Top 20shi televiziv

Gjithnjë është vështirë të zgjedh më të mirët e sezonit televiziv, por ky vit ishte pak më me telashe. Vendosa të mos përfshijë serialet e huaja, të cilat këtë vit ishin më të shumta në numër, por megjithatë cilësia mungonte, sidomos komeditë dhe serialet për tinejxherë.

Pra, kam përfshirë vetëm programet që prodhojnë vet kanalet me përjashtim të ngjarjeve sportive që transmetojnë, e të cilat sigurisht nuk janë prodhim i kanalit, por një vendim i drejtë apo i gabuar për të sjell atë ngjarje.

Sasia e programeve është e bollshme, cilësia është shumë e pakënaqshme. Do të mund ta bëja edhe vetëm Top5 e Top10, apo sikur një vit edhe Top50, por disa programe nuk ja vlen as të përmenden.

Si zakonisht lista shpreh mendimin tim personal, dhe është rezultat i më shumë se 500 orë të kaluara para televizionit me programe vendore.

Është edicioni i pestë i kësaj përzgjedhjeje. Më shumë për renditjet e viteve të kaluara mund të gjeni tek Telekomanda.com

Për çfarëdo komenti në lidhje me listën, mospajtimeve, pakënaqësive e sendeve tjera mund të gjeni mënyrën të kontaktoni në morinaluan.com

Luan Morina
Kritik për TV&Film

Lista e më të mirëve në kanalet tona këtë sezon televiziv është si në vijim:

Top 20 – Kosovë

20.  1st Minute (First Channel)

Të jem i sinqertë First Channel nuk ka shumë programe që më pëlqejnë. E di që jo të gjithë mendojnë si unë, dhe respektoj mendimin e tyre. 1st Minute e gjen veten në Top20 për vetëm një arsye. Ajo është debati ndërmjet Valon Malokut dhe Fisnik Ismailit. Debati kishte pasur një periudhë ‘parapërgatitore’ me kundërthëniet e tyre në Facebook, që mund të ketë krijuar një audiencë të mirë, ndoshta disa që e kanë shikuar edhe për të vetmen herë sikur unë.

19.  Stinë dashurie (RTK)

Dukej si projekt interesant. Ishte episod i parë i mirë, më pëlqeu. Por, nuk më tërhoqi të kthehem për më shumë episode. Tregim normal, dramë me ngjyra telenovele vetëm se e lokalizuar deri në një masë. Të gjithë ato xhirime jashtë vendit mendoj që kanë qenë të panevojshme. Nuk di që shumë veta e kanë përmendur për të mirë. Megjithatë është mirë të nxiten prodhimet vendore, por, me tema më të hareshme që na shmangin nga këto ‘njolla’ të historisë dhe shoqërisë sonë. Për këtë arsye komeditë kanë shkëlqyer, derisa dramat e kanë pasur një sezon dhe në arkiv.

18.  Ora 7 (Klan Kosova)

Akoma mbetet programi më i mirë i mëngjesit. I vetmi në këtë listë. Keka bën punë të mirë në rolin e moderatorit, diçka që nuk gjenden as tek ‘Sot’ i mbipopulluar me gjininë e kundërt, e as tek dy programet e mëngjesit në kanalet tjera kombëtare. Gjithnjë është zgjedhja e parë e imja për programin e mëngjesit.

17.  Telekino (RTK)

Vazhdon të mbetet programi më i mirë për film edhe më tutje. KTV ka pasur një tentim të bëj diçka të ngjashme, por mund të them lirisht se kanë dështuar. Telekino vazhdon të mbetet guida kryesore nëse dëshironi të merrni lajmet e fundit për filmin. Gjithashtu së fundmi janë popullarizuar edhe Maniakat n’Facebook.

16.  Pulsi (KTV)

Kalimi i Pulsit nga një program ekskluziv për shëndetësinë në një program debati me shtrirje më të gjerë ka qenë një vendim i mençur për mendimin tim. Mefail Bajqinovci është adaptuar lehtë nga intervistat 1me1 në debate, dhe po bën punë të mirë. Ideja më e mirë do të ishte që programi të mbetet i përqendruar në fushën e përafërt me shëndetësinë, të diskutoj edhe për tema shoqërore, pasi ka mjaft çka të diskutohet për këtë.

