The Big Short (2015) – Recensim

‘Get Hard’, ‘Step Brothers’, ‘The Other Guys’, ‘Anchroman’-at, ‘Talladega Night’, apo më thjeshtë gjithçka ku ka shkëlqyer Will Ferrell janë prodhim i Adam McKay. Skenarin apo regjinë, apo edhe të dyja kanë pasur emrin e McKay në krye. Nëse i keni parë, së paku njërin nga këta filma atëherë e dini që të gjitha janë komedi. Dhe që një regjisor nga tituj të tillë të dal e të bëj njërin nga filmat më të mirë të vitit, dhe mbi të gjitha që nuk ka lidhje me komedi, është përtej befasisë.

‘The Big Short’ sjell njërin nga tregimet më të dykuptimta të këtij viti në kinematografi. Në fakt tregimi është i thjeshtë – katër njerëz të lidhur me botën e lartë financiare parashohin kolapsin e tregut të patundshmërive dhe kredive në mesin e 2000tave, dhe vendosin të përfitojnë nga bankat e mëdha dhe injoranca e tyre ndaj kësaj gjendjeje. Por, këtu lind ajo dykuptimshmëria. Kjo për faktin se bankat megjithatë ia dalin të mbijetojnë e të mos prekën në fund – nuk është spoiler sepse është një gjë e ditur nga të gjithë, derisa qytetarët e thjeshtë pësojnë më së keqi duke vënë në pikëpyetje edhe burimin e fitimit të këtyre katër personave.

McKay në botën e dramës dhe filmave të denjë për Oskar e sjell Steve Carrell i cili me Foxcatcher ka bërë një transformim zhanri për mësysh. Edhe këtu, tek ‘The Big Short’ Carrell nuk dëshpëron aspak, ama megjithatë akoma personalisht nuk jam i adaptuar ta shoh në role serioze. Ryan Gosling, Brad Pitt, e Christian Bale përbëjnë një ansambël të shkëlqyeshëm, të gjithë me tregime të veta, pak e hiq të kryqëzuara, tregime në të cilat aktrojnë me mjeshtri. Aktrimi përcillet me performancën jo vetëm të McKay në skenar, por edhe në regji. filmi është realizuar në përgjithësi për merak, dhe meriton të jetë në mesin e filmave më të mirë të vitit 2015.

Një vrojtim në botën e epërme të financave, një botë e dhunshme, mizore, e pashpirt për klasën punëtore, që përshkruhet më së miri nga përmbledhja në fund të filmit në zërin e Ryan Goslingut. ‘The Big Short’ është një film që arrin goxha mirë të portretizoj atë se çfarë ka ndodhur në krizën financiare, dhe kush ishin fituesit e humbësit. Nota personale: 5/5

Luan Morina
Kritik për TV&Film

Mund të ju interesoj edhe...