Tag: Recensime Filmash

unbrokenAngelina Jolie mundohet e mundohet t’ia dal mban me punën pas kamerave, por, ngjashëm me shumicën e punëve para kamerës, edhe në zejen e re nuk duket të jetë më shumë se mesatare. Filmi i dytë në regji ka dy faktorë më tepër suksesi se sa filmi i parë – temë në lidhje me Luftën e Dytë Botërore dhe vëllezërit Coen në skenar. Por, as këto nuk e ndihmojnë ‘Unbroken’ të kaloj në një nivel të denjë për të qenë ndër filmat më të mirë të vitit.

Ka shumë gjëra që nuk funksionojnë tek ‘Unbroken’. Pjesa e parë e filmit është e kot, e mërzitshme që të bën të flesh. Pos që zhvillohet në një ambient shumë të kufizuar, ka mungesë në dialog interesant dhe na kujton së tepërmi ‘Life of Pi’ e ‘All Is Lost’, por me një cilësi shumë të dobët. Filmi bën fjalë për tre ushtarë amerikan, në mesin e të cilëve edhe një fitues olimpik që mbeten të ngujuar në një varkë gome, për tu kapur më pas nga forcat armike japoneze. Pjesa e parë e filmit zhvillohet në atë varkën e gomës që në masë të madhe të kujton ‘All Is Lost’ me Robert Redford, por me një realizim shumë më të dobët. Filmi nis me një uverturë të dobishme për fëmijërinë e Louisit, për tu futur në ato dy periudhat e lartcekura. Nuk ka shumë dialog anembanë filmit që është edhe një arsye për të fjetur. Pas zënies nga forcat japoneze, sikur gjallërohet pak filmi, ngjarja, por vetëm për pak kohë. Derisa në pjesën e parë kemi një jetë të mërzitshme në anije, pjesa e dytë është e mbushur me torturë. Ngjashëm asnjëra nuk është impresive.

Aktrimi nuk është i keq, nuk ka shumë emra të njohur për ta bërë të veçantë, por edhe Jack O’Connell, edhe Domhnall Gleeson bëjnë punë të mirë. Takamasa Isihara vjen në rolin e antagonistit duke rënë në sy me një aktrim shumë të mirë. Ndërkohë Coenët në skenar janë shumë më të mirë. Ky do të mbetet një ndër filmat më të dobët për shijen time nga ta. Sidomos pas ‘Inside Llewyn Davis’ që është një realizim shumë i lezetshëm, kuptohet edhe me temë krejt më ndryshe.

‘Unbroken’ mbetet një film mesatar që tregon për paaftësitë e Angelina Jolie për punë serioze pas kamerave. Është film i gjatë, i heshtur, i zbrazët. Nota personale 2/5

Luan Morina
Kritik filmi

Read Full Article

Fury-Movie-Reviews-2014

Pothuajse çdo vit sjell një betejë të re filmike kundër Gjermanisë naziste. Edhe ky vit nuk është më ndryshe në përzgjedhjen e armikut në filmat e zhanrit luftë. Megjithatë ‘Fury’ ka një dallim nga shumica e filmave paraardhës. Të veçantë e bën artileria kryesore që përdoret – tanku.

‘Fury’ përqendrohet tek skuadra e tankut Sherman të quajtur Fury që udhëhiqet nga Don ‘Wardaddy’ Collier (Brad Pitt). Filmi ndjek periudhën pas prillit 1945 në shtytjen e fundit drejt Teatrit Evropian, ashtu siç edhe përshkruhet zyrtarisht tema e filmit. Tashti me avancimin e trupave ushtarake të aleatëve, ngjashëm avancon edhe pesëshja e Furyt. Nuk është thjesht një rrugëtim, një përshkrimi i udhëtimit drejt fitores me shpërthime dhe rrafshime ndërtesash.

Gjatë këtij rrugëtimi filmi nxjerr në pah karakteret e personazheve dhe ballafaqimin e tyre të çiltër, të padorëza me luftën dhe të gjitha të metat e saj. Tregimi përqendrohet tek Normani (Logan Lerman), më i riu në skuadër i cili akoma nuk beson në të gjitha të këqijat e luftës. Filmi ndjek edhe kalitjen, pjekjen e tij në një ushtar me përvojë si pjesa tjetër e skuadrës, të sprovuar me tmerret e luftës, me vdekjen. Edhe pse pothuajse në prapavijë, secili prej anëtarëve të skuadrës kanë një tregim të tyre, një karakter të tyre të veçantë që e bën këtë skuadër të përkryer, të shumëngjyrshme me shikuesin në pozitë për të gjetur personazhin e tij të preferuar.

