Top 50 programet më të mira në kanalet kosovare (4)

Edhe këtë vit si zakonisht, Telekomanda rendit programet më të mira në kanalet kosovare. Për dallim nga dy vitet e kaluara, këtë vit kjo listë është zgjeruar në 50 programe. Nga e hëna, 7 maj e deri të premten me 11 maj, çdo ditë do të numërojmë nga 10 programe duke nisur nga programi i renditur në pozitën e 50të deri tek programi më i mirë që do të publikohet të premten.

Programet janë renditur sipas mendimit kritik personal të autorit dhe nuk paraqesin ndonjë sondazh apo anketë të gjerë. Në listë janë përfshirë të gjitha programet që janë transmetuar ndërmjet periudhës Shtator2011-Maj2012 në kanalet kombëtare dhe ato kabllore kosovare.

vijon nga dje

20 2 Plus (KTV)

Promoja, sigla fillestare ka qenë ndër më të dobëtat që kishte përgatitur stafi artistik i KTV-së. Sigurisht ka qenë një ditë me shi, apo pa diell që ka rezultuar me mungesë kreativiteti e që më pas është përmirësuar! Ideja e emisionit është e mirë, ka potencial, vërehet vullnet tek prezantueset, por akoma nuk është rahatuar, nuk ka krijuar identitet. Arsyeja kryesore koha e shkurtër dhe rubrikat e tepërta. Më mirë ka qenë prej 2 deri në 12, sesa 2Plus. Nuk nevojiten 10 orë, por mjafton 2 orë për të krijuar një emision fantastik që do të mund të dominonte mesditën e të dielave.

19 Ora e pasdites/Info-Magazine  (Klan Kosova)

Pozita e 18 do të ndahet ndërmjet dy emisioneve të Klan Kosovas që pothuajse janë të ngjashme në disa përmasa. Debate frytdhënëse, informata aktuale dhe të freskëta në një termin mjaft të qëlluar. Moderimi ka qenë në nivel të lartë, duke e ngritur edhe cilësinë e emisionin. Ngjashëm edhe temat e trajtuara kanë qenë tema interesante për shikuesit dhe gjithnjë kanë qenë aktuale. Ora e pasdites dhe Info-Magazine janë emisionet e vetme që ndajnë një pozitë.

18 Express (KTV)

Vazhdon të mbetet njëri nga emisionet shtylla të KTV-së. Ka arritur të zhvillohet me kalimin në kohës duke vazhduar të ruaj primatin për magazinën më informative dhe më të mirë në televizionet tona. Gjithçka që ju intereson nga bota e filmit, muzikës, shoubizit dhe kulturës në përgjithësi nga skena vendore ofrohen në një pjatë që është Express. Mendoj që është emisioni më i mirë i këtij zhanri në kanalet kosovare.

17 Ezel (RTV21)

Pa dyshim seriali më i mirë turk në kanalet tona deri më tani. Serial të zhanrit dramë në gjuhën turke nuk kam parë gjatë tërë jetës. Dinamika nëpër të cilën zhvillohet ngjarja, misteri, storia, drama që ofron ky serial e bën një kryevepër të produksioneve televizive turke. Ka qenë i vetmi serial të cilin e kam shikuar deri në një pikë kur nuk kam arritur të ec me ritmin në të cilin transmetohet. Thjesht 10 orë serial turk në javë është tepër për mua. Fundin dhe pjesën tjetër kam arritur të përcjell në vete, dhe nuk jam i zhgënjyer aspak. Si çdo fund turk edhe ky nuk ishte më i duhuri, por ndryshe nga ato latinet, këto nuk të gëzojnë në fund. Suksesi më i madh i RTV21 me serialet turke të cilat janë bërë simbiozë me këtë televizion kombëtar.