15.  Zona e Debatit (Klan Kosova)

Shumë më e mirë se Zona B. Baton Haxhiu është njëri ndër moderatorët më arrogant dhe të njëanshëm që do ti gjejmë në televizion. Është vetëm mendimi im, por ka njerëz që pajtohen me këtë mendim. Vetëm pse ke në dorë kameramanin dhe regjisorin, nuk mund të kyçësh e ç’kyçësh këdo kurdo, e të ofendosh e nënçmosh dikë në televizion siç ndodhi rasti me njërin nga kandidatët për kryetarë të Mitrovicës.

Por, ata që e vendosin në këtë vend janë moderatorët dhe mysafirët që përkundër të gjitha që përmenda më lart, akoma vazhdojnë të jenë mysafirë dhe panelistë shumë interesant.

14.  NBA në Kujtesa (K-Sport)

Që nga kur Kujtesa vendosi të bënte pakon e sportit, platforma ka arritur të sjell disa nga ngjarjet më të mira sportive në Kosovë. Dhe krejt kjo me një çmim jashtëzakonisht të favorshëm për ambientin tonë. La Liga pati njërin nga sezonet më fantastike, dhe kjo vetëm sa pritet të bëhet edhe më interesant vitin e ardhshëm. Ngjashëm ishte edhe me Ligue 1 dhe Euroligën.

Por, ajo që shkëlqeu këtë vit ishte NBA. Si një fans i sporteve amerikane në përgjithësi, dhe NBA në veçanti ka qenë një kënaqësi që Kujtesa ka sjell për të gjithë kosovarët këtë ngjarje. Ishte një sezon fantastik, dhe shpresoj që Kujtesa të sjell edhe më shumë këso lloj ngjarjesh.

13.  Njerëzit dhe kujtimet flasin (KTV)

Është programi më i mirë që ka të bëj me historinë e luftës. Nuk ka nevojë për muzikë folklorike në sfond, për thurje të vargjeve poetiko-patriotike nga persona që ndoshta nuk kanë lidhje fizike me atë për të cilën flasin. E kam llafin për shumë ‘dokumentar’ që vijnë në RTK kohë pas kohe, edhe në prime-time.

Ky program sjell përvojën tmerruese të njerëzve që kanë parë me sytë e tyre të bëmat e luftës së fundit. Është program ‘i rëndë’ për zemër dhe tru, por, është program jashtëzakonisht i realizuar mirë.

12.  Imazh (RTK)

Imazh ka kaluar një sezon të përzier të them. Disa herë ka lëvizur nga skema, ka shtuar disa rubrika, lojëra që nuk më kanë pëlqyer.  Është mirë i realizuar, por, po lëvizën në kahun e kundërt. Ka shumë talent dhe aftësi për të bërë më mirë.

11.  Liga e Kampionëve (RTK)

Ka shumë pak gjëra në RTK për të cilat mund të flasim fjalë të mira. Ndër këto është departamenti i sportit. Si i vetmi kanal kombëtar që transmeton sport, RTK e ka dhënë provimin. Sjell dy garat më të mira në futboll, të gjitha ngjarjet e mëdha të kombëtareve, si dhe përvojën e skuadrave tona në skenën ndërkombëtare. Cilësia e garave është e mahnitshme, por komentimi mund të jetë shumë shumë më i mirë. Nuk mjafton vetëm Arben Berisha.

10.  O Sa Mirë (T Plus – Ipko)

Seriali i preferuar për shumë veta. E di që shumë flasin, e shikojnë dhe e duan këtë serial. Unë nuk jam në mesin e tyre. Ka shumëçka që nuk shkon me serialin. Ambienti i njëjtë, riciklimi i skenave komike, dhe mbi të gjitha të qeshurat artificiale tepër të shpeshta. Në asnjë serial nuk mund të qeshim për gjysmën e kohës së serialit që transmetohet. Tentimi i skenaristëve për të bërë çdo skenë komike, e duke vënë të qeshura artificiale në çdonjërën prej tyre më ka bërë që të mos përcjell këtë serial. Personalisht s’mund të duroj këto gjëra. Kasti i aktorëve është impresiv, ngjashëm si tek ‘Stinë dashurie’ por realizimi nuk është në nivel.

