The Dark Knight Rises – Recensim

Dark knight rises

The Dark Knight Rises

IMDB Rejtingu: 8.7

Premiera e shfaqjes: 20 korrik 2012

Kohëzgjatja: 164 minuta

Rejtingu: +13 për shkak të sekuencave të dhunës, pak sensualitet dhe gjuhë

Zhanri: Aksion, Aventurë, Dramë, Triler, Krim

Regjia: Christopher Nolan

Skenari: Bob Kane (karakteri i Betmenit), Christopher Nolan, David S. Goyer, Jonathan Nolan

Aktrojnë: Anne Hathaway, Christian Bale, Gary Oldman, Joseph Gordon-Levitt, Marion Cotillard, Michael Caine, Morgan Freeman, Tom Hardy, Liam Neeson,

Shtëpia filmike: Warner Bros Pictures

 

Kanë kaluar tetë vite që kur Betmeni është zhdukur në natë, duke u kthyer nga një hero në një të arratisur. Duke pretenduar në fajësimin për vdekjen e detektivit Harvi Dent, Kalorësi i Errët sakrifikon gjithçka për çfarë ai dhe komisioneri Gordon kanë shpresuar ishte për të mirën e përgjithshme. Gënjeshtra ka funksionuar për një kohë, derisa aktivitetet kriminale në Gotham City ishin shkatërruar nën aktin e ri kundër kriminal. Por, gjithçka do të ndryshoj kur t vijë një vjedhëse mace me një agjendë misterioze. Edhe më e rrezikshme është paraqitja e Bejn, një terrorist i maskuar planet e pashpirta të të cilit për Gothamin, kthejnë Brusin nga ekzili i tij. Por, edhe kur përpiqet me të gjitha forcat e tij përsëri, Betmeni nuk është i aftë për të përballuar i vetëm Bejnin

Do të jetë e vështirë të gjej fjalë negative për filmat në të cilët karakteri kryesor është Betmeni. Jam nga ata dhjetëra veta që mendojnë se edhe Batman&Robin i vitit 1997 me Chris O’Donnell, George Clooney, Uma Thurman, Arnold Schwarzenneger e Alicia Silverstone ja vlen të shihet për herë të dytë, kur disa nuk kanë nerva as të përfundojnë të për herë të parë.

Christopher Nolan është një gjeni. Tim Burton kishte bërë punë tepër të mirë në franshizën e të ‘90tave, por Nolan ka bërë Betmenin diçka krejt tjetër.

Shumë veta e kujtojnë The Dark Knight për performancën e Heath Ledger, ngjashëm si do ta kujtojnë The Dark Knight Rises për performancën e Tom Hardy (aktrim fenomenal), por Batman Begins nuk mbetet aspak mbrapa, dhe e kam jashtëzakonisht të vështirë për të kategorizuar dhe renditur këta tre filma.

Filmat e Spider-Man të Sam Raimi kanë qenë jashtëzakonisht të suksesshëm nëpër kinema në kohën e tyre, ngjashëm si kjo trilogjia e re në lindje. Hiq më keq nuk kanë mbetur as The Avengers, Thor, Iron Man, e Captain America, por asnjë nuk krahasohet me trilogjinë për Batmanin. I fus në një thes pasi të gjithë janë filma për superheronjë librash komikë apo siç i quanim më parë stripa! Derisa të gjithë janë filma të suksesshëm kinemaje, kanë qindra miliona dollarë në llogaritë e tyre duke përmbushur kriteret për titullin ‘blockbuster’, ofrojnë argëtim maksimal për demografinë e tyre dhe shumë CGI aksion, asnjë nuk arrin nivelin e artit kinematografik të përsosur nga ana e Christopher Nolanit.

Ai edhe një herë dëshmoi që mund të realizosh edhe filma të përsosur artistik – Memento, The Prestige, Inception; e më pas të vazhdosh me filma që anojnë më shumë kah zhanri i ‘blockbusterëve’ dhe aksionit. Si skenari, ashtu edhe regjia janë realizuar kryesisht nga Christopher Nolan edhe tek The Dark Knight Rises dhe padyshim janë më të mirat në këtë trilogji. Vet tregimi që ka pasur nevojë për afër 3 orë për tu shfaqur në kinema të magjeps duke të mbajtur të ngujuar para ekranit pa lënë shumë mundësi për të larguar sytë nga ngjarja. Diçka aq e gjerë, e ndërlidhur aq ngushtë, me emra aq të mëdhenj, të përsosur për rolet e tyre, si ky film mund të përshkruhet vetëm me një mbiemër – e përkryer. Tregimi shpërndahet në mënyrë të përkryer, pa u bërë bajat dhe duke ofruar të gjitha informatat që nevojiten për shikuesin. Ngjashëm ndodh edhe më kapjen e këndeve dhe lidhjen e skenave e ngjarjeve. Janë disa pamje mahnitëse, ku zëri ulet derisa tensioni që ofrojnë pamjet arrin maksimumin.