16 Pa Skenar (RTK)

Njëri ndër programet më të mira në RTK padyshim. Autorja, Antigona Qena sjell nostalgjinë televizive për të gjithë ata që kanë shikuar televizion edhe para këtij shekulli. Ka pasur disa emisione shumë të mira, interesante, e sidomos e kujtoj atë me dy komedienët e paraluftës, Ibrahim Krajkovas dhe Rasim Thaçit. Ky emision mendoj që ka qenë qershia mbi tortë për këtë sezon të Pa Skenar, në mesin e disa emisioneve të shkëlqyeshme. Shpresoj të rikthehet edhe sezonin e ardhshëm duke na freskuar edhe më shumë kujtimet tona.

15 Europa League (KTV)

Më në fund edhe Europa League erdhi në kanalet kombëtare kosovare. Me nga një ndeshje në javë zakonisht, KTV arriti të mbaj një balancim duke ofruar vetëm ndeshjen më interesante për shikuesit. Ishte fati i KTV-së që disa nga skuadrat më të forta u mënjanuan nga Liga e Kampionëve duke sjell derbi edhe më të mëdhenj në Europa League. Kjo garë doli të jetë një blerje e shkëlqyeshme e Kohavisionit.

14 Ora 7 (Klan Kosova)

Përkundër stafit që shpesh di të mbaj një qëndrim indiferent dhe mendjemadh ndaj shikuesit ky emision është njëri ndër më alternativët në televizionet tona. Mënyra inovative e realizimit, interkonektimi ndërmjet moderatorëve, interaktiviteti me shikuesit, mbulimi i temave të gjithanshme, dhe një “mirëmëngjesi” i veçantë për të gjithë poseduesit e kabllorëve ose satelitorëve ka qenë ajo që e bën këtë emision special dhe dukshëm më të suksesshëm se të tjerët. RTV21 ka një program mëngjesi solid, ngjashëm si RTK, derisa ajo që dëshpëron është KTV, që nis lajmet në një ambient që duket si i përgjumur dhe seriozisht pas Interaktivit të një nate më herët kush është i interesuar për lajme në mëngjes, thuajse ka ndodhur diçka ndërmjet atyre 6 orëve të natës. Ora 7 mbizotëron mbi emisionet tjera në mëngjes.

13 038 Live (KTV)

Definitivisht magazina më e mirë për kryeqytetin. Edhe për këtë emision kam pasur dyshime nëse do të funksiononte pesë herë në javë. Jam gabuar, pasi po funksionon për mrekulli së paku deri tani. Pos temave ditore ka trajtuar edhe tema për historinë e kryeqytetit duke ofruar informata të reja që jo domosdo kanë qenë të lidhura me aktualitetet. Megjithatë transmetimi shumë i ngushtë ndërmjet reprizës dhe origjinalit, që nuk është problem vetëm për këtë program, është i panevojshëm. Përndryshe një program shumë informativ.

12 Exclusive (Klan Kosova)

Njëri ndër emisionet më të mira në kanalet tona. Një dokumentar që nuk përqendrohet vetëm në luftën e fundit siç ndodh me dokumentarët e RTK-së, por që thellohet nëpër tema të ndryshme të cilat kanë relacion ndërmjet epokave të ndryshme. Dikush mund ta përziej emrin me atë emisionin që transmetohet në Top Channel, por duhet të pranoj që të dyja janë të shkëlqyeshme, të ndërtuara ashtu secila në mënyrën e vet. Padyshim emisionin më i mirë në Klan Kosova.

11 Cosmo (KTV)

Shumë lëvizje nëpër skemën programore të KTV-së për tu pozicionuar në fund të javës punuese, të premteve në ora 22:30. Përkundër orarit jo shumë të favorshëm, Cosmo ka arritur të sjell disa tema shumë interesante, e më së shumti duket të ketë zgjuar interesim intervistomi i Besarta Jasharit në fillim të marsit. Është një emision i mirë që meriton një orar më të mirë, ndoshta para lajmeve kryesore në ndonjë ditë të caktuar të javës.

vazhdon nesër…

Luan Morina

Kritik për TV&Film

Mund të ju interesoj edhe...