9.    Info Magazine (Klan Kosova)

Shumë më i mirë se Zonat e Batonit. Magazinë që prek temat e ditës dhe është një nga alternativat më të mira për të nisur mbrëmjen gjatë sezonit të dimrit. Shpesh janë debate me dy mysafirë 1me1 dhe moderatorin që dalin të jenë shumë të frytshme. Më pëlqen, sidomos në sezonin e dimrit.

8.    Drejtësia në Kosovë (RTK)

Emisioni që është spin-off i JnK-së ka bërë shumë gjëra të shkëlqyeshme viteve të fundit sa është në transmetim. Kontributi i tyre në këtë shoqëri nuk ka munguar as sezonin e kaluar televiziv. Emisioni vazhdon të prek tema të duhura, është i realizuar për mrekulli dhe padyshim që meriton vend në mesin e emisioneve më të mira në televizionet tona. Më pëlqen mjaft shumë, por ngjashëm si JnK preferoj ta shikoj në ueb.

7.    Oxygen (KTV)

Kalimi i Oxygen në KTV, i ka dhënë më shumë hapësirë kohore Besim Dinës. Por, të premten në mbrëmje unë s’do ti kaloj gati tri orë me vetëm një program televiziv. Ndeshja e futbollit zgjat 105 minuta, dhe nëse ti e tejkalon kohën që ka një ndeshje futbolli për një program televiziv atëherë teprohet. Më pëlqejnë debatet, shumica janë interesante, por stili i komedisë nuk është për qejfin tim. Kuptohet kjo i pëlqen një shumice, dhe e respektojmë këtë. Por, pjesa për lojën shpërblyese do të mund të ishte e ndarë veçmas dhe të transmetohet një ditë tjetër.

6.    Jeta në Kosovë (RTK-RTV21)

Personalisht nuk kam mundur të shikoj asnjë debat parazgjedhor. Në fakt, nuk kam dashur. Por, e di që shumica kanë lavdëruar punën e Jeta Xharrës gjatë kësaj periudhe. Unë s’do të ishte e drejtë të vlerësoja diçka që nuk kam parë, por kam shikuar disa debate të JnK këtë sezon, shumicën në ueb. Jeta Xharra është ajo e vjetra dhe po bën një punë të shkëlqyeshme.

5.    Fehi’s Show (RTV21)

Komedieni më i mirë në televizionet tona për mendimin tim. Si një fans i ‘late-talk show’ amerikane, mund të them që nuk i afrohet askush më shumë se Fehi’s Show për kah cilësia. Është program qesharak, ka rubrika të mira, por sikur të kishte më shumë emisione do të ishte më mirë.

4.    Vikendi (RTK)

Dyshja e njërit ndër shout më të mirë të pasluftës – Meselation, Blerim Peci dhe Fehmi Ferati janë në Top 5. Edhe një herë Vikendi është para. Vazhdon të jetë emision argëtues, ka skena të mira, rubrika komike, por ka pasur kufizime të shumta në kohë këtë sezon. Realizohet për mrekulli dhe është ndër të paktë shou që ja vlen të shikohet. Shpresoj që përkushtimi mos të bie, pasi sezoni i parë mendoj që ka qenë më i mirë se ky i fundit.

3.    Te Linda (KTV)

KTV gjithnjë ka kontribuar në sjelljen e emisioneve të gatimit. Por, asnjëri nuk mund të kaloj ‘Te Linda’. Është emisioni më i mirë për gatimin që vjen në KTV, duke pasur parasysh edhe Nigellan e Jamien që kanë qenë transmetuar më parë. Te Linda ofron receta të thjeshta, të përshtatshme për ne në krahasim me ato që përmenda më lartë.

2.    Rubikon (KTV)

Adriatiku vazhdon të jetë lideri i debatave në emisionet tona. Si në debate si në intervista 1në1, falë përvojës që ka akumuluar tërë këto vite, Adriatiku ofron Rubikonin të përkryer si një emision debati. Nuk është lehtë të jesh kundrejt ti në debat e lëre më në intervista 1në1. Pyetjet e bëra janë gjithnjë sipas rendit të caktuar, të ndërlidhura me temën dhe me një kohështrirje që nuk të lë të kërkosh më shumë në fund.