David Ayer përshkruan ngjarjen në mënyrë të përkryer. Tregimi shtrihet për mrekulli, pa pasur ndonjë pjesë të kot. Ka pjesët më të ngadalta, më të thella, por edhe ato me plot aksion dhe shpërthime. Por, më shumë është një dramë se sa një aksion. Po të them që është më mirë i shtjelluar, dhe më pak i ‘ngadaltë’ se filmi i fundit i mirë i Ayer, ‘End of Watch’. Ayer bën punë të shkëlqyeshme edhe në regji të filmit. Afrimi i tij me skenat arrin të mishëron si shikues duke të grabitur në mesin e aksionit. Janë disa skena të realizuara për mrekulli, edhe pse ka disa skena vullgare, por tekefundit është film lufte, dhe këto janë të pritura, mos të them edhe të nevojshme.

Aktrimi është fenomenal. Brad Pitt nuk të dëshpëron kurrë, dhe tani në rolin e liderit të skuadrës vjen me një paraqitje të mrekullueshme, asgjë më pak se nga ajo që do të prisnim. Logan Lerman debuton në një kast me eksperiencë për merak, duke u treguar edhe si më i riu, më i pa sprovuari, ia del me zotësi të mishëroj karakterin e tij. Shia LaBeouf, e Michael Pena bëjnë punë të shkëlqyeshme në rolet ndihmëse. Interesante është përfshirja e LaBeouf në filma shumë më serioz se aty ku kishte nisur karrierën. Vërehet qartazi talenti i tij, derisa harmonia e Penas me Ayer është vërejtur shumë mirë edhe tek ‘End of Watch’. I mahnitshëm, dhe ndoshta më i miri nga të gjithë këta është Jon Bernthal. Ai bën një punë të shkëlqyeshme si karakteri më rebel i grupit. Në përgjithësi punë e shkëlqyeshme aktrimi e tërë ansamblit.

‘Fury’ sjell një freski në filmat e zhanrit luftë. Sjell një perspektivë tjetër të luftës, nga pikëpamja e një skuadre tanku. Film i realizuar shkëlqyeshëm në të dy anët e kamerës. Nota personale 5/5.

Luan Morina
Kritik filmi

Read Full Article

Filmi nis si narracion nga Max Waters (Paul Bettany) që flet për shkencëtarët Will dhe Evelyn Caster në kohën e shkuar. Nuk kalon shumë kohë dhe shohim këtë çift në kopshtin e tyre duke provuar të krijojnë një zonë të lirë nga ndërhyrjet e teknologjisë. Kjo vijon me fjalimet e tyre në lidhje me inteligjencën artificiale, për një botë humane të evoluar që shpien tek pyetja e njërit nga audienca nëse Will (Johnny Depp) dëshiron të krijoj zotin e tij.

Nga këtu e tutje kemi rrugëtimin e Will për tu bërë një zot i përzier me inteligjencën artificiale. Shtjellimi i tregimit provon të marr një nuancë filozofie duke përzier avancimin e teknologjisë. I shtyrë edhe nga faktorët e jashtëm dhe për të bindur të gjithë se mund të bëj atë që premton, Will zhvillon një produkt që do ta mbante të përjetshëm, por që në fund bëhet i sunduar i atij produkti, duke humbur ndjenjën humane.

Aktrimi është i mirë, nuk ka diçka të veçantë në të, pasi pjesa më e madhe ka të bëj me fotografinë dhe aspektin teknik që ka përpirë 100 milionë dollarë në buxhet duke rikthyer vetëm 3 milionë më shumë nga kinemaja. Një arsye shtesë pse është projekt i dështuar. Rebeca Hall vjen përkrah Depp në rolet kryesore. Harmonia e tyre në skenë nuk është kushedi çfarë niveli. Nuk preken askund, edhe pse do të duhej të ishin dy karaktere në martesë, në skenë duket një mur që ndalon në komunikimin skenik. Në rolet dytësore vijnë Cillian Murphy, Kate Mara, e Paul Bettany, duke mos harruar as Morgan Freeman.

Wally Pfister debuton në rolin e regjisorit, por duke mos lënë mbrapa përvojë që ka në kinematografi ku ka fituar edhe Oskar derisa ka bashkëpunuar me emra të njohur si Christopher Nolan. Ndoshta nuk është ide e keqe ti rikthehet profesionit të vjetër, pasi regjia e këtij filmi mund të jetë vetëm nga skenari që është edhe më i dobët. Edhe në skenar kemi një debutues, Jack Paglen që nuk ka kurrfarë përvoje në film, dhe kjo që i mbetet do të jetë negative.

Tregimi del të jetë absurd në pjesën e dytë të filmit kur Will mishërohet me sistemin kompjuterik duke kapur në një mënyrë botën në duar. Ndoshta njohësit e teknologjisë mund të kenë ndonjë bazë për të mbështetur premisën e këtij filmi, dhe ndoshta një ditë do të qeshemi ne që kritikuam këtë film, por jo vetëm premisa është e marrë. Edhe vet zhvillimi i filmit del të jetë i marrë.

