The Angriest Man in Brooklyn (2014) – Recensim

Robin Williams stammering - The Angriest Man in BrooklynKa shumë gjëra që nuk funksionojnë në filmin ‘The Angriest Man in Brooklyn’. E vetmja gjë që vlen të përmendet është kasti dhe emrat në të. Por, me të nisur filmi gjithçka shkon huq. Aktrimi nuk është i keq, por është skenari që dështon në mënyrë katastrofale.

Një burrë është nisur për kontrollin e rregullt në spital. Gjatë rrugës ai ka aksident me një taksist. Kjo ndodh menjëherë pas pritjes së gjatë në semaforë, që është edhe një nga shumë gjërat që zemërojnë këtë njeri. Në spital ai merr diagnozën e gabuar që ka 90 minuta jetë, dhe gjatë kësaj kohe ai do të provoj të ndreq punët me familjen e tij të ngushtë.

Njeriu më i zemëruar në Brooklyn është Robin Williams, i njohur ndryshe edhe Mbreti i Komedisë. Por, ky film është larg, me vite-drite larg filmave më të mirë të tij. Robin Williams e bën të veten. Aktrimi është në nivel, edhe nga ai, edhe nga pjesa tjetër e kastit. Kanë një harmoni të mirë në skenë me Mila Kunisin. Është disi më ndryshe të shohësh Kunisin në rolin e një mjekeje, por kjo ndryshon me të marr rrugën për të përmirësuar diagnozën që i kishte dhënë pacientit – Williamsit.

Edhe Hamish Lankater e Melissa Leo, përfshirë taksistin dhe shitësin e kamerave bëjnë punën e tyre mirë. Në fakt skena ndërmjet Robin Williams dhe shitësit të kamerave është ndoshta e vetmja që më ka bërë të qesh. Skenës i ndihmon belbëzimi i shitësit, që ia kthen troç Williamsin talljen me të metën e tij.

Skenari është i tmerrshëm. Skenat janë të renduara mirë, narracioni ndoshta i shërben paksa, duke provuar të jap një këndvështrim më ndryshe ndaj temës, por qyshdoqoftë tema është palidhje.

E para të kalosh 90 minuta në Brooklyn me gjithë ato ngjarje është e pamundur. Pastaj filmi nis si një komedi për të përfunduar në një dramë. Fundi provon të jap një mesazh që të gjithë kemi zemërim, kush më pak e kush më shumë, por, nuk është ndonjë mesazh që shkon me filmin.

Në fund të fundit një film nën mesatar, një film që nuk i afrohet as një grimë kryeveprave të Robin Williamsit. Në fakt është ky që më shtyri të shikoja këtë film. Përndryshe nuk do të shpenzoja 90 minuta kohë. E kohëzgjatja është e vetmja pjesë pozitive. Nuk është kushedi sa i gjatë për të mallkuar ata minuta.

Film nënmesatar, pa të qeshura. Aty-këtu ndonjë skenë interesante. Nota personale 6/10.

Luan Morina

Kritik filmi

Mund të ju interesoj edhe...