The Theory of Everything (2014) – Recensim

theory of everything‘Teoria e gjithçkasë’ sjell nga pak nga gjithçka që ka të bëj me jetën e shkencëtarit, ndër më të njohurit të kohës sonë, Stephen Hawking. Filmi në regji të James Marsh që deri më tani është i njohur vetëm me dokumentarë – ‘Man on Wire’ më i njohuri pa dyshim, është në gërshetim i përkryer i jetës personale dhe profesionale të Hawking. Filmi nis në momentin e duhur, e ngjashëm përfundon në momentin e duhur, në mënyrën më të përkryer të mundshme.

Marsh sjell tregimin e përpunuar nga Anthony McCarten bazuar në librin e autobiografinë e Jane Hawking. Ngjashëm si Marsh, edhe McCarten është relativisht jo shumë me përvojë në zejen e skenaristit, por sikurse Marsh edhe ai bën një punë të shkëlqyeshme në portretizimin e ngjarjeve kryesore nga jeta e Hawking. Tregimi nis nga mosha rinore e Hawking, mosha që nuk njihet për publikun e gjerë, pasi sëmundja e kishte kapluar në moshë tepër të re dhe mbijetesa e tij deri në këtë ditë është një mrekulli në vete, ngjashëm si gjërat që i ka sjell shkencës vet Hawking. Skena e parë sjell Hawking duke vozitur biçikletën, për të vazhduar me vallëzim dhe aheng, që nuk duket të ngjasoj aspak në atë që presim si fillim.

Çereku i parë shërben si një hyrje në botën e Hawkingut, në botën që e njohim. Këtu nis filmi të bëhet më emocional, tashmë kur vetëm jemi të zhytur në temën e filmit dhe të lidhur si me tregimin ashtu edhe me karakteret. Ngjarja vazhdon të zhvillohet në paralele të njëtrajtshme duke trajtuar si jetën profesionale ashtu edhe atë private, bile kjo e fundit zë një hapësirë më të madhe gjatë tërë kohës. Ndërkohë jeta profesionale provohet të sillet me thjeshtësinë më të madhe të mundshme duke shpjeguar disa nga teoritë dhe punën që bën Hawking edhe në tryezën e darkës, me thikë, pirun e patate. Shumica e ngjarjeve nuk ngjasojnë në mënyrë të përkryer me realitetin, siç është edhe ndihma e mikut të familjes, Xhonathanit. Por, si gjithnjë për ata që kërkojnë fakte dhe ndoshta nënçmojnë shpjegimet e thjeshtuara, nuk është dokumentar, është film artistik. Dhe si i tillë ka një skenar dhe regji të përkryer.

E kur jemi të aktrimit, vetëm sa ngjitemi disa shkallë më lartë se sa puna e njerëzve pas kamerave. Eddie Redmayne bën një aktrim fenomenal përgjatë gjithë filmit. Përgatitja e tij për këtë rol ka qenë serioze dhe me një përkushtim që vërehet më së miri gjatë dy orëve. Ka një performancë të mahnitshme, një aktrim të pashoq që nuk do të mund të ishte më i përkryer se sa ky që ofron Redmayne. Hiq mbrapa nuk mbetet as Felicity Jones. Edhe ajo si Redmayne, bën aktrimin e karrierës së tyre që akoma është vetëm në fillin e saj. Ka një harmoni të mrekullueshme në skenë me Redmayne, dhe arrin të sjell karakterin e një gruaje të vendosur që përkundër të gjithave vazhdon të mbetet e përkushtuar ndaj detyrave dhe dashurisë së saj. Është një mishërim i përkryer me rolin nga të dy. Një rol më shumë dytësor se të tjerët ka Charlie Cox si Xhonathani, miku i familjes. Edhe ai bën punë të mirë, për atë pjesë sa i takon dhe shërben mirë si ‘elementi i tretë’ në shtjellimin e tregimit. Por, ngjashëm si pjesa tjetër e kastit mbetet në hije të Eddie Redmayne dhe Felicity Jones që bëjnë një punë të denjë për Oskar.

‘The Theory of Everything’ ka gjithçka që duhet të ketë një film i kompletuar. Skenari sjell një tregim të shkëlqyeshëm, emocional në pjesën më të madhe, një biografi të plotë të Hawking. Ndërkohë aktrimi është i nivelit më të lartë të mundshëm me Felicity Jones dhe Eddie Redmayne që janë thjesht të pameta. Nota personale 5/5.

Luan Morina
Kritik filmi

Mund të ju interesoj edhe...