That’s My Boy (2012) – Recensim

thats-my-boy-main

That’s My Boy (2012)

IMDB Rejtingu: 3.8

Premiera e shfaqjes: 15 qershor 2012

Kohëzgjatja: 114 minuta

Rejtingu: +18 për shkak të përmbajtjeve për të rritur, gjuhës, nudizmit, dhe narkotikëve

Zhanri: Komedi

Regjia: Sean Anders, John Morris

Skenari: David Caspe, David Wain, Ken Marino,

Aktrojnë: Adam Sandler, Andy Samberg, James Caan, Leighton Meester, Milo Ventimiglia, Will Forte

Shtëpia filmike: Sony Pictures

Derisa ishte tinejxher, Doni ishte bërë babai i një biri, Todit, dhe e kishte rritur atë si një baba i vetëm deri në ditëlindjen e 18të të tij. Tani, pasi nuk janë parë për disa vite, bota e Todit rrënohet kur shfaqet Doni vetëm pak ditë para martesës së Todit.

 

Kur përmendet Adam Sandler kemi dy opinione – ose e doni ose e urreni. Asnjë përgjigje pos këtyre dyjave nuk është pasqyrim i vërtetë i mendimit tuaj. Unë preferoj të renditem tek pjesa e parë, tek ata që i pëlqejnë filmat e Adam Sandlerit dhe punën e tij. Stili i tij është i veçantë dhe ngjashëm si Eddie Murphy, nuk përton të luaj 3-4 role në një film. Megjithatë një rast i tillë nuk ndodh në këtë film.

Doni ka bërë atë që shumë tinejxherë kanë ëndërruar të bëjnë me mësuesen e tyre më të bukur! Tani ai është baba i mitur derisa mësuesja do të shkoj në burg. Kjo e bën Donin yll televiziv dhe nuk e di fundin e milionëve. Viktima më e madhe këtu është i biri i tij, Todi, i cili gjithnjë ka jetuar në hije të kësaj ndodhie dhe më në fund është afër rehatisë. E gjithë kjo do të përfundojë me rishfaqjen në skenë të Donit.

E di është skenar ‘i marrë’, por, nëse dëshirojmë të bëjmë ‘analizën’ e filmave të Sandlerit (diçka që kurrë nuk duhet ta bëjmë), mund të konkludojmë se filmi thumbon yjet e televizioneve reality që fitojnë famën për gjërat më budallaqe që ekzistojnë – a duhet të ju kujtoj emrat?! Tregimi zhvillohet siç është më së miri, me një shtrirje të gjerë, duke mos lënë pa u shpjeguar asgjë, derisa gjithçka realizohet në mënyrë solide, pa ndonjë ‘filozofi’ të madhe.

Pos Adam Sandlerit që tashmë e ka një stil aktrimi tashmë të formësuar, ka edhe një kast të mirë aktorësh. Është mirë të shohësh Andy Samberg jashtë ambientit komfor të SNL. Besoj që do të ketë një karrierë të mirë filmike, ngjashëm si Leighton Meester e cila më në fund do të ‘diplomojë’ nga Gossip Girl. Ka edhe emra të njohur si James Caan e Will Forte të cilët nuk kanë ndonjë punë të madhe në këtë film.

Ajo çfarë është më e rëndësishme në filmat e Sandlerit janë skenat komike, të cilat edhe këtu janë me bollëk. Nuk është njëri ndër filmat më komik, por, atëherë cili është i përkryer. Si zakonisht disa skena komike më shumë ju shtyjnë të luhatni kokën në shenjë çuditjeje se sa të qeshni.

Komedi e stilit të Sandlerit. Nuk është filmi i parë i këtij aktori që do të duhej ta shihnit, por nuk do të jetë as i fundit. Sandler vazhdon të mos dëshpëroj tifozët e tij përkundër disa lemzave viteve të fundit…

Luan Morina

Kritik për TV&Film

Mund të ju interesoj edhe...