The Babymakers (2012) – Recensim

The Babymakers

IMDB Rejtingu: 4.6

Premiera e shfaqjes: 3 gusht 2012

Kohëzgjatja: 95 minuta

Rejtingu: +18 për shkak të përmbajtjeve për të rritur, gjuhës dhe narkotikëve

Zhanri: Aventurë, Komedi

Regjia: Jay Chandrasekhar

Skenari: Gerry Swallow, Peter Gaulke

Aktrojnë: Paul Schneider, Olivia Munn, Kevin Heffernan, Wood Harris

Shtëpia filmike: Millennium Entertainment

 

Një ndër komeditë më të përfolura të verës. Vet titulli të përgatit për një komedi për të rritur, derisa kasti nuk duket të jetë aspak i njohur për fansat solid të filmave.

Në fakt pos përshkrimit të temës, titullit, edhe kasti kishte pak ndikim në përzgjedhjen për të parë këtë film. Por, më duhet të pranoj që ndoshta kisha vendosur një standard të lartë, prisja më shumë se që nevojitej nga ky film, e që si rrjedhojë më dëshpëroi në fund.

Përgatitja e filmit është realizuar në një mënyrë të thjeshtë, të lehtë, që të bën të mendosh se ekipi realizues ka qenë i kotur dhe kanë bërë një punë shkel e shko sa për të marrë ndoshta një rrogë të tyre. Përgatitja teknike nuk është ndonjë art i veçantë i përdorur në këtë film, edhe një arsye më shumë për një recensim negativ.

Ngjashëm edhe kasti nuk duket të jetë aq i mërzitur me cilësinë e filmit, edhe pse shumica prej tyre janë përshtatur me përgatitjen teknike, pasi nuk janë ndër emrat më të njohur në industrinë kinematografike.

Edhe tema është goxha e thjeshtë. Një çift martesor mendon që kanë arritur kohën për të pasur fëmijë. Megjithatë tek burri paraqiten probleme të cilat nuk i japin shumë shpresa për tu bërë baba. Por, ekziston një shpresë e fundit. Në vitet e para të martesës derisa shtirej se ishte pjesë e një skuadre softbolli (bejsboll për femra dhe amator) ai kishte deponuar sasi të caktuara në një bankë sperme, duke fituar një shumë të caktuar, me të cilën i kishte blerë një unazë të çmuar gruas. Tani, është koha të thyhet ajo bankë ashtu që burri të bëhet baba.

Filmi konsiston të jetë komedi, dhe në fakt ka disa skena mjaft komike që të bëjnë të qeshni herë-herë, por kryesisht do të keni nënqeshje të lodhura. Pra, nuk është që mungon komedia, por mungon cilësia e saj. Është një film që nuk kërkon ‘filozofi’ për të kuptuar dhe qeshur e për rrjedhojë mund të ju duket interesant, sidomos nëse jeni ndonjë adoleshent i prirë për të shikuar humor për të rritur, e në fakt ky lloj humori është aq i pështirë sa as të rriturit s’do të qeshnin me të.

Schneider nuk ka ndonjë përvojë apo prirje për të aktruar. Në anën tjetër Munn më ka pëlqyer jashtëzakonisht tek ‘The  Newsroom’, por nuk shfaq ndonjë aftësi të shkëlqyeshme artistike në këtë film.

Në përgjithësi është një film që tenton të jetë një komedi për të rritur, por në fakt ka më shumë skena për të rritur që nuk të bëjnë të qeshni në zë, ngjashëm si shumica e skenave tjera të filmit. Mendoj që kam humbur rreth 90 minuta nga ky film, megjithatë juve mund të ju pëlqej.

Luan Morina

Kritik për T&Film

Mund të ju interesoj edhe...