni më i mirë në televizionet tona, por shumë herë na ka lënë pa gjumë dhe për këtë s’do ta vendos në pozitën e parë. Dhe për arsye se akoma ndjej nostalgji për komeditë e orës 11:30 në mbrëmje të KTV-së. Shakatë mënjanë ky emision është i mrekullueshëm. Është diçka si “Natën e mirë, fëmijë”, por, për të rritur. Nuk keni nevojë të dëgjoni asnjë lajm apo debat gjatë ditës, pasi të gjitha i gjeni të përmbledhura në Interaktiv para se të shkoni të fleni. Lajmet kryesore të ditës të shtjelluara dhe të diskutuara, pos ndërmjet moderatorëve edhe me mysafirin që ka lidhje direkte me temën kryesore të ditës. Sporti në KTV ka ruajtur formatin duke u zgjeruar edhe me diskutim ndërmjet moderatorëve. Rubrika për fotografitë e ditës, përmbledhja e shtypit, e deri tek komentet dhe pyetjet e shikuesve jo vetëm me e-mail e SMS por tani edhe me Facebook e Twitter, e bëjnë këtë emision prej më të mirëve në Kosovë. E mbi të gjitha udhëheqja nga moderatorët më të mirë kosovar të udhëhequr nga Xhemajl Rexha dhe Aurora Susuri e bën këtë emision thjesht të pakrahasueshëm me të tjerët.

1 Rubikon (KTV)

Të transmetosh tri herë në javë emision debatues mund të duket e tepërt. Në fakt edhe personalisht kam pas dyshime nëse do të ketë sukses ky format i ri. Duhet të pranoj që jam befasuar me suksesin që ka arritur ta tregoj Adriatik Kelmendi me Rubikon. Cikle të reja si Rishikimi i Historisë dhe Pa Kravatë kanë arritur të sjellin disa nga episodet më interesante në televizionet tona. Adelina Ismaili, Blendi Fevziu, dhe dy herë Hashim Thaçi kanë mjaftuar për të ofruar episodet më cilësore të Rubikon këtë sezon. Është mënyra se si Adriatik Kelmendi udhëheq emisionin duke mos ndërprerë fjalën e mysafirëve dhe në të njëjtën kohë duke mos i lejuar hapësirë të tepërt. Shpërndarja e kohës ndërmjet debatuesve dhe zgjedhja e temave, sidomos tek Pa kravatë, kanë qenë anë të suksesshme të këtij emisioni. Është e pamundur të gjesh ndonjë fjalë apo koment negativ për emisionin, pos nëse ndjehesh “i lënduar” dhe në hall si bashkëpartiakun yt. Nëse flasim për paanësi dhe korrektësi në debate politike atëherë mos kërkoni ndokund tjetër. Këtë e gjeni në programin më të mirë në kanalet kosovare për sezonin 2011-2012.

 

Luan Morina

Kritik për TV&Film

 

Mund të ju interesoj edhe...