Top 50 programet më të mira në kanalet kosovare (3)

Edhe këtë vit si zakonisht, Telekomanda rendit programet më të mira në kanalet kosovare. Për dallim nga dy vitet e kaluara, këtë vit kjo listë është zgjeruar në 50 programe. Nga e hëna, 7 maj e deri të premten me 11 maj, çdo ditë do të numërojmë nga 10 programe duke nisur nga programi i renditur në pozitën e 50të deri tek programi më i mirë që do të publikohet të premten.

Programet janë renditur sipas mendimit kritik personal të autorit dhe nuk paraqesin ndonjë sondazh apo anketë të gjerë. Në listë janë përfshirë të gjitha programet që janë transmetuar ndërmjet periudhës Shtator2011-Maj2012 në kanalet kombëtare dhe ato kabllore kosovare.

vijon nga dje

30 SinkroCinema (KTV)

Ky program është nga ata që i urrejnë dhe mendojnë se nuk kanë vend në televizion, sidomos në atë kombëtar dhe në ora 22. Njëkohësisht është ndër programet më interesante dhe të pështira në të njëjtën kohë. Varësisht prej filmit të cilin zërojnë dhe skenës ky emision nganjëherë di të ofroj argëtim dhe komedi cilësore për të rritur, por shpeshherë e teprojnë me banalitet. Zërat janë të shkëlqyeshëm, por mund të jenë më pak banal që të kënaqemi pa pasur nevojë të turpërohemi.

29 Dokumentarët në KTV (KTV)

KTV zakonisht ka sjell dokumentarët e BBC-së. Sigurisht që BBC është një ndër prodhuesit të dokumentarëve më të mirë në histori të televizionit dhe rrjedhimisht me anë të KTV-së kemi qenë në gjendje të shohim disa nga këta dokumentarë. Megjithatë mungesa e një orari të sigurt, dhe vendosja e tyre vetëm në mungesë të futbollit nuk ka mjaftuar. Pse të mos vendosen një natë në primetime gjatë javës si për shembull të hënave në ora 20, dhe në cilëndo ditë të javës nga ora 22:15. Këtë vit vetëm pozita e 29të për Dokumentarët në KTV.

28 Lale (KTV)

Definitivisht nuk është seriali im i preferuar turk që është transmetuar këtë sezon. Për më tepër jam befasuar me përmasat me të cilat flitet dhe rrjedhimisht edhe shikohet. Më është dukur shumë i përzier dhe disi si i butë. Edhe pse ajo sigla e fillimit është e mirë, ngjarja është shumë e komplikuar. Por, mesa duket njerëzve ju pëlqen. Janë për tu habitur komentet dhe vizitat që bëhen në kategorinë e këtij seriali në Telekomanda.com, ngjashëm si komentet e njerëzve të ndryshëm. KTV dhe përzgjedhësi i këtij seriali doli më i mençur se unë, por, megjithatë akoma vazhdoj të mendoj, dhe jam i sigurt që ka pasur mundësi të zgjedhnin diçka edhe më të madhe. Për këtë s’dyshoj.

27 Subvencion (RTK)

Emisioni debatues për ekonomi më i mirë në kanalet tona, pa dyshim. I nisur jo para shumë sezonave, emisioni ka arritur të siguroj një pozitë të qëndrueshme në skemë programore dhe të krijoj një baëz shikueshmërie të kënaqshme. Me trajtimin e shumë temave të duhura, aktuale dhe me mysafirë të theksuar në lëminë e tyre, Subvencion ka krijuar një imazh që vlerësohet nga shikuesit. Personalisht pos që është zgjedhja ime e preferua të hënave në ora 10 ndaj programeve tjera, mendoj që edhe ofron informata të dobishme në qoftë se ju interson fusha e ekonomisë.

26 La Liga (KTV)

La Liga për 36 xhiro është liga më e kotë në botë. Janë vetëm dy xhiro kur unë shikoj La Ligan, përkatësisht derbit ndërmjet Barcelonës dhe Realit. Për dallim nga unë, shumë shikues shikojnë 38 xhiro në vit pasi ose janë fansa të Realit ose Barcelonës. Unë s’jam dhe nuk më intereson shumë futbolli spanjoll. Këtë vit KTV ka bërë një hap të mençur duke mos transmetuar të gjitha ndeshjet e mundshme. Nëse nuk është asnjëri nga gjigantët në televizion ose nuk është një derbi, nuk ia vlen për të humbur një orar të mbrëmjes. Por, në vend të ndeshjeve kemi pasur filma, disa interesant disa jo edhe aq të mirë. La Liga më së shumti ka lënduar KTV-në duke ia hequr orarin e mbrëmjes gjatë fundjavës. Për këtë arsye Bundesliga dhe Premier Liga janë shumë më interesante dhe më të mira.

