The Heat (2013) – Recensim

the_heat_1Sandra Bullock dhe Melissa McCarthy duket të jetë kombinim i këndshëm në shikim të parë. Edhe është kombinim i tillë në filmin ‘The Heat’. Filmi shfaq një lidhje ndërmjet një agjenteje të FBI-së – Sandra Bullock, dhe një detektiveje lokale – Melissa McCarthy. Ato janë të detyruara të bashkohen në punën e tyre për interesa që kalojnë urrejtjen fillestare që kanë ndërmjet vete.

Është një film i zhanrit ‘polic i mirë, polic i keq’, diçka e parë më herët, por jo me dy karaktere si ai i Sarah Ashburn (Bullock) dhe Shenon Mallins (McCarthy). Karakteri i Sarah sjell një agjente të butë, të sjellshme, derisa Shenon është një detektive gojë-pistë, arrogante dhe ofenduese ndaj të gjithëve. Derisa e para admirohet nga të gjithë, e dyta urrehet nga vet familja e saj – ka futur të vëllain në burg (po, aq shumë respekton ligjin).

Në fakt është McCarthy që i jep shijen e komedisë këtij filmi. Ka një dialog që jemi mësuar ta shohim nga ajo në rolet e saja të kaluara. Gjithçka që ka të bëj me të në këtë film është komike, sidomos derisa është vetëm në aksion. Nuk më ka dëshpëruar asnjë çikë performanca e saj në këtë film. Ka ofruar atë që pritej nga fansat e saj, përfshirë mua.

Megjithatë nuk do të isha shumë i sigurt në harmoninë me Sandra Bullock. Vet karakteret e tyre janë veri-jug ndërmjet vete, dhe kanë dy-tri skena interesante, komike. Megjithatë pjesa tjetër nuk është nga komedia më e mirë e parë ndonjëherë. Ka elemente të mira, ka gjëra qesharake, por, nuk është gjithçka e shkëlqyeshme. Thjesht nuk përshtaten, ndoshta edhe vet tema e filmit dhe ajo ‘polic i mirë, polic i keq’ e bën të veten, por, nuk është komedia më e mirë që keni parë këtë vit.

Ka një mangësi që do të theksoja. Filmi duket sikur i jep shumë zor që të jetë +18. Kemi skena vulgare me gjak që absolutisht nuk e kanë pasur vendin në këtë film. Komedia që ofrojnë këto skena, së paku dy më kujtohen dhe nuk do ti përmend për shkak të ‘spoilera-ve’, është inekzistente. Po të mos ishin këto skena ndoshta do ta vlerësoja si një komedi goxha të mirë, por, këto vetëm sa shkatërrojnë ato pak të qeshura duke të shtyrë kah ‘ç’dreqin ishte kjo’.

Në përgjithësi ‘The Heat’ është komedi e mirë. Melissa McCarthy është e shkëlqyeshme. Sandra Bullock ka harmoni deri diku të mirë me të. Janë disa skena mjaft qesharake, sidomos kah pjesa e parë e filmit, para se të shfaqet një periudhë e ‘lehtë’. Komedi e këndshme, që nuk do të dëshpëroj fansat e Melissa McCarthyt. Aspak. Nota personale +-.

Luan Morina
Kritik për TV&Film

Mund të ju interesoj edhe...