Film i dobët. I cekët. Dështon në masë të madhe për kah skenari, e këtë nuk e mbulon as pjesa teknike. Film amator i realizuar nga amatorët. Nota personale 2/5 sepse nuk mund të notosh me njësh diçka që ka emrin e Morgan Freeman në të.

Luan Morina
Kritik filmi

Read Full Article

tammyMelissa McCarthy është e mrekullueshme në Mike&Molly. Harmonia në skenë me Billy Gardell e bën këtë serial të mrekullueshëm. Kjo harmoni mungon në pothuajse çdo film, së paku në ata që kam parë, të Melissa McCarthy.

Tammy është dështimi i radhës si komedi e McCarthyt. Angazhimi i Ben Falcone në regji dhe skenar të cilin e ka përgatitur së bashku me gruan e tij McCarthyn, e bën këtë film një projekt familjar që ishte prirë për dështim që nga fillimi. Jo vetëm pse është familjar, por sepse Falcone debuton në këtë zeje. Por, as regjia më e mirë nuk do të kishte shpëtuar këtë film. Skenari po. Ndoshta.

Kasti i aktorëve është i shkëlqyeshëm. Pos Melissa McCarthyt, kemi edhe Susan Sarandon, Kathy Bates e Allison Janney. Aty është edhe Sandra Oh që më shumë njihet për role jo shumë komedie (Grey’s Anatomy më). Në përpikëri me skenarin, në filmin në përgjithësi është edhe aktrimi i tyre. Më shumë ngjan në një projekt argëtues, një largim nga aktrimi serioz, dhe duket se kalojnë çaste të mira para kamerës në këtë film.

Vet filmi është një komedi torturuese fund e krye. Tammy (Melissa McCarthy) pasi kap burrin duke e tradhtuar vendos të ndryshoj jetën duke lënë punën dhe u nisur në një rrugëtim (temë bajate, shumë herë e elaboruar). Në këtë rrugëtim merr gjyshen e saj (Susan Sarandon) e cila është një alkoolike në rehabilitim. Ato takojnë dy meshkuj. Derisa pleqtë ia nisin ‘punës’, të rinjtë provojnë romancën – këtu është pjesa tjetër bajate. Pastaj takojnë karakterin e Kathy Bates dhe Sandra Oh, kanë një aheng të çmendur, gjërat shkojnë keq, jo për herë të parë, fundi është i lumtur për të gjithë. Bllah, bllah… bllah, bllah.

McCarthy dhe Sarandon kanë harmoni skenike shumë më të mirë tek ky sezoni i fundit i Mike&Molly. Në fakt Sarandon duket se së fundmi ka vendosur vetëm të shijoj aktrimin me kësisoj role të lehta, argëtuese për aktorët.

Melissa McCarthy është e shkëlqyeshme kur kamera nuk është gjithnjë para saj. Është e mrekullueshme për role dytësore (Bridesmaids dhe të gjitha serialet që ka bërë), por kësisoj projekte janë dështim. E më e keqja është që së bashku me të burrin, Ben Falconen tashmë kanë nisur projektin Michelle Darnell që vjen më 2016.

Por, filma si Tammy janë humbje kohe edhe pse nuk zgjat shumë, rreth 97 minuta. Nota personale 2/5 dhe atë kryesisht për shkak të kastit që ka. Fundi… mund të villni… seriozisht…

Luan Morina
Kritik filmi

Read Full Article

The-Pretty-OneZoe Kazan së fundmi e kam parë në filmin ‘Ruby Sparks’, tek i cili kishte bërë edhe skenarin e filmit dhe kishte pasur rolin kryesor. Aty kishte shkëlqyer si në shkrimin e filmit si në portretizimin e karakterit që vet kishte krijuar.

Por, tek ‘The Pretty One’ aktrimi i saj vuan sidomos në çerek orën e parë të filmit. Këtu Kazan portretizon dy binjake me shtresë shoqërore të ndryshme, por shumë të dashura ndërmjet vete. Vërehet qartë mundimi i saj për të aktruar dy karaktere krejt të ndryshme në të njëjtë skenë. Vetëm pas vdekjes së karakterit më të ndrojtur, ajo disi e gjen një baraspeshë që e mban deri në fund të filmit.

Tema e filmit është e bazuar në dy motrat, Audrey dhe Laurel. E para vdes në aksident trafiku ku të dyjat ishin prezent, dhe njëkohësisht është një agjente e patundshmërive në qytet, me një jetë më moderne sesa Laurel që deri më tani kishte jetuar në fshat përkrah babait të saj. Me vdekjen e Audrey, Laurel merr vendin e saj jo me dëshirë, por vetëm pasi të gjithë, përfshirë edhe babanë e saj dyshojnë që ajo është motra e saj, Audrey.