25 Sulltani (RTV21)

Nuk ka vend në Evropën Qëndrore dhe Lindore, Lindjën e Mesme, dhe Afrikën Veriore që nuk transmeton Sulltanin. Ky serial është shpërthimi i produksioneve turke në mbarë botën. Kam pritur i eksituar këtë serial në televizionet tona dhe nuk jam i dëshpëruar. Personalisht nuk ndjeki vazhdimisht këtë serial, por mendoj se ka një cilësi solide. Të tjerët mendojnë që është i shkëlqyeshëm, por nuk është bash kryevepër. Shikueshmëria nuk mungon dhe ajo çfarë ka përcjell nga Ezel ka mbetur në një nivel, e edhe ndoshta është rritur.

24 Talk (KTV)

Për Talk mendoj që është një ndër emisionet që zgjon kërshëri tek shikuesit e interesuar në botën e shoubizit. Në një mënyrë emisioni i afron estradën tonë me shikuesit duke i ofruar një këndvështrim tjetër, më personal. S’dyshoj që kjo zgjon interesim tek shikuesit, megjithëse personalisht nuk më intereson për storiet e shumicës së mysafirëve. Por, emision ka kreativitet dhe origjinalitet që meriton të vlerësohet me këtë pozitë.

23 Kubi ku zinë (KTV)

Kubi ku zinë është emisioni më i mirë i ri që ka ardhur në ekranet kosovare këtë vit. Ka shumë gjëra që e bëjnë këtë emision të shkëlqyeshëm, por ka edhe gjëra që i mungojnë. Të nisim nga moderatorja shumë modeste që arrin të shfaq një interesim të sinqertë për punën e kuzhinierëve në studio. Veshje adekuate, komunikim i qetë dhe kureshtar, dhe një shpërndarje kohe perfektë ndërmjet garuesve. Një studio e shkëlqyeshme, shumëngjyrëshe, e ndriçuar mirë të cilës i mungon publiku. Dy degustator të cilët vetëm humbin kohë sidomos me pavendosshmërinë e tyre për të shpallur fituesit. Këshilla ime: largojeni formatin e garës, thjeshtë bëjeni një mënyrë promovuese për restorantet dhe sillni shikues të cilët do të kenë nderin të shijojnë ato ushqime.

22 1001 Net (KTV)

Qëndroj akoma prapa fjalëve që kam përmendur vitin e kaluar se 1001 net është një serial që na sjell produksionin turk nga një këndvështrim tjetër nga ai që ishim mësuar të shohim. Derisa Jetë e Hidhur dhe Lugina e Ujqërve kishin ofruar seriale të përzier me dramë, aksion dhe triller, 1001 net sjell një dramë që përzihet me zhanrin familjar dhe ofron një dozë të bollshme romance. Ky serial ka arritur të marrë një shikueshmëri dhe muhabet të konsiderueshëm edhe në Kosovë siç kishte ndodhur në të gjitha vendet ku është transmetuar. Në fakt ka qenë një ndihmë indirekte edhe për shikueshmërinë e Sulltanit në RTV21.

21 Prive (Klan Kosova)

Liberta Spahiu ka arritur të krijoj një imazh shumë të suksesshëm për Prive. Ky emision gëzon epitetin e emisionit elitar për fushën e shoubizit në televizionet kosovare. Intervista ekskluzive, trajtime të temave më të nxehta për rininë dhe fansat e fushës së shoubiz e kanë bërë këtë emision një përzgjedhje të parë edhe në krahasim me emisionet e zhanreve tjera. Personalisht nuk jam në demografinë që shikoj këtë emision, por e di që ka me mijëra veta që këtë emision e vendosin edhe në pozitën e parë të listave të tyre.

 

vazhdon nesër…

Luan Morina

Kritik për TV&Film

 

Mund të ju interesoj edhe...

One thought on “Top 50 programet më të mira në kanalet kosovare (3)

Comments are closed.