Steve Jobs (2015) – Recensim

Aaron Sorkin, Danny Boyle, Michael Fassbender, Kate Winslet, Jeff Daniels, e mbi të gjitha imazhi i Steve Jobs përbëjnë nomenklaturën e yjeve të këtij filmi. Por, një yll i papritur në mesin e krejt këtyre, që befasisht arrin të inkorporohet në rrezet shndritëse të krejt këtyre nga ky film për mua është Seth Rogen.

Nga të gjithë që përmenda në krye është normale të presim nivelin më të lartë të punës artistike, nivel i cili nuk mungon në asnjë pjesë të filmit ‘Steve Jobs’. Ama, një aktrim aq me zemër, aq karizmatik i Seth Rogen ka qenë i paparashikuar për mua. Rogen shfaqet siç thotë karakteri i Fassbender, në momentet kur nuk e pret dhe kur të nevojitet më së paku. Në rolin e Steve Wozniak, Rogen sjell një karakter këmbëngulës në misionin e tij që për dallim nga Jobs, është pasqyrim i një njeriu punëtor dhe socialist.

E Steve Jobs vjen në imazhin më të pështirë që mund të jetë. Arrogant, snob, paranoik, mendjemadh, tiran, çfarëdo mund ta quajmë nga ajo çfarë shohim nga ky film. Karakteri i tij kalon nëpër tri skena ku emocionet e tija nuk mbeten pa u sfiduar. Dhe asnjë skenë nuk na ofron një pamje të pastër, pa perde të karakterit të tij duke na lënë në dyshim dhe të pacaktuar se çfarë të mendojmë për të.

I bazuar në biografinë e shkruar nga Walter Isacsson dhe nën skenar të njërin prej emrave më të dashur nga unë në botën e filmit dhe televizionit, ‘Steve Jobs’ ka dialogë të cilësisë më të lartë duke mos lënë kohë për pushim në asnjë çast përgjatë dy orëve. Dialogët janë të shkruar me mjeshtërinë më të lartë, të sjella në jetë nga aktrimi fenomenal i Kate Winslet dhe Michael Fassbender. Seth Rogen e Jeff Daniels kanë një pjesë të rëndësishme në të gjitha pjesët e filmit, dhe janë bashkëbisedues fenomenal në secilën skenë. Mbresëlënës kanë qenë dialogët ndërmjet Fassbender e Daniels, lidhja e karaktereve të të cilëve evoluon nëpër faza e skena në nivele të ndryshme të miqësisë. E punë shumë të bukur në regji bën edhe Danny Boyle.

‘Steve Jobs’ është filmi më i mirë deri më tani i përgatitur për njërën nga mendjet më të ndritura të viteve të fundit. Pos zgjuarsisë, filmi sjell atë pjesën e panjohur për publikun për Steve Jobs, që dikë si unë e bën të lumtur që përdor Android. Nota personale: 5/5

Luan Morina
Kritik për TV&Film

Mund të ju interesoj edhe...