Debatet nuk i sheh të eskalojnë nga tema dhe karakteri, nuk ka ngritje të zërash, nuk ka fytyra të ngrisura, e lëre më fjalë banale. Thjesht është lakmi dhe shembull për të tjerët.

Më pëlqen të shikoj kurdo që kam kohë të lirë dhe nuk kam asnjë dyshim që është më i mirë se të gjithë emisionet që përmenda më lart.

  1. Interkativ (KTV)

Pas Rubikon, Interaktiv është emisioni i dytë nga KTV që fiton titullin e ‘kampionit’. Sa për një sezon fantastik, sa për cilësinë e akumuluar në të gjithë këto vite të transmetimit. Dhe çdo vit më duhet të përmend urrejtjen që kam pasur ndaj këtij programi kur zëvendësoi komeditë gjysmë-orëshe që sillte KTV para gjumit gjatë viteve tona të adoleshencës.

Por, tani ajo mbetet vetëm një kujtim i mirë, dhe një kohë e papërdorur në maksimum nga KTV siç ndodhi tani me Interaktiv. Më mirë nuk ka ku të shkoj. Xhema me kolegë po bën punë të mrekullueshme. Intervistat janë të shkëlqyeshme, panelistët e rregullt të mahnitshëm, e krejt kjo e bën njërin nga emisionet më të mira të shfaqura ndonjëherë në televizionet tona.

Interaktiv këtë vit ngjitet më së larti në podiumin e programeve më të mira kosovare.

 

 

Top 20 Shqipëri

20.  Vizioni i pasdites (Vizion Plus)

Vizioni i pasdites ka mbetur i vetmi emision që ia vlen të shihet në këtë pjesë të ditës. Pasdite në Top Channel nuk më ka pëlqyer kurrë me Lamën, derisa edhe më dobët i realizuar është Takimi i Pasdites me Magjistarin. Sigurisht që nuk jam audienca kryesore për këto emisione, mirëpo nëse më duhet të zgjedh nga këto tria, atëherë zgjedh Vizioni i Pasdites.

19.  Kënga ime (Klan TV)

Shumë më mirë i realizuar se sa ‘The X-Factor’. Ndoshta ndihmon faktin që nuk kemi Alketën për të na shurdhuar me mbidozën e emocioneve që vijnë në shprehje në çdo moment që lëshohet mikrofoni i saj. Për nostalgjikët e Këngëve të shekullit, muzikës së mirëfilltë shqipe, është një emision që deri disi na mbulon atë mungesën që kemi për këtë lloj muzike.

18.  Amerikani i parë në lajme (Agon Channel)

Talent shou i realizuar në mënyrë shumë të mirë nga Agon Channel. Ka një juri të mirë, konkurrentë të denjë, dhe realizimi teknik është në nivelin e kënaqshëm. Juria është e mirëfilltë, profesionale, ngjashëm me moderatorët. Sezoni i parë i mirë për ‘Amerikani i parë në lajme’.

17.  Dita e shtatë (Agon Channel)

Kush do të shpenzonte një të diele të plotë për të shikuar vetëm një emision. Njëqind herë do të zgjidhja një ‘maratonë seriali’, apo transmetime sportive përpara ‘E diel’, ‘E diela shqiptare’ e ‘Dita e shtatë’. Mos harrova ndonjë?! Megjithatë, nëse ngjashëm si tek programet e pasdites, edhe këtu duhet të zgjedh njërën, atëherë padyshim që do të shkoj me ‘Dita e shtatë’. Sjell një atmosferë ndryshe, jo të çoroditur, të thjeshtë, dhe me përmbajtje më thelbësore.

16.  Agonland (Agon Channel)

Agonland është vetëm një emision shtesë në grumbullin e emisioneve të ngjashme që sjellin televizionet tona. Megjithatë arrin të jetë emision më ndryshe për botën e shoubizit. Gjëja kryesore që e bën special është koha që kalohet jashtë studiove të zakonshme, enterierit, duke u përqendruar më shumë në eksterier. Përmbajtja kurrë nuk mungon, e edhe stafi gjithnjë në krye të detyrës.

