Top 50 programet më të mira në kanalet kosovare (2)

Edhe këtë vit si zakonisht, Telekomanda rendit programet më të mira në kanalet kosovare. Për dallim nga dy vitet e kaluara, këtë vit kjo listë është zgjeruar në 50 programe. Nga e hëna, 7 maj e deri të premten me 11 maj, çdo ditë do të numërojmë nga 10 programe duke nisur nga programi i renditur në pozitën e 50të deri tek programi më i mirë që do të publikohet të premten.

Programet janë renditur sipas mendimit kritik personal të autorit dhe nuk paraqesin ndonjë sondazh apo anketë të gjerë. Në listë janë përfshirë të gjitha programet që janë transmetuar ndërmjet periudhës Shtator2011-Maj2012 në kanalet kombëtare dhe ato kabllore kosovare.

40 Super Gogo (RTK)

Nëse ekziston një departament në RTK që ka pasur sukses këtë vit padyshim është ai i programeve për fëmijë. Alfabeti magjik dhe Ne janë dy emisione shumë të mira dhe të përshtatshme për demografitë e tyre, por ai që vazhdon të shkëlqej padyshim është Super Gogo. Tashmë në sezonin e dytë nëse s’gabohem Super Gogo është një emision që duhej të shikoj gjithqysh të shtunave. Pos që ofron njohuri dhe informata të reja për fëmijët në mënyra atraktive dhe joshëse Super Gogo ofron argëtim edhe për të rriturit duke e shndërruar në një program familjar.

39 Dokumentari n’5e30 (RTV21)

Një termin i mbushur me dokumentarë shumë informativ dhe interesant ka qenë ora 5e30 pasdite në RTV21. Shpeshherë më ka rastisur të shoh këta dokumentarë nga fusha të ndryshme. Pikërisht ky diversitet më ka pëlqyer më së shumti për këtë këta dokumentarë. Dua të them kanë ofruar nga pak nga shumë fusha të jetës qoftë udhëtimet, letërsia, zoologjia etj. Megjithatë ka munguar reklamimi dhe mendoj që shumica e shikuesve edhe nuk janë informuar kurrë për këta dokumentar.

38 House (Klan Kosova)

Të pranoj që nuk jam një fans i madh i serialeve medicinale. Çdo episod del një sëmundje e re dhe si me pahir disa nga simptomat që kanë pacientët më prekin edhe mua për të dal krejt alarm i rrejshëm. Derisa disa të tjera si Grey’s Anatomy lidhin jetën profesioniste me atë të përditshme të karaktereve në një masë dhe mënyrë ta quaj të thjeshtë, tek House kjo ndodh në një mënyrë të veçantë. E kur tërë kësaj ia vëmë Hugh Laurie në rolin kryesor, atëherë na del një kombinim perfekt televiziv. E di se për mjekët karakteri i House është paksa i fryer, por për shikuesit e thjeshtë ai është njëri nga karakteret më të mira në televizion.

37 Koha për muzikë

Sa herë keni parë Mastroianin këmbëzbathur të hënave në KTV? Shumëherë! Duhet të pranojmë që kjo ishte e tepërt! Por, përjashto këtë KTV ka ofruar disa koncerte fantastike në këtë orar duke ofruar një alternativë perfektë karshi Kabare dhe ndonjë episodi të dobët të Kafeneja Jonë apo intervistave të papritura të kryeministrit dhe të tjerëve në këtë termin. Disa nga yjet më të mëdha të muzikës botërore kanë ardhur tek ne me anë të këtij emisioni duke na ofruar atë që pak e njohin këngëtarët tanë, muzikën live.

36 Rendez Vous (RTV21)

Tema dhe debate interesante për një sezon të tërë. Emisioni i vitit të ri ka qenë ndër më të mirë dhe më argëtuesit. Sidoqoftë në përgjithësi emisioni Rendez-Vous ka qenë një ndër programet më cilësore në RTV21. Në krahasim me Relax dhe 1 Kafe me Labin është në një nivel shumë më të lartë. Mënyra e udhëheqjes nga ana e autorit krijon hapësirë për një debat frytdhënës. Edhe pse studioja do të ishte më mirë me më pak ngjyrë të bardhë.

