Spotlight (2015) – Recensim

Të rritësh fëmijë nuk është lehtë! Prindërit bëjnë gjithë ato sakrifica për të bërë princin apo princeshën që e mëson në tregimet gjoja për ta, dhe në fund prapë mbeten të zhgënjyer se nuk kanë bërë maksimumin. Por, si ndihen ata që me qëllim të edukimit shpirtëror të fëmijëve të tyre, i kanë drejtuar ata paqëllim tek një grup zvetënuesish të cilët kanë abuzuar me këta fëmijë.

Fuqia e institucioneve religjioze gjithnjë ka qenë dominuese mbi popullatën në vende të caktuara. I tillë ka qenë edhe Bostoni që njihet si një nga vendet më katolike të SHBA-ve. Në fillim të këtij shekulli, një grup i gazetarëve të Boston Globe, pas shfaqjes së një rasti të ri, nisin një hetim mbi ngacmimet seksuale të priftërinjve vendas mbi të rinjtë e Bostonit. Hetime që do të lëkundin shtyllat e Kishës Katolike.

Gjithçka nis me fjalimin e hareshëm lamtumirës të një reporteri që po ikën në pension. Në gazetë pritet ardhja e redaktorit të ri – Marty (Liev Schreiber), dhe si zakonisht frika nga shkurtimet në vendet e punës. Robby (Michael Keaton) udhëheq ekipin e gazetarëve hetues – ‘Spotlight’ me Mike (Mark Ruffalon), Sacha (Rachel McAdams), e Matt (Brian d’Arcy James). Në rrezik