Top 50 programet më të mira në kanalet kosovare (1)

Edhe këtë vit si zakonisht, Telekomanda rendit programet më të mira në kanalet kosovare. Për dallim nga dy vitet e kaluara, këtë vit kjo listë është zgjeruar në 50 programe. Duke nisur nga sot, e hënë 7 maj e deri të premten me 11 maj, çdo ditë do të numërojmë nga 10 programe duke nisur nga programi i renditur në pozitën e 50të deri tek programi më i mirë që do të publikohet të premten.

Programet janë renditur sipas mendimit kritik personal të autorit dhe nuk paraqesin ndonjë sondazh apo anketë të gjerë. Në listë janë përfshirë të gjitha programet që janë transmetuar ndërmjet periudhës Shtator2011-Maj2012 në kanalet kombëtare dhe ato kabllore kosovare.

50 Kombinati (K Channel)

Këtë listë, të parën e këtij lloji në shqip do ta hap me serialin Kombinati. Personalisht kam qenë shumë për anulimin e serialit Familja Moderne sidomos vitin e kaluar. Dy sezonet e fundit vetëm sa kanë lënduar imazhin e serialit që ishte bërë simbol i televizionit të pasluftës në Kosovë. Megjithatë RTK nuk ka ofruar asgjë më të hajrit pas anulimit të Familja Moderne. Kombinati duket të jetë një riformësim i Familja Moderne në një format paksa më ndryshe sa për të freskuar shikuesit. Është e vërtetë që disa karaktere të Familja Moderne si Daja e Longari na kanë munguar dhe shikimi i aktorëve që kanë portretizuar këto karaktere në role tjera është një risi e këndshme. Megjithatë vet koncepti i serialit nuk ofron diçka shumë kreative, arsyeja kryesore pse vendoset vetëm në pozitën e 50të.

49 Heroes (Klan Kosova)

Nuk jam fans i serialeve fantastiko-shkencore, por Heroes është njëri nga serialet më të mira të këtij zhanri që kam parë. Akoma mendoj që ka përfunduar para kohe dhe padrejtësisht është anuluar nga kanali NBC. I shfaqur së pari në Klan TV, rikthimi në Klan Kosova ka qenë një veprim shumë i mençur i këtij televizioni. Në përgjithësi Klan Kosova ka sjell disa seriale të shumë cilësore amerikane që disi na ka mbajtur të lidhur me elitën e serialeve amerikane. i pari në këtë listë është Heroes që po të transmetohej para disa viteve do të zinte vend së paku nja 30 pozita më lartë.

48 Kapital (RTK)

Dy emisione pothuajse të ngjashme për ekonomi në një kanal duken si shumë. E në fakt edhe ndoshta janë, por edhe pse nuk kanë ndonjë dallim shumë domethënës, Kapital dhe Subvencion megjithatë ndryshojnë jo vetëm në këtë renditje. Ajo çfarë nuk më pëlqen tek Kapital është orari i transmetimit që është të shtunave. Por, gjatë këtyre muajve që është duke u shfaqur ka ofruar disa debate dhe raporte mbi tema të llojllojshme gjë e cila edhe e vendos në skaj të kësaj renditjeje, por gjithnjë me një potencial për ngritje nëse kthehet në ekran gjatë vitit të ardhshëm.

47 Kult (RTK)

Përkundër viteve Kult vazhdon të mbijetoj në ekranet e RTK-së. Shpesh herë më ka rënë të shikoj këtë emision përkundër asaj që nuk jam shumë i dhënë pas temave që trajtohen. Arsyeja pse kam shikuar unë dhe shumë veta të tjerë besoj ka qenë pritja për fillimin e Oxygen. Me këtë dëshiroj të them që ndihmë të madhe ky emision ka marrë nga pozita ku transmeton dhe atë jo pse ndjek Debatin, por sepse i paraprinë Oxygen-it. Vet përmbajtja e emisionit është e nivelit më të lartë duke arritur të mbuloj të gjitha ngjarjet kryesore kulturore brenda atyre pak minutave që ka në dispozicion.

