The Internship (2013) – Recensim

the-internship

Komedi që përfshin shumëçka në vete – do ta quaja filmin ‘The Internship’. Emra të njohur në botën e komedisë, shtesa të reja të mira në kast, rom-com në stilin e Owen Wilson, të gjithë aksentët e anglishtes, kuidiçin, burrin e çuditshëm me mjekër, aheng të çmendur, striptiz, një pamje nga brenda ‘parajsës’ së Google, dhe Will Ferrell.

Filmi nis me një tempo argëtimi të dy karaktereve kryesore, Billit (Vince Vaughn) dhe Nikut (Owen Wilson).  Një minutë më vonë ata e gjejnë vetën në ‘fund të pusit’. Biznesi i tyre dështon për faj të teknologjisë, dhe tani ata duhet të gjejnë një zanat të ri që nuk është e lehtë për burrat në të 40tat e 50tat e tyre. Kjo pjesë është pak e kotë, nuk të çon mallin e komedisë. Krejt kjo vazhdon për disa minuta derisa të shfaqet Will Ferrell. Ai ndez komedinë duke i shkrepur të qeshurat e para të sinqerta me aktrimin e një karakteri tepër kompleks. Për ata pak minuta ai tregon aftësitë e tija duke portretizuar njërin nga karakteret më të ‘çmendura’ në film. Është dhëndri i Nikut, dhe ndër të tjera ka edhe tatuazh në qafë, dhe atë me çfarë mesazhi!

Qesharake është edhe skena e intervistimit për stazhier në Google. Billi dhe Niku gjenden në një bibliotekë publike, në karrige parashkollarësh, si amatorë total teknologjie. Të ndalem pak tek kjo tema e moshave dhe teknologjisë. Vet filmi portretizon këtë dallim me Vaughn dhe Wilson në njërën anë dhe një grup të rinjsh me njohuri ekstreme për teknologjinë. Kjo nuk kontribuon shumë në të qeshura, por, ka edhe përjashtime si kur flasin për gjuhën programuese C++ dhe ‘konkurrentin e Instagram’. Ka harmoni të mirë ndërmjet dyshes Vaughn-Wilson dhe pjesës tjetër të grupit. Disa prej tyre bëjnë hapin e parë në ekran të madh, derisa të tjerët janë shfaqur në role të ndryshme, kryesisht për filma për të rinjtë. Nuk dëshpërojnë asnjë nga kasti. Veçanërisht më pëlqeu roli i Grahamit (Max Minghella), antagonistit kryesor në film. Më kujtonte deri në një shkallë karakterin e Moriartit tek seriali i BBC-së, Sherlock. Aasif Mandvi (korrespodent tek Daily Show with Jon Stewart) ka një rol interesant në film, derisa Rose Byrne portretizon një të dhënë pas biznesi. Në fakt Byrne dhe Wilson përkujdesen për atë pjesën romantike të filmit. Për mendimin tim Wilson është i prirë për këtë zhanër të komedisë, derisa harmonia me Byrne ndihmon filmin për tu shmangur nga kotësia e vetëm një teme. Edhe pse në rol dytësor dhe më pak hapësirë, Rose Byrne më pëlqeu më shumë se sa në filmin e saj të parafundit ‘I Give It A Year’. E kemi edhe John Goodman që së fundmi është parë në role dytësore në Flight dhe Argo.

Potterhead-at si unë do të kënaqen edhe me skenën e kuidiçit, derisa edhe më e ‘trentë’ është skena e mbrëmjes në qytet. Kemi një dalje nga zona e komfortit për të rinjtë, një botë e re e udhëzuar nga Billi dhe Nik. Këtu kemi funksionimin e parë si grup të dyshes dhe të rinjve, derisa karakteret e reja të këtyre të fundit sjellin edhe stile të Bruce Lee-t. Skenë qesharake, por që është përshkruar tashmë në trailer, dhe i ka humbur ‘sekreti’ është takimi me Profesor Xavier.

Është një komedi, kryesisht e drejtuar për demografinë e re. Do të jetë qesharake për fansat e Vaughn dhe Wilson, si dhe për ata që shohin për herë të parë këtë dyshe dhe lidhen me temën më shumë se sa me ata dy. Dikush e vlerëson si reklamë të gjatë të Google, por, nëse një njeriu që shpesh përdor Bing, i duket komedi shumë e mirë, atëherë harrojeni ‘reklamën filmike’. Komedi fooort e mirë. Nota personale +++.

Luan Morina
Kritik filmi

 

Mund të ju interesoj edhe...