Straight Outta Compton (2015) – Recensim

Hip-Hop për mua nis dhe mbaron tek Eminem. Gjithçka që di për këtë zhanër të muzikës përfshin botën e tij, dhe emrat që përmend, sa për të mirë e për të keq nëpër këngët e tij. Njëri nga emrat që ka përmendur më së shumti Eminem ka qenë Dr. Dre.

Dre është njëri nga karakteret kryesore, dhe njëkohësisht më të mira në filmin ‘Straight Outta Compton’. Ice Cube dhe Eazy-A janë dy karaktere tjera me hapësirë më të madhe në film. Ky i fundit ishte krejt risi për mua si dikush jo shumë i lidhur me këtë zhanër të muzikës. Filmi sjell tregimin e grupit NWA të cilët konsiderohen si themelues të muzikës hip-hop, muzikës rap.

Ritmi dhe poezia ishte një armë ndaj shtypjes të padrejtë raciste ndaj një pjese të konsiderueshme të popullsisë. Ashtu edhe nis filmi, me sfidat që shoqëria amerikane, një pjesë e popullsisë më saktë, akoma nuk i ka tejkaluar. Është një rrugëtim i përshkruar për mrekulli nga grupi prej pesë skenaristëve e që vjen në regji të F. Gary Gray, i cili për neve kosovarëve është i njohur sikur 36 shkronjat e alfabetit falë një milionë ritransmetimeve të filmit ‘Italian Job’ në RTK.

Gray ka mundur ta bëj filmin më pak të gjatë duke hequr disa skena bajagi të panevojshme. Është vështirë të lidhesh me filmin në fillim, sidomos nëse sikur unë nuk keni njohuri fillestare në lidhje me tregimin dhe karakteret. E karakteret vihen në jetë për mrekulli nga një kast jo shumë i njohur që bën punë shumë të mirë, njëjtë si Paul Giamatti. Në përgjithësi, aktrimi, ngjashëm si skenari e regjia janë pjesë të realizuara mirë.

Derisa shërben si një abetare për të gjithë fansat e rap e hip-hop muzikës, ‘Straight Outta Compton’ është edhe një film mirë i realizuar artistikisht. Pak i gjatë. Nota personale: 4/5

Luan Morina
Kritik për TV&Film

Mund të ju interesoj edhe...