35 Fjalëkryq (Klan Kosova)

Zona B dhe Zona e Debatit janë arena që dominohen nga Baton Haxhiu varësisht prej mysafirëve të cilët dhe kthehen në një vegël për interesat e tij. Fjalëkryq është diçka më ndryshe. Në fakt të them krejt ndryshe s’besoj që do të ishte e ekzagjeruar. Debutuesit dhe mysafirët kanë më shumë hapësirë dhe moderimi nga ana e autorit është më i lirë më demokratik. Meriton të jetë pjesë e kësaj liste.

34 1 Kafe me Labin (RTV21)

Nuk është formati më i mirë që ka ofruar Labi ndonjëherë. Para dy sezoneve kur shëtiti krejt Kosovën ishte periudha më e mirë për këtë emision. Pastaj kaloi nëpër diasporën, një veprim jo shumë i dobishëm për mendimin tim, dhe së fundmi ka ardhur me një riformësim total të emisionit. Ajo çfarë më pëlqen është interaktiviteti me shikues të thjeshtë. Kjo e bën emisionin më të thjeshtë, më special dhe më të afërt me shikuesit. Ide e mirë, por megjithatë ka shumë mundësi për përmirësim. Këtë vit vetëm pozita e 34të.

33 Rrebelët (KTV)

Të rikthyerit që po korrin suksese. Një pyetje që më ka rastisur të dëgjoj shumë shpesh nga njerëzit, në këtë rast adoleshentët është “Kur transmetohet repriza e Rebelëve?”. Nuk dyshoj që është njëri ndër serialet epike për shikuesit kosovar, dhe rikthimi i këtij seriali në një cikël të ri sigurisht që konsiston me një gjeneratë që para 6 viteve ka qenë shumë e re për të kuptuar këtë serial dhe tani është në moshën e përshtatshme për këtë serial. A është kryevepër e këtij zhanri?! Nuk jam i sigurt, por për adoleshentët kosovar, Rebelët janë gjë trendi, diçka pa të cilën nuk mund të rritesh. Diçka si provim mature për të mbyllur shkollën e mesme J

32 Filmat në KTV (KTV)

Para dy viteve KTV nisi të bëj një “revolucion kinematografik” duke sjell tituj të kritikuar lartë dhe të suksesshëm në kinematë për të gjithë shikuesit kosovar dhe atë pa pasur nevojë të paguajnë për të parë këta filma. Personalisht ajo periudhë ka qenë një mini-parajsë për filmdashësit kosovar. Por, këtë sezon KTV na ka dëshpëruar me përzgjedhjen e filmave. Sidomos muaji prill ka filluar të kthej KTV-në nivelin e RTV21 dhe RTK të cilat nuk transmetojnë filma cilësor, së paku jo para festës të vitit të ri. Megjithatë duhet pranuar që RTV21 ka krijuar një termin të zakonshëm të shtunave duke shtyrë edhe Unë Jam Top Model shumë më vonë. Por, përzgjedhja e filmave mbetet e dobët, duke e lënë KTV shumë më lartë, akoma.

31 Koha e Paradites (KTV)

Vitin e kaluar Koha e Paradites ose më saktë Matinee ka qenë ndër programet më të veçuara. Akoma mbetet ashtu veç pse këtë vit është më poshtë në renditje shkaku i zgjerimi të kësaj liste. Ky emision të cilin shpesh e identifikoj vetëm me Matinee vazhdon të jetë emisioni i preferuar i mëngjesit për mua. Ofron disa tema interesante me mysafirë të zgjedhur dhe adekuat. Lidhja e dëgjuesve e bën edhe më informativ këtë emision, e ndonjëherë edhe më argëtues siç ishte rasti i asaj fanses së Behxhet Pacollit! Sidoqoftë emisioni është i një cilësie të lartë dhe shumë më thjeshtë dhe ngushtë se sa që ishte PFM më parë.

 

vazhdon nesër…

Luan Morina

Kritik për TV&Film

Mund të ju interesoj edhe...