SuperBowl XLV me shifra rekorde

SuperBowli i të dielës ka patur shikueshmërinë më të lartë në histori të televizionit amerikan. Ndeshja është shikuar nga një mesatare prej 111,01 milionë shikues. Në përgjithësi numri i shikuesve që së paku për një moment kanë shikuar ndeshjen ka arritur deri në shifrën rekorde prej 163 milionë shikuesve duke tejkaluar SuperBowlin e vitit të kaluar për 9 milionë. SuperBowli i vitit të kaluar ishte programi më i shikuar deri të dielën me një mesatare prej 106 milionë shikues, duke tejkaluar episodin special të serialit M*A*S*H të transmetuar me 28 shkurt 1983 në CBS që pati arritur të mbledh 105 milionë shikues.

SuperBowli i 45të u zhvillua në Dallas ku në finale u ndeshën skuadra e Green Bay Packers dhe Pittsburgh Steelers, ku Packersat fituan me rezultat 31-25. Vlen të theksohet që ndeshjen e shikuan afër gjysma e të gjithë banorëve amerikane 48.6%, dhe afër më shumë se tri të katërtat e atyre që shihni televizion në atë kohë, 71% e të gjithë shikuesve. Edhe në këto shifra ky SuperBowl ishte më i mirë se i vitit të kaluar për vetëm 1%. Vitin e kaluar u ndeshën Indianapolis Colts dhe New Orleans Saints. Në stadiumin e Dallas Cowboys në Arlington ishin të pranishëm afër 100 mijë shikues, të cilët në pauzën e dy pjesëve u argëtuan nga grupi i njohur The Black Eyed Peas të cilët në skenë kishin ftuar edhe yje tjera të shoubizit si Usher dhe kitaristi Slash. Lea Michele nga seriali Glee e hapi ceremoninë hapëse pas të cilës Christina Aguilera këndoi himnin amerikan.

Megjithatë programi pas SuperBowl, seriali Glee nuk arriti ato që pritnin edhe pse kishte një shikueshmëri shumë më të madhe se zakonisht. Seriali u shikua nga 28 milionë amerikan, me një përqindje prej 28% të të gjithë shikuesve. Kjo është shumë më poshtë se sa post-SuperBowli i vitit të kaluar, kur reality-seriali Undercover Boss pati 38.65 milionë shikues me një share prej 36%.

SuperBowl i këtij viti u transmetua në kanalin Fox, pronë e Rupert Murdoch që ka në pronësi pakot satelitore Sky në Evropë. Vitin e kaluar finalja ishte transmetuar në kanalin CBS, ndërsa finalja e vitit të ardhshëm pritet të transmetohet në kanalin NBC. Them pritet të transmetohet nëse arrihet marrëveshje kolektive e futbollistëve me pronarët pasi kjo mund ta anulojë sezonin e ardhshëm.

Në përgjithësi ndeshjet e kësaj sezone kishin shënuar një ngritje të përgjithshme qysh nga parasezona, sezona e rregullt, dhe ndeshjet e përfundimtares. NBC kishte afër 2 milionë shikues më shumë se zakonisht, 21miionë në përgjithësi, FOX 20milionë (+1), CBS 18.7 milionë (+1.6), ESPN 14.6milionë (+0.3) dhe NFL Network 5.7milionë shikues për ndeshje (+0.2). Të përmend edhe që NBC ka transmetuar ndeshjet kryesore të dielën në mbrëmje, përderisa FOX dhe CBS kanë transmetuar ndeshjet e pasdites në ora 13 dhe 16 me kohë lokale. Përderisa këto të trija janë kanale kombëtare, ESPN dhe NFL Network janë kanale kabllovike, ndërsa NFL Network ka një përzgjedhje shumë më të vogël të ndeshjeve në krahasim me katër televizionet tjera.

Sezoni i NFL pritet të filloj në mes të muajit gusht me ndeshje përgatitore, gjithnjë nëse arrihet marrëveshja për kontratën kolektive e njohur si CBA.

Luan Morina

Mund të ju interesoj edhe...