The Revenant (2015) – Recensim

Leonardo DiCaprio ka djalë. I tregon në vesh për jetën. I tregon në stilin e filmave të Terrence Malickut. Tom Hardy është duke u pshurrur. Nevrikoset vetvetiu. Kërkon të lëvizin të tjerët. Domnhall Gleeson është lideri, përkundër se për kah pamja duket të jetë shumë më inferior se këta dy të parët. Bisedojnë kah të lëvizin. Nga askund bie një shigjetë. Në panikë, njëri nga anëtarët e ekuipazhit ikën. Jashtë pyllit. Gleeson nuk arrin ta ndal. Shpohet menjëherë sa del në fushë të hapur. Vazhdojnë shigjetat me një ritëm më të shtuar. Dëgjohen hungërimat e kuajve. Ulërimat e indianëve – amerikanëve vendas. Kaos! Kolonët e bardhë provojnë të shpëtojnë çfarë munden. Kë munden. Ikin kah lumi. Arrijnë në këtë acar të ngjiten në varkë. Të shpëtojnë. Për momentin. Qetësohet situata.

Mjaftojnë këta 12 minuta të rinjoftohemi me zellin e Alejandro inarritus në profesionin e regjisorit. Ndjekja e kamerës nga afër të karaktereve është diçka që ka bërë edhe më herët. Diçka në të cilët ka qenë madhështor. Por, edhe më e superiore ka qenë tranzicioni i skenave tek ‘Birdman’. Edhe njëherë ky superioritet në zejen e regjisë shfaqet tek ‘The Revenant’. Në këta 12 minutat e parë, Inarritu ndjek disa karaktere pa lënë anash aspak zhvillimin e ngjarjes. Kjo periudhë shërben si një intro e përkryer me karakteret kryesore dhe ngjarjen që do të zhvillohet. Ngjarje që merr 150 minuta për tu shtjelluar. Kohë e cila duket tepër e gjatë për të vazhduar me një ritëm të këtyre 12 minutave të parë. Ama, nuk është aspak e gjatë apo e kotë.

Në filmat e ‘Buggs Bunnyt’ dhe atij gjuetarit kam mësuar se arusha largohet nëse shtiresh si i vdekur, në rast se ndeshesh me të në pyll. E di që në vitet 1820 nuk ka pasur filma të vizatuar që karakteri i DiCaprios të mësonte këtë gjë nga shumë mësime televizori. Dikur e provon edhe këtë, ama nuk mund të heq qafe arushën e cila e lë për të vdekur. Nuk është hera e parë e as e fundit që i ikë vdekjes. Përshkrimi i filmit thotë se karakteri i tij niset në rrugëtim hakmarrjeje ndaj atyre të cilët e lanë për të vdekur. Nuk është një rrugëtim i stilit të Tarantinos ku mbyt dhjetëra e qindra veta për të arritur tek Billi. Është një rrugëtim i mundimshëm, i gjatë, sureal, por i kënaqshëm për neve si shikues. Pos regjisë, fotografisë, kemi edhe skenarin të përpunuar për merak.

DiCaprion e kemi parë të zhagitet shpesh herë. Herën e fundit ishte nominuar për Oskar. Kësaj radhe mund ta fitoj. Duhet ta fitoj ndoshta. Ka një aktrim që lyp goxha aftësi fizike aktrimi, shumë më tepër se aty ku shkëlqen – karizëm. Tom Hardy më pëlqen me aksentin e tij amerikan, përkundër origjinës. Nuk është hera e parë që transformohet në një amerikan të fundit të shekullit XIX. Ka një rol dytësor që dominon në skenat ku shfaqet, përkundër mbetjes në hije për një pjesë të konsiderueshme të filmit. e në Domnhall Gleeson gjejmë një yll të së ardhmes të afërt. Paramendojeni çfarë viti ka pasur – Ex Machina, Brooklyn, The Revenant. Me pak mend do të mund të presim nominim për Oskar së paku gjatë pesë viteve të ardhshme.

‘The Revenant’ mbetet një film ndryshe. Një film në stilin e Inarritus që të mrekullon me regjinë. Fotografia e skenari nuk mbeten aspak mbrapa. Aktrimi vetëm sa perfeksion këtë film që për mua është ndër më të mirët e vitit. Nota personale: 5/5

Mund të ju interesoj edhe...