Suffragette (2015) – Recensim

Carey Mulligan ka shfaqur talentin e saj në shumë filma deri më tani, gjë që dëshmojnë mbi 30 shpërblime dhe nominimi për Oskar. Aftësia e saj për të bartur e vetëm një film, një tregim si ky tek ‘Suffragette’ mbi supe është e pakontestueshme. Por, për ta bërë këtë, nevojitet puna e stafit të plotë, sidomos atyre pas kamerave. Kjo pjesë mungon tek ‘Suffragette’.

Filmi i Sarah Gavron, e cila mund të konsiderohet akoma e papërvojë në zejen e regjisores, sjell tregimin për gratë të cilat janë të detyruara të marrin hapat më dëshpërues për të drejtat e tyre kundër pushtetit mizor ndaj gjinisë së bukur. Është një film me mesazh dhe temë revolucionare, një film feminist, i duhur për të përçuar mesazhin, historinë tek shoqëria aktuale. ‘Suffragette’ sjell tregimin e periudhës së grave që janë konsideruar skllave, dhe gjeneratën e parë ndoshta të kryengritëseve. Porse ky mesazh nuk arrin të përçohet në mënyrën më të mirë.

Carey Mulligan sjell karakterin e Maud Watts, një grua punëtore e cila bëhet pjesë e nismës së grave për të drejtat e tyre për barazinë gjinore. Gjatë këtij procesi ajo humb pothuajse gjithçka të vlefshme në jetën e saj, dhe përkundër gjithë këtyre sakrificave, të saj dhe bashkëmendimtareve të saja, kjo nismë mbijeton. Por, niveli i sakrificave nuk mbetet konstant.

Helena Bonham Carter që është njëra nga aktoret britanike të preferuara të mija është pjesë e kastit përkrahës, bashkë me Anne-Marie Duff. Aktrimi bën punë të mirë, por duket sikur është i limituar, dhe paksa i humbur në skenar. Skenari vjen nga Abi Morgan që ka mjaft përvojë për të bërë punë më të mirë se kjo që shohim tek ‘Suffragette’.

Ky film ka mundur të jetë shumë më i mirë, sikur të kishte pak më shumë ‘jetë’ në skenar. Në mungesë të kësaj, filmi provon të marr masa të skajshme, brutale, në përçimin e mesazhit që e bën filmin të dështuar për mendimin tim. Filma të këtillë na nevojiten. Por, gjithashtu nevojitet edhe një përkushtim dhe realizim më i mirë. Nota personale: 3/5

Luan Morina
Kritik për TV&Film

Mund të ju interesoj edhe...