Ajo me qejf pranon të futet në këtë aventurë të re, me të vetmin qëllim që të shijoj jetën e Laurel, por, kjo aventurë nuk do të jetë vetëm me gjëra të shijshme. Karakteri i saj i ndryshëm vërehet kur nis të dëshiroj të gjitha gjërat, njerëzit, dhe punët e kundërta që ka dashur e motra e saj.

Pra, më shumë ngjan në dramë se sa në komedi, por duke pasur parasysh që është vepra e parë e metrazhit të gjatë të Jenee LaMarque, atëherë më duhet të pranoj që është një punë e mirë fillestare. Regjia është mirë e realizuar, skenari nuk ka ndonjë mangësi të madhe, rrjedhja e ngjarjeve përputhet me kohëzgjatjen e filmit, dialogët janë mirë të lustruar. Por, sikur tek aktrimi, edhe këto fusha përmirësohen shumë pas vdekjes së njërës nga motrat. Pra, duhet të mundoheni që të kaloni 15 minutat e parë para se të ‘hyni’ në film. Nuk janë kushedi sa të veçantë, prandaj ndoshta edhe mund ti kaloni në tërësi, dhe pastaj sigurisht do të ju duket një film goxha i mirë.

Jake Johnson (New Girl, Drinking Buddies) ka një rol interesant që nuk ndryshon shumë nga rolet e tij të zakonta në veprat që kam përmendur në kllapa. Bën punë të mirë ngjashëm si John Carrol Lynch e Frances Shaw që kanë një hapësirë më të madhe në film. Interesante ishte edhe shfaqja sado e shkurtër e Danny Pudi. Edhe ky sikur Jackson ka të njëjtin qëndrim, të njëjtën shprehje fytyre sikur tek ‘Community’.

Film mesatar. Ia vlen të kaloni 90 minuta nëse e keni në qejf Zoe Kazan. Nuk është kushedi çfarë filmi, por, një notë mesatare prej 3/5 mendoj që do ti përshtatej duke pasur parasysh se është film debutues i LaMarque dhe ka një kast jo shumë të njohur.

Luan Morina
Kritik filmi

Read Full Article

Siç tregon edhe vet titullin filmi ‘Filth’ është i mbushur me fëlliqësira. Ka nga të gjithat, skena për të rritur, narkotikë, alkool, dhunë, e deri tek halucinacionet e pështira të Robos dhe të gjitha vijnë me një dozë të shtuar të fëlliqësisë.

Megjithatë të gjitha këto ia vlen të durohen për aktrimin të mrekullueshëm të James McAvoy. Aktorin skocez e kemi parë në tituj si ‘Last King of Scotland’, ‘Wanted’ e deri tek filmi i fundit ‘Trance’. Në fakt me këtë të fundit mund të hedhim disa paralele që i bëjnë të ngjashëm, por ka mjaft shumë gjëra për ti dalluar.

James-McAvoy-in-Filth-2013-Movie-ImageFilmi tregon storien e një detektivi të obsesionuar me promovimin në detyrë. Për të arritur këtë qëllim ai është i gatshëm të bëj gjithçka që ekziston, pa kurrfarë kufiri moral. Dhe shumica nga këto vijnë në formë komike për neve si shikues dhe karakterin kryesor të Robos. Kjo krijon një lidhje ndërmjet neve si shikues dhe karakterit, lidhje që del në pah në pjesën e dytë të filmit, kur karakteri futet në vështirësi që as vet nuk mund ti kontrolloj më.

James McAvoy vjen në rolin kryesor. Ai shkëlqen gati si asnjëherë më parë. Është ndoshta filmi që më së shumti përqendrohet rreth karakterit të tij, gjë që i ndihmo atij të hedh në pah të gjithë aftësitë artistike që ka. Vet karakteri i tij kalon nëpër disa faza të ndryshme gjatë filmit, siç përmenda më lart duke rënë nga karakteri që ka të gjithë në gisht, në karakterin që pëson në fund. Pos këtyre dy pozitave të kundërta, kemi edhe një skenë që shfaq karakterin e tij të butë, kur tenton të shpëtoj jetën e një qytetari të thjeshtë. Kjo dhe tregimi rrjedhës nga kjo skenë që vijnë si në ‘prapaskenë’ të tregimit kryesor kanë një ndikim më të madh se kaq, nëse dëshirojmë të analizojmë.

Tregimi mirë është i shtjelluar. Karakteret dytësore kanë një punë dytësore, ndihmëse në zhvillimin e tregimit të Robos. Këta aktorë si Imogen Poots, Jamie Bell, Eddie Marsan, e deri tek Jim Broadbent kontribuojnë shumë mirë në shpërndarjen e tregimit. Por, gjithçka mbetet nën hijen e paraqitjes të mrekullueshme të James McAvoy. Për mendimin tim ai shfaq aktrimin më të mirë të karrierës në këtë film.

