The Danish Girl (2015) – Recensim

Viti 2015 ka qenë vit i Alicia Vikander. Aktorja suedeze nisur nga ‘Testament of Youth’, për të vazhduar me ‘Ex-Machina’, ‘The Man from U.N.C.L.E.’ ‘Burnt’ e deri tek ‘The Danish Girl’ ka pasur një periudhë kohore ku ka shkëlqyer me aktrimin e saj që dëshmon për një talent premtues. Paraqitja e saj tek ‘The Danish Girl’ përmbyll këtë cikël me një finale që do të duhej me plot mëritë të kurorëzohej me Oskar.

Ndryshe nga Vikander, Eddie Redmayne ka arritur majat me ‘Les Miserables’ dhe ‘The Theory of Everything’. Në të dy filmat ka qenë i mahnitshëm pa harruar edhe filmat e mëparshëm nga ‘My Week with Marilyn’ e tek historikët britanik. Këtu, tek ‘The Danish Girl’ kthehet në shina pas tmerrit në ‘Jupiter Ascending’.

Aktrimi është i mrekullueshëm, nga ana e të dyve. Edhe Vikander edhe Redmayne kanë një harmoni të përkryer para kamerave duke portretizuar çiftin të cilin janë ftuar ta portretizojnë. Ata sjellin tregimin fiktiv inspiruar nga jetët e dy artistëve danez, Lili Elbe dhe Gerda Wagener. Martesa dhe vepra e tyre evoluon derisa Lili nis rrugëtimin si një pioniere trans-seksuale. Nuk janë karaktere të zakonshme dhe për pasqyrimin e tyre në ekran të madh nevojitet diçka mbi të zakonshmen. Këtë me plot zell e sjellin edhe Alicia Vikander edhe Eddie Redmayne.

Por, Tom Hooper di të bëj gjëra edhe më të mira. Fatmirësisht karrierën e tij si regjisor në ekran të madh e kam ndjekur në tërësi. Aftësitë e tij prej regjisori, kapja e skenave, e karaktereve sipas stilit të tij të formësuar nuk mungon as tek ‘The Danish Girl’. Megjithatë ‘The Danish Girl’ nuk arrin të tejkaloj ‘Les Miserables’, ‘The King’s Speech’ e as ‘The Damned United’. Është film mirë i realizuar, por Hooper di të bëj edhe më mirë. Ndoshta mund të fajësojmë pak edhe temën e skenarin deri diku, ama megjithatë, mbetet një nivel më poshtë mesatares së Hooper.

Pra ‘The Danish Girl’ mbetet një film i dominuar nga aktrimi fenomenal i Alicia Vikander dhe Eddie Redmayne. Ka goxha art, në kuptimin e plotë të fjalës. Nota personale: 4/5

Luan Morina
Kritik për TV&Film

Mund të ju interesoj edhe...