15.  Select (Top Channel)

Pak ndryshime kanë ndodhur në Select gjatë të gjithë këto sezoneve televizive. Megjithatë më pëlqen realizimi i emisionit. Vazhdon të jetë një realizim i mirë, interesant, dhe si gjithnjë shkëlqen si në realizimin teknik, ashtu edhe në përgatitjen e stafit. Gjithnjë i ndihmon dhe ndihmohet nga Top Fest duke bërë një korrelacion të shkëlqyeshëm ndërmjet tyre.

14.  Next (Vizion Plus)

Impresiv është zhvillimi i Next gjatë këtyre viteve të transmetimit. Është një realizim i shkëlqyeshëm dhe destinacioni kryesor për adoleshentët dhe interesat e tyre. Realizohet më mirë se emisionet konkurrente dhe gjithnjë sjell risi.

13.  Të parët (Agon Channel)

Emisioni i preferuar i mëngjesit. Është emision ‘për tokë’, i realizuar mirë, thjeshtë dhe shkëlqyeshëm. Na largon nga ‘bajatet’ që nuk ndryshojnë tashmë disa vite në emisione konkurrente. Moderatorët janë të mirë, realizim teknik po, sjellin tema interesante çdo mëngjes, dhe nuk teprohet.

12.  A Show (Agon Channel)

Aftësitë e Adi Krastës si autor emisionesh kurrë nuk kanë qenë në dyshim. Si gjithnjë ai vazhdon të jetë shembull i përkryer i një moderatori modern. Bisedat e tij me mysafirët, intervistat gjithnjë janë të shkëlqyeshme, të qeta, të kënaqshme për tu ndjekur. Pa marrë parasysh se kush është mysafiri, biseda gjithnjë është në nivelin e duhur.

11.  Zonë e ndaluar (Vizion Plus)

Është një formë e dokumentarit javor që kurrë nuk lë mungesë temash për të shtjelluar. Është një ndër programet më të mira në Vizion Plus, dhe me një orar tepër mirë të përcaktuar. Andi Bushati është më meritori që kemi një emision kaq mirë të përgatitur.

10.  Opinion (Klan TV)

Është dekada e dytë e Blendit në televizion. Sidoqoftë, gjithë ai numër i emisioneve gjatë një jave tepron dhe na bën bajate deri në një masë Opinionin. E kuptoj që i njëjti shikues nuk mund të shikoj të gjithë episodet në një javë, pasi thjeshtë të gjitha nuk janë tema që i interesojnë, por, rreziku është kur asnjë nga temat e javës, mysafirët, debatet nuk del të jetë interesante. Ekspozimi i tepërt mund të sjell edhe humbjen e shikueshmërisë. Nëse jo atë, atëherë humb interesimi.

9.    Exclusive (Top Channel)

Ish-kampioni këtë vit është në pozitën e tetë. Jo që ka rënie në cilësi, përkundrazi ka pasur disa nga emisionet më të mira në ekzistencën e tij, por kam vendosur të lë më lart emisionet më ‘argëtuese’. Exclusive kurrë nuk më dëshpëron. Temat, kohëzgjatja, termini, realizimi, gjithçka është e përkryer.

8.    Top Story (Top Channel)

Top Story është më lart se Opionin për herë të parë. Vazhdon të mban një nivel të lartë të realizimit. Mysafirët, temat, dhe më kryesorja, transmetimi një herë në javë e bëjnë Top Story, emisionin e debatit më të përzgjedhur. Sokol Balla ka bërë një punë të shkëlqyeshme tërë këto vite, duke mos manipuluar më shumë se që duhej me formatin, dhe si rrjedhojë kemi një ‘Top Story’ perfekt. Padyshim emisionin më i mirë i debatit në ekranet shqiptare.

7.    MasterChef Albania (Top Channel)

Si çdo herë, realizimi teknik i formateve ndërkombëtare që adaptohen nga Top Channel është i realizuar në nivelin më të lartë të mundshëm. Kjo nuk mungon as tek MasterChef Albania. Por, ka shumë gjëra që nuk shkojnë, dhe shpresoj të përmirësohen në sezonin e dytë. Së pari, sfidat për konkurrentët janë jo shumë të denja për kuzhinierë profesionist. Pastaj, juria provon të shtiret si e fortë, si një Gordon Ramsay, por, duket se kjo është vetëm sipërfaqësore. Gjithashtu çdo episod zgjat më shumë se që duhet, më shumë se versionet tjera ndërkombëtare.