E Jon S. Baird që duket se ka bërë filma huliganësh deri tani, tek ‘Filth’ bën një punë të mirë, që përsëri mbetet në hije të McAvoy. Por, ky film nuk pritet të jetë ai që do ta nxjerr në dritën e famës. Së paku jo për momentin.

Nota personale 8/10 – filmi i kënaqshëm, komedi, e përzier me dramë në pjesën e dytë. James McAvoy i mahnitshëm.

Luan Morina
Kritik filmi

Read Full Article

Robin Williams stammering - The Angriest Man in BrooklynKa shumë gjëra që nuk funksionojnë në filmin ‘The Angriest Man in Brooklyn’. E vetmja gjë që vlen të përmendet është kasti dhe emrat në të. Por, me të nisur filmi gjithçka shkon huq. Aktrimi nuk është i keq, por është skenari që dështon në mënyrë katastrofale.

Një burrë është nisur për kontrollin e rregullt në spital. Gjatë rrugës ai ka aksident me një taksist. Kjo ndodh menjëherë pas pritjes së gjatë në semaforë, që është edhe një nga shumë gjërat që zemërojnë këtë njeri. Në spital ai merr diagnozën e gabuar që ka 90 minuta jetë, dhe gjatë kësaj kohe ai do të provoj të ndreq punët me familjen e tij të ngushtë.

Njeriu më i zemëruar në Brooklyn është Robin Williams, i njohur ndryshe edhe Mbreti i Komedisë. Por, ky film është larg, me vite-drite larg filmave më të mirë të tij. Robin Williams e bën të veten. Aktrimi është në nivel, edhe nga ai, edhe nga pjesa tjetër e kastit. Kanë një harmoni të mirë në skenë me Mila Kunisin. Është disi më ndryshe të shohësh Kunisin në rolin e një mjekeje, por kjo ndryshon me të marr rrugën për të përmirësuar diagnozën që i kishte dhënë pacientit – Williamsit.

Edhe Hamish Lankater e Melissa Leo, përfshirë taksistin dhe shitësin e kamerave bëjnë punën e tyre mirë. Në fakt skena ndërmjet Robin Williams dhe shitësit të kamerave është ndoshta e vetmja që më ka bërë të qesh. Skenës i ndihmon belbëzimi i shitësit, që ia kthen troç Williamsin talljen me të metën e tij.

Skenari është i tmerrshëm. Skenat janë të renduara mirë, narracioni ndoshta i shërben paksa, duke provuar të jap një këndvështrim më ndryshe ndaj temës, por qyshdoqoftë tema është palidhje.

E para të kalosh 90 minuta në Brooklyn me gjithë ato ngjarje është e pamundur. Pastaj filmi nis si një komedi për të përfunduar në një dramë. Fundi provon të jap një mesazh që të gjithë kemi zemërim, kush më pak e kush më shumë, por, nuk është ndonjë mesazh që shkon me filmin.

Në fund të fundit një film nën mesatar, një film që nuk i afrohet as një grimë kryeveprave të Robin Williamsit. Në fakt është ky që më shtyri të shikoja këtë film. Përndryshe nuk do të shpenzoja 90 minuta kohë. E kohëzgjatja është e vetmja pjesë pozitive. Nuk është kushedi sa i gjatë për të mallkuar ata minuta.

Film nënmesatar, pa të qeshura. Aty-këtu ndonjë skenë interesante. Nota personale 6/10.

Luan Morina

Kritik filmi

Read Full Article

Cate Blanchett in Woody Allen's Blue JasmineTë jem i sinqertë, ‘Elizabeth’ nuk është kushedi çfarë filmi. Ndoshta fajin e ka Cate Blanchett që arrin të vjedh vëmendjen me një paraqitje të shkëlqyeshme. Sigurisht ka hapësirë edhe për Geoffrey Rush, por, vet filmi nuk është diçka i jashtëzakonshëm.

Ngjashëm edhe tek ‘Blue Jasmine’. Filmi, tregimi nuk është diçka e veçantë. Regjia e skenari është i tipit të Woody Allen. Kemi atë lloj dialogu që e hasim shpesh në filmat e Allenit, e ngjashëm është me regjinë. Interesante është lëvizja e kamerës në skenë e cila kalon nga karakteret që bëjnë dialog para kamerës tek një skenë tjetër me karakteret mbrapa kamerës që vazhdojnë të dialogojnë sikur në një formë narrative.

Ajo çka e veçon filmin, i jep shije filmit janë dy karakteret femra, motrat Ginger dhe Jasmine, sidomos kjo e fundit. Tashti, Jasmine është një grua pasanike e martuar me një financier – Hal (Alec Baldwin) që del të jetë mashtrues. Derisa Hal ka mbytur veten në burg, Jasmine ka humbur gjithçka, përfshirë të birin dhe kthehet tek e motra, Ginger (Sally Hawkins), e cila jeton në San Francisco dhe gjithashtu ka humbur gjithçka, përfshirë burrin disi për fajin e Jasmine pas biznesit të pasuksesshëm me ish-burrin e saj, Halin.

