The Wolverine – Recensim

The Wolverine (2012)Hugh Jackman as Wolverine

“Kam munguar për shumë kohë” – është një fjali e Lloganit në filmin e fundit për heroin Wolverine. Edhe sa ka të drejtë kur e thotë këtë. Që nga ‘Origins’, Wolverine ishte në ‘pushim’. Një skenë minimale, por jashtëzakonisht qesharake tek ‘First Class’ vetëm sa na ka rënduar më shumë pritjet për ‘The Wolverine’.

Më në fund e kemi në kinema, dhe të gjithë ne fansat e serisë ‘X-Men’ nuk kemi asnjë çikë arsye për tu zhgënjyer. Në fakt është njëri nga filmat më të mirë të kësaj franshize. Shumë më i mirë se ‘X-Men Origins: The Wolverine’. Derisa tek filmi i kaluar për Wolverine kemi më shumë mutant dhe një tregim për zanafillën e tij, tek ‘The Wolverine’ kemi vetëm një duel mutantësh. Shumica e kastit është krejtësisht fillestar, që nuk i kemi parë asnjëherë në filma. Tregimi është më ndryshe, nis me të kaluarën e Lloganit, për tu lidhur me të tashmen dhe të ardhmen e tij.

Skena fillestare është eksplozive – bomba atomike në Nagasaki. Këtu ai shpëton Jashidan, një ushtarak japonez që e thërret pas shumë viteve kur është në prag të vdekjes me një falënderim që del të jetë ofertë kinse për shpëtimin e Lloganit dhe të vet Jashidas. I biri i tij është i involvuar me mafian japoneze dhe kërkon të shfrytëzoj trashëgimin e njeriut më të pasur në Azi, trashëgimi që tre ditë pas vdekjes do ti kalonte mbesës së Jashidas, Marikos. Shengen, i biri i Jashidas është në gjah për të bijën, që ta martoj me mikun e tij nga qeveria, për të siguruar mënyrën e vetme drejt pasurisë së të atit. Llogani duhet të mbroj Marikon nga i ati i saj. Pak a shumë ky është tregimi duke evituar spoilerat.

Tregimi nuk është bajat – nuk është luftë mutantësh, është duel, por jo luftë, kemi vetëm dy mutantë. Mund të jetë pak parashikues – siç doli të ishte për mua, por nuk është film që ju lë rehat. Storia zhvillohet kryesisht njëtrajtësisht duke mos lënë hapësira për kontrollimin e telefonit siç ndodh në disa filma.

Realizimi i filmit është i shkëlqyeshëm. Kemi dialog dhe përleshje. Të dyjat janë nga rafti më i lartë i mundshëm i filmave për superheronj. Kemi një Wolverine të irrituar, që nuk kursen ofendimet në asnjë çast, e as kthetrat edhe pse është në ‘dietë’. Kemi karaktere të zellshme të arteve marciale – ngjarja zhvillohet në Japoni. Jo që jam një i çmendur pas rrahjeve apo dueleve me shpata e të ngjashme, por vërtetë këto tek ‘The Wolverine’ kanë shije.

Vet Wolverine nuk është më ai i vjetri. Tanimë është më lehtë të lëndohet. Fajtore për këtë del të jetë Viber – një mjeke kujdestare e Jashidas, që del të jetë një mutante me një pështymë të veçantë. Ajo arrin të lëndoj imunitetin e Wolverines. Në të njëjtën kohë, Yukio, asistentja e Yashidas, dhe kujdestarja e Wolverine është një gjysmë-mutante ta quaj – ka aftësi të parasheh të ardhmen, dhe një nga veprat e saj të fundit është parashikimi i vdekjes së Lloganit, sa për ta bërë filmin më interesant.

Është një punë shumë e mirë e regjisë. Kemi kënde të shkëlqyeshme kamere, disa skena tepër impresionuese – bomba atomike, përleshja në tren, fshati, kulla, e nuk mungon as ajo ‘ura-statujë’ legjendare që mbijetoi bombardime dhe tërmete– nevojitet shpjegim më i zgjeruar, por, është i pamundur pa spoilera. Në fund e shihni për cilat skena e kam fjalën. Bie shumë shi, sikur të ishte ngjarja në Britani të Madhe, për të kulmuar me borë – të dyja për qejfin tim. Fotografia është e shkëlqyeshme. Efektet 3D e bëjnë filmin më të mirë.

Kemi një antagoniste të mrekullueshme. Gjatë gjithë kohës më është përzier me Natalie Dormer – Marxhorinë tek ‘Game of Thrones’. Çfarë dyshe do të bënin me Xhofrin, sikur të ishte ajo. Në fund doli të jetë Svetlana Khodchenkova – aktore e njohur kryesisht për filmat rus. Edhe dy aktoret tjera në rolet kryesore vijnë me aspak përvojë. Për Tao Okamoton është filmi i parë, derisa Rila Fukushima ka filmin e dytë. Pak më shumë përvojë – e mbaj në mend nga sezoni i parë i ‘Revenge’ – është Hiroyuki Tanada. I tëri kasti ndihmës bën punë të shkëlqyeshme, sidomos duke pasur parasysh përvojën e tyre minimale. Kemi edhe Famke Janssen që vjen si Xhejn në rolin e memorieve për Lloganin. Ka qenë njëra nga pjesët e filmit që më ka pëlqyer më pak, por, e kuptoj nevojën për të pasur atë në film.

Përleshje normale -1në1; përleshje jo-normale 100në1; dialog interesant, shpesh qesharak; fotografi të mbresëlënëse; kast i ri impresionues; tregim interesant; kohëzgjatje tamam; Wolverine – janë çfarë e bëjnë këtë film fantastik. Fansa e ‘X-Men’ kanë pritur moti kohë për diçka të këtillë. Shumicën do ti kënaq. Por, jo vetëm fansat e kësaj franshize, por, edhe ata të tjerët që dëshirojnë t’ia bëjnë sefte, lirisht le t’ia nisin me ‘The Wolverine’. i përkryer…. +++

Luan Morina
Kritik për TV&Film

Mund të ju interesoj edhe...