46 Bon Bon (RTV21)

Bon Bon vazhdon të mbetet emisioni më i mirë i pasdites së hershme në kanalet tona kombëtare. Për dallim me konkurrencën është zgjedhja më e mirë pasi ofron shumëngjyrshmi të informatave nga fusha të ndryshme. Ajo çfarë ka vazhduar të më pëlqej tek ky emision është udhëtimi nëpër qendra të ndryshme duke afruar emisionin me shikuesit dhe hallet e tyre. Gjithashtu edhe përzgjedhja e mysafirëve ka qenë solide.

45 Gossip Girl (Klan Kosova)

Gjithnjë kam konsistuar në atë që nevojiten më shumë seriale dhe programe cilësore për adoleshentët tanë. Transmetimi i One Tree Hill për nja dy muaj të verës së 2010tës në KTV ka qenë hapi më i mirë që është bërë në këtë drejtim, deri në fillimin e Gossip Girl në Klan Kosova. Dy seriale krejtësisht të kundërta për kah ambienti ku zhvillohen por me një bazament pothuajse të njëjtë. Gossip Girl është seriali që mbulon kategorinë serialeve për të rinj në Klan Kosova dhe siç kam përmendur tek Heroes, Klan Kosova ka disa seriale në këtë listë, edhe më lart se kjo pozitë. Personalisht Gossip Girl është një ndër serialet e mija të preferuara.

44 Amkademiku (K Channel)

Sa keni qenë të eksituar për rikthimin e Stupcave në televizion? Personalisht mëzi kam pritur. Por, transmetimi në televizion kabllor duke lënë më shumë se gjysmën e shikuesve potencial, dhe kur them gjysmën bëhem shumë zemërgjerë pasi ka shumë më tepër shikues që nuk shohin këtë prodhim të tyre ka qenë pak zhgënjyese. Asgjë kundër Kujtesa-s, por unë që nuk jam në qytet të vetmen mënyrë për të parë Amkademikun kam një episod promovues në faqen e tyre dhe video ilegale që së fundmi është vështirë të gjenden. S’dyshoj që meritojnë të renditen më lart, por ndoshta me fillimin e IPTV transmetimeve të Kujtesa atëherë mund të kënaqemi më shumë me komeditë e tyre të fundit.

43 2me1 (RTV21)

Ky emision vazhdon të mbetet emisioni më i mirë sportiv në Kosovë. Agim Binaku ka arritur të ruaj bukurinë e 2me1 duke ndryshuar gjithnjë vetëm për të mirë. Me mysafirë të veçantë të cilët gjithnjë ofrojnë një dozë analize racionale dhe mendjeholle për temat që diskutojnë padyshim që duhet të zë vend edhe më lartë në këtë renditje. Personalisht mendoj që është një ndër emisionet më të mira sportive debutuese në shqip krahasuar AS dhe Sporti Total.

42 Telekino (RTK)

Si programi i vetëm për filmin në kanalet tona kombëtare, Telekino ka arritur të mbaj shikuesit të informuar për të fundit nga bota e kinematografisë. Me edicione speciale nga Sundance Film Festival e Berlinale, Mirjeta Baraliu ka vazhduar të ofroj një atmosferë origjinale nga eventet më të mëdha të filmit. Vendosja në një orar prime-time, debatet në studio kanë bërë emisionin edhe më interesant dhe informativ për shikuesit. Megjithatë mos ofrimi i një orari të vazhdueshëm ka lënduar këtë emision që ka potencial të jetë ndër programet më të mira.

41 Superliga e Kosovës (RTK)

Transmetimi i Superligës së Kosovës në futboll ka qenë një gjë që do të duhej të ndodhte patjetër. Në fakt ishte mënyra e vetme për ringjalljen e shikueshmërisë, edhe ashtu të varfër të kësaj gare. Marrëveshja e DigiWorx me RTK që i lejonte kësaj të fundit të transmetonte dy ndeshje në xhiro ishte shumë e rëndësishme për ti dhënë një mbulueshmëri kombëtare kësaj gare, një zgjedhje më e dobishme në krahasim me transmetime të paguara. Edhe pse niveli i cilësisë ndoshta nuk është zhvilluar më shumë, ngjashëm si sjelljet e shikuesve, transmetimi i Superligës së Kosovës në futboll është një veprim shumë i mirë.

vazhdon nesër…

Luan Morina

Kritik për TV&Film


Mund të ju interesoj edhe...