Këtu fillon i tërë tregimi, për Jasmine e cila akoma nuk mund të pajtohet me realitetin e ri që është krijuar. Këto i vërejmë qysh në skenën fillestare kur ajo zbret nga aeroplani me biletë të klasit të parë, çantë me markë, dhe ndihmësin e saj. Kjo është e vetmja skenë me baraspeshë para se të luhatemi me skenë që na e tregojnë Jasminen si retrospektivë nga kur kishte nisur biznesin që kishte shkatërruar jetën e Ginger deri tek e vërteta për humbjen e burrit dhe tërë pasurisë.

Vet historia e bën Jasminen një karakter që kalon nëpër të gjitha fazat emocionale të jetës. E secila fazë, secili emocion përsosmërisht interpretohet nga Cate Blanchett. Jo me pahir ajo është njëra ndër favoritet për të dominuar çdo ceremoni shpërblimesh të mëdha në kategorinë e aktoreve më të mira këtë sezon. Në film kemi dy Jasmine – të parën që shfaqet në skenat retrospektive ku kemi një Jasmine e shtresës së lartë, mendjemadhe, nënçmuese ndaj të motrës së saj; dhe të dytën e cila ka të gjitha ato veti, vetëm se të lënduara, dobësuara, e të fshehura. Ajo vazhdon të nënçmoj të motrën duke ia rrënuar edhe atë lidhje që ka, gjithnjë në premtim se ajo mund të arrij më shumë, më lart, diçka që vet Jasmine dëshiron, dhe eventualisht do ta gjej, ndoshta, gjithnjë sipas aspiratave të saj.

Blanchett mishërohet për mrekulli me karakterin e saj. E vërejmë në disa skena të historisë aktuale në film kur dërgon vete në limite që kurrë s’kishte përfytyruar. I duhet të punoj si asistente dentisti, për tu ngacmuar në punë, i duhet të rikthehet në shkollë duke provuar të kompensoj tërë kohën dhe risitë që kanë kaluar derisa ajo po shijonte jetën aristokrate, e skena të ngjashme. Megjithatë ato që lënë përshtypje më së shumti, edhe pse më duhet të pranoj që nuk ka asgjë poshtë shkëlqimit në çdo skenë, është skenat derisa është asistente kur duhet të duroj shumëçka vetëm për të mbajtur atë vend të punës, si dhe skenat konfrontuese me të motrën, ose më mirë të them me të dashurin e ri të motrës. Janë disa dialogë pa dorëza me Jasmine dhe Chilli (Bobby Cannavale) derisa Ginger mbetet në prapaskenë si karakter statik, e ngujuar ndërmjet dëshirave të motrës që i ofron një utopi për të, dhe Chillit që është kënaqësia aktuale e saj.

Derisa Cate Blanchett dominon filmin me aktrimin e saj jashtëzakonisht të mirë, as kasti dytësor nuk mbetet në hije. Sally Hawkins bën një aktrim shumë të mirë duke portretizuar motrën e cila me gjithë gjërat që i kanë ndodhur shkaku i motrës së saj – ndarja me burrin, humbja e pasurisë, dhe mbetja si nënë e vetmuar me dy fëmijë; vazhdon të vë familjen para gjithçkaje.

Sa i përket temës, Jasmine arrin të bind Gingerin të shijoj atë jetën që ajo mendon se meriton Ginger, por jo gjithçka do të shkoj sipas fantazisë së saj.

Kasti dytësor zakonisht vlen të veçohet tek tre burrat e përzier në jetën e Ginger. Peter Skarsgaard ka një hapësirë më të vogël në film në krahasim me Cannavalen. Ngjashëm si Skarsgaard, një pjesë më të vogël në film ka edhe Louie C.K. i cili portretizon të dashurin që preferon motra e saj për të. Të dy këta bëjnë punë të mirë, por asgjë nuk e kalon Cannavalen. Ai ka disa skena që shkëlqen me aktrimin e tij, dhe ngjashëm si Blanchett përshtatet shkëlqyeshëm me karakterin e tij.

Në përgjithësi është një film i mirë në stilin e rëndomtë të Woody Allen, një film i Cate Blanchett që mrekullon me aktrimin e saj.

Luan Morina

Kritik filmi

Read Full Article

this-is-the-endJonah Hill, Seth Rogen, James Franco, Jay Baruchel, Danny McBride, e Craig Robinson, janë gjashtja kryesore e jaranëve tek ‘This is the End’. Rogen së bashku me Evan Goldberg janë përgjegjës edhe për regjinë dhe skenarin e këtij filmi. Më së lehti e ka pasur Goldberg sepse skenari dhe regjia e këtij filmi është goxha e thjeshtë. Ka festë tek James Franco, dhe papritmas nisin ngjarje të pashpjegueshme. Mund të ju kujtoj fillimin e ‘Cloverfield’, ama veç fillimin.