S’dyshoj që rol të madh në këtë luan edhe teknika që përdor Nolan i cili akoma nuk i është dorëzuar në total teknologjisë dhe vazhdon ti bëj punët me të vjetrën, që po rezulton të jetë akoma mënyrë mjaft e suksesshme.

E kur jemi tek kasti është vështirë të gjejmë probleme dhe kritika negative për ta. Të nisim nga më të vjetrit dhe legjendat e kinematografisë, Morgan Freeman dhe Michael Caine. Sado minore dhe me minutazh tepër të kufizuar të jenë karakteret e tyre në film ata arrijnë të japin më të mirën edhe tek ky vazhdim. Karakteri i Alfredit ka disa skena prekëse dhe është me pak më shumë hapësirë se filmat e kaluar, gjë që veç vë në pah mjeshtërinë e Caine.

Christian Bale është njëri nga aktorët më të mirë aktualisht në botën kinematografike. Megjithatë rolet më të mira të tij janë ato jashtë karakterit të Batmanit. Ndoshta ka mbetur në hije për shkak të kasteve impresionuese gjatë tërë trilogjisë, ose pse ndoshta karakteri i Batmanit është më i ngurtë se ai i Bruce Wayne. Me gjendjen shëndetësore të Wayne dhe ‘aventurën’ e tij jashtë kostumit, karakteri i Bruce fiton më shumë hapësirë se Batmani, por megjithatë kjo mbetet në hije me zhvillimin e filmit. I jashtëzakonshëm si gjithnjë ishte edhe Gary Oldman. Roli i tij gjithnjë ka qenë i ndërlidhur me karakteret kryesore të filmit, e edhe në The Dark Knight Rises ai mbetet në të njëjtën trajtë dhe ekspozim.

Tani le të kalojmë tek risitë në kast… Çfarë të them secili më i mirë se tjetri. Marion Cotillard vjen në rolin e Mirandas, një ndihmëse e Wayne në kohët më të vështira e cila pas saj ka një fshehtësi rrëqethëse. Për atë hapësirë që ka pasur, Cotillard nuk ka kursyer aspak talentin e saj. Joseph Gordon-Levitt është njëri ndër aktorët më aktiv në Hollywood. Nuk ka zhanër që nuk ka luajtur 2-3 vitet e fundit, dhe ngjashëm nuk ka film që nuk ka shkëlqyer. Do të shohim shumë më tepër nga ai, e pse jo edhe si pjesë e një trilogjie tjetër për Kalorësin e errët pas disa viteve. Tom Hardy e perfeksionon rolin e Bane. I njohur për filmat aksion dhe me përleshje, Hardy shfaq një mjeshtëri sipërore në këtë film. Performanca e tij, ndoshta pak edhe nga zëri i tij që lëshon, ka qenë e mrekullueshme. Dhe për fund të kaloj tek Anne Hathaway. Padyshim Catwoman më e përsosur që kam parë ndonjëherë. Shkëlqen gjatë tërë filmit, duke arritur të përshtat aktrimin e saj me karakterin i cili ndryshon formë dhe qejf shumë herë brenda filmit, diçka tipike për gruan-mace. Ka qenë zgjedhja e përsosur për të mbyllur ciklin e tri aktoreve që arrijnë të shkëlqejnë përkrah kastit në këtë trilogji, pas peformancës solide të Katie Holmes dhe shkëlqimit të Maggie Gyllenhaal. Një mëritë për suksesin e filmit i takon edhe kastingut tepër të mençur të këtij filmi dhe trilogjisë në përgjithësi.

Fansat e superheronjëve s’do ta huqin, e ndoshta edhe e kanë shikuar shumica. Për mendimin tim, filmi më i mirë i vitit 2012, ose së paku filmi më i mirë i 10 muajve të parë, para shfaqjes së filmave konkurrentë për Oskar që më shumë ofrojnë art se aksion. Pa dyshim më i miri që gërsheton këto dyja në një film.

Sa kënaqësi që do të keni nga ky film, s’do të mungoj një pjesë pikëllimi për faktin që, së paku si qëndrojnë punët për momentin, s’do të shohim më filma të këtillë nën drejtimin e Christopher Nolanit.

Luan Morina

Kritik për TV&Film

Mund të ju interesoj edhe...

One thought on “The Dark Knight Rises – Recensim

Comments are closed.