The 33 (2015) – Recensim

Tregimi për minatorët kilean të ngujuar për 69 ditë nën tokë kishte bërë bujë me shpëtimin e tyre. Dhe si çdo tregim tjetër i këtillë, heroik, edhe ky do të duhej të adaptohej për film, herët a vonë. Kjo ndodhi me filmin ‘The 33’ që këtë vit konsiderohej si nga më emocionalët e vitit. Por, nuk është ashtu. Për disa arsye.

Antonio Banderas, Rodrigo Santoro, e Juliette Binoche vijnë në rolet kryesor me një kast aktorësh jo shumë të njohur, ngjashëm si ekipi prapa kamerave. Skenari, dhe sidomos regjia dështojnë në masë të madhe tek realizimi i këtij filmi duke e bërë këtë tregim të mos jetë aq emocional sa e kishin bërë në lajme, e as aq interesant me përshkrimin e mbijetesës së një grupi njerëzish në nëntokë për një periudhë aq të gjatë.

Dihet se tema është ndoshta shumë e ngushtë për të bërë një film të duhur, ashtu sa duhet, ama dikush i zellshëm do të mund të kishte bërë film më të mirë edhe me një temë akoma më minimale. Filmi nis me ngjarjet para ngujimit, që shërben si një intro e bukur. Pastaj ndodh aksidenti, dhe ndoshta po të mos dinim se si do të përfundonte ky aksident do të ishte më emocional. Megjithatë ka pasur mjaft hapësirë për të zgjuar emocionet e shikuesit – periudha deri bëjnë kontaktin e parë, mënyra si dalin nga nëntoka, etj. Këto nuk arrijnë të përçojnë emocione aq të mëdha, duke devijuar nga tema për të kaluar në surealen, pjesa që dëshpëron më së shumti me regji. filmi ka mundur të zhvillohej edhe pa këtë pjesë, bile do të dilte shumë më i mirë po të mos shfaqte skena dëshpëruese që më shumë shfaqnin dëshpërimin e regjisores e skenaristëve për të bërë këtë film emocional, se sa të karaktereve.

‘The 33’ mbetet një film i dobët, i realizuar dobët, duke nënvlerësuar ndoshta një temë aq interesante që ishte bërë lajm botëror në kohën kur kishte ndodhur. Nota personale: 2/5

Luan Morina
Kritik për TV&Film

Mund të ju interesoj edhe...