E nëse pritni nga këta emra film serioz, cilësor, atëherë i vetmi person për tu fajësuar jeni vet ju.

Në fakt Jonah Hill, ka pasur një rol të mirë tek ‘Moneyball’, edhe Franco me pahir ka pasur një nominim tek ‘127 Hours’ jo që ka pasur shumë punë për të bërë, por të tjerët… Në fakt nuk duket se ndonjëri nga këta është i kalitur për role serioze, edhe pse Hill ka një projekt të mirë me Scorsesen që pritet të debutoj kah fundi i vitit. Jonah ka shkëlqyer tek ‘Moneyball’, por të tjerët është shumë mirë të vazhdojnë kështu siç janë – të bëjnë komedi të thjeshta, joserioze.

Komedi që të bëjnë të qeshësh me sharje, fatkeqësi, momentet ‘prekëse’ (cheesy), të gjitha këto të realizuara në një atmosferë pafund joserioze, dhe me plotë budallallëqe. Mund ta identifikoni me prodhimet tjera të Goldberg dhe Rogen si ‘Pinneaple Express’, ‘Superbad’, ‘Knocked Up’, e edhe ‘Funny People’. Ka nga të gjitha nga pak, pos seriozitetit.

Sa serioz kanë qenë në realizimin e kësaj komedie është që nuk janë lodhur as të ndryshoj emrat, dhe thjesht kanë aktruar vetveten nëpër tërë filmin.

Seth Rogen ka një shok që nuk është prej esnafëve të Los Angeles, Jay Baruchel. Jay urren shumicën nga ta, dhe ndjenja është e njëjtë edhe nga ata, pos Jonah Hill. Ky dëshiron të inkuadroj Jay-in në shoqërinë e re. Pas eskalimit të situatës, Jay del të jetë një ‘profet’ i dërguar për të shpëtuar Sethin dhe të tjerët.

Vet aktorët/karakteret bëjnë shaka në dëm të tyre – janë të vetëdijshëm që nuk janë aktorë të mëdhenj, por, janë të kënaqur dhe pranues ndaj asaj që janë. Kur vjen sulmi i alienëve, ata ia hapin sytë (më në fund) Francos, ri-xhirojnë ‘Pinneaple Express’, qeshin me të qeshurën e Sethit, e linja më e mirë në film për mua ishte lutja para gjumit e Jonah Hill kur thotë ‘Zot, jam Jonah Hill……. nga Moneyball’.

Derisa skena më e mirë e filmit padyshim që është grabitja e gjashtë djemve nga Emma Watson me sëpatë. Mos të harroj as pjesën e parë, tepër të gërditshme me Michael Ceran. Pa dashur të prishi fundin, duhet të ceki se ‘pjesët prekëse’ janë të përfshira në fund të filmit, që është si ‘qershia mbi tortë’. Mos të harroj kemi edhe Jonah Hill si përbindësh.

Mos pritni seriozitet nga ky filmi, mos pritni komedi më ndryshe se nga ato që kanë bërë këta djem. E nëse nuk ju pengon të shihni ‘Pineapple Express’, apo çfarëdo filmi tjetër të këtyre, si dhe sharjet që kanë dominuar atë ‘skenar’, atëherë do të keni momente bajagi qesharake.

Luan Morina

Kritik filmi

Read Full Article

The Wolverine (2012)Hugh Jackman as Wolverine

“Kam munguar për shumë kohë” – është një fjali e Lloganit në filmin e fundit për heroin Wolverine. Edhe sa ka të drejtë kur e thotë këtë. Që nga ‘Origins’, Wolverine ishte në ‘pushim’. Një skenë minimale, por jashtëzakonisht qesharake tek ‘First Class’ vetëm sa na ka rënduar më shumë pritjet për ‘The Wolverine’.

Më në fund e kemi në kinema, dhe të gjithë ne fansat e serisë ‘X-Men’ nuk kemi asnjë çikë arsye për tu zhgënjyer. Në fakt është njëri nga filmat më të mirë të kësaj franshize. Shumë më i mirë se ‘X-Men Origins: The Wolverine’. Derisa tek filmi i kaluar për Wolverine kemi më shumë mutant dhe një tregim për zanafillën e tij, tek ‘The Wolverine’ kemi vetëm një duel mutantësh. Shumica e kastit është krejtësisht fillestar, që nuk i kemi parë asnjëherë në filma. Tregimi është më ndryshe, nis me të kaluarën e Lloganit, për tu lidhur me të tashmen dhe të ardhmen e tij.