6.    Portokalli (Top Channel)

Shumë gjëra kanë ndryshuar tek Portokalli gjithë këto sezone. Nuk është Portokallia e viteve të lavdit, por, megjithatë vazhdon të mbetet aty kah kreu. Akoma është në Top 10, pasi ka skeçe, elemente vërtetë interesante. E pastaj janë ajo pjesa e kotë, dëshpëruese, zhgënjyese, që i humb edhe emrin e mirë që ka fituar tërë këto sezone.

5.    Al Pazar (Vizion Plus)

Agron Llakaj po bën punë të mirë tek Al Pazar. Më pëlqen puna e tij. Gjithmonë më ka pëlqyer, dhe nuk ndjehem aspak i zhgënjyer as me episodet më pak interesante të Al Pazar. Mysafirë të mirë, skeçe të shkëlqyeshme, kast shumë mirë i përzgjedhur. Al Pazar është ndër emisionet më të mira të Vizion Plus.

4.    Ça Thu (Agon Channel)

Saimir Kodra dhe Gentian Zeneli kanë bërë një dyshe të shkëlqyeshme në TV. Ishte koha e fundit që të ndahet dyshja e Fiks Fare pasi gati vetëm kishte nisur të plakej prezenca e tyre në Fiks Fare. Saimiri dhe Gentiani kanë një harmoni të shkëlqyeshme në Ça Thu. Kjo i jep shije emisionit dhe e bën të kënaqshëm për të shikuar. Kanë përfituar më së shumti nga ‘mosha televizive’ e Fiks Fare, të cilën ka disa vite që nuk e përcjell pos për ‘mostër’ të kësaj liste.

3.    Apartamenti 2XL (Vizion Plus)

Një shkapërderdhje e formës ‘Portokalli’ ka goditur këtë sezon 2XL. Por, për dallim nga ‘Portokalli’ formati e bën 2XL më pak të lëndueshëm ndaj dezertimeve. Megjithatë mungesa e Ermalit e Gentianit është më se e qartë, por angazhimi me kohë i Albanos, e Cubit të cilët tani janë në mesin e ‘veteranëve’ me trungun e vetëm Julianin kanë bërë që ikja e tyre mos të lë edhe aq shumë hapësirë të pambuluar. Gjithashtu largimi jo i menjëhershëm i të dyve ka ‘ndihmuar’ programin.

Sidoqoftë, me apo pa ata dy, 2XL vazhdon të mbetet një ndër programet më të mira shqiptare.

2. The Voice (Top Channel)

Padyshim formati më së miri i adaptuar. Realizimi teknik, siç e përmenda më lartë, nga Top Channel është i mahnitshëm. Juria me Sidritin, Eltonin e edhe Almën është gjithnjë në nivelin më të mirë. Largimi i Miriamit ka lënduar formatin. Aurela nuk është ndër artistet më të preferuar nga unë, prandaj nuk mund të them se ka mbuluar hapësirën e lënë nga Miriam. Presioni për të zëvendësuar atë, para përvojës së saj ka qenë i dukshëm qartazi. Gjithashtu do të ishte edhe më mirë sikur të kemi edhe një moderator më pak ‘energjetik’, më të qetë. Por…

1.    6 Ditë pa Ermalin (T Plus)

Edhe pozita e kampionit i takon njeriut më komik në televizion, Ermal Mamaqit. ‘6 Ditë pa Ermalin’ është programi më i mirë në televizionet shqiptare sezonin e kaluar. Ka një format të përkryer, i realizuar për mrekulli. Ermali prek temat e javës me një pikëpamje të tij të veçantë, që është ndër mënyrat më komike që mund të bëj çfarëdo personalitet televiziv. Audienca në studio, mysafirët, realizimi teknik, janë për mrekulli. Çdo herë kur është larguar nga projektet aktuale kam pasur frikë se kurrë s’mund të jetë më i suksesshëm se që ishte në momentin. Është hera e dytë që demantohem. Nuk do të them që ky është kulmi për të. Por, për momentin është kulmi i programeve televizive në botën e televizionit në Shqipëri.

Mund të ju interesoj edhe...