Skena fillestare është eksplozive – bomba atomike në Nagasaki. Këtu ai shpëton Jashidan, një ushtarak japonez që e thërret pas shumë viteve kur është në prag të vdekjes me një falënderim që del të jetë ofertë kinse për shpëtimin e Lloganit dhe të vet Jashidas. I biri i tij është i involvuar me mafian japoneze dhe kërkon të shfrytëzoj trashëgimin e njeriut më të pasur në Azi, trashëgimi që tre ditë pas vdekjes do ti kalonte mbesës së Jashidas, Marikos. Shengen, i biri i Jashidas është në gjah për të bijën, që ta martoj me mikun e tij nga qeveria, për të siguruar mënyrën e vetme drejt pasurisë së të atit. Llogani duhet të mbroj Marikon nga i ati i saj. Pak a shumë ky është tregimi duke evituar spoilerat.

Tregimi nuk është bajat – nuk është luftë mutantësh, është duel, por jo luftë, kemi vetëm dy mutantë. Mund të jetë pak parashikues – siç doli të ishte për mua, por nuk është film që ju lë rehat. Storia zhvillohet kryesisht njëtrajtësisht duke mos lënë hapësira për kontrollimin e telefonit siç ndodh në disa filma.

Realizimi i filmit është i shkëlqyeshëm. Kemi dialog dhe përleshje. Të dyjat janë nga rafti më i lartë i mundshëm i filmave për superheronj. Kemi një Wolverine të irrituar, që nuk kursen ofendimet në asnjë çast, e as kthetrat edhe pse është në ‘dietë’. Kemi karaktere të zellshme të arteve marciale – ngjarja zhvillohet në Japoni. Jo që jam një i çmendur pas rrahjeve apo dueleve me shpata e të ngjashme, por vërtetë këto tek ‘The Wolverine’ kanë shije.

Vet Wolverine nuk është më ai i vjetri. Tanimë është më lehtë të lëndohet. Fajtore për këtë del të jetë Viber – një mjeke kujdestare e Jashidas, që del të jetë një mutante me një pështymë të veçantë. Ajo arrin të lëndoj imunitetin e Wolverines. Në të njëjtën kohë, Yukio, asistentja e Yashidas, dhe kujdestarja e Wolverine është një gjysmë-mutante ta quaj – ka aftësi të parasheh të ardhmen, dhe një nga veprat e saj të fundit është parashikimi i vdekjes së Lloganit, sa për ta bërë filmin më interesant.

Është një punë shumë e mirë e regjisë. Kemi kënde të shkëlqyeshme kamere, disa skena tepër impresionuese – bomba atomike, përleshja në tren, fshati, kulla, e nuk mungon as ajo ‘ura-statujë’ legjendare që mbijetoi bombardime dhe tërmete– nevojitet shpjegim më i zgjeruar, por, është i pamundur pa spoilera. Në fund e shihni për cilat skena e kam fjalën. Bie shumë shi, sikur të ishte ngjarja në Britani të Madhe, për të kulmuar me borë – të dyja për qejfin tim. Fotografia është e shkëlqyeshme. Efektet 3D e bëjnë filmin më të mirë.

Kemi një antagoniste të mrekullueshme. Gjatë gjithë kohës më është përzier me Natalie Dormer – Marxhorinë tek ‘Game of Thrones’. Çfarë dyshe do të bënin me Xhofrin, sikur të ishte ajo. Në fund doli të jetë Svetlana Khodchenkova – aktore e njohur kryesisht për filmat rus. Edhe dy aktoret tjera në rolet kryesore vijnë me aspak përvojë. Për Tao Okamoton është filmi i parë, derisa Rila Fukushima ka filmin e dytë. Pak më shumë përvojë – e mbaj në mend nga sezoni i parë i ‘Revenge’ – është Hiroyuki Tanada. I tëri kasti ndihmës bën punë të shkëlqyeshme, sidomos duke pasur parasysh përvojën e tyre minimale. Kemi edhe Famke Janssen që vjen si Xhejn në rolin e memorieve për Lloganin. Ka qenë njëra nga pjesët e filmit që më ka pëlqyer më pak, por, e kuptoj nevojën për të pasur atë në film.

Përleshje normale -1në1; përleshje jo-normale 100në1; dialog interesant, shpesh qesharak; fotografi të mbresëlënëse; kast i ri impresionues; tregim interesant; kohëzgjatje tamam; Wolverine – janë çfarë e bëjnë këtë film fantastik. Fansa e ‘X-Men’ kanë pritur moti kohë për diçka të këtillë. Shumicën do ti kënaq. Por, jo vetëm fansat e kësaj franshize, por, edhe ata të tjerët që dëshirojnë t’ia bëjnë sefte, lirisht le t’ia nisin me ‘The Wolverine’. i përkryer…. +++

Luan Morina
Kritik për TV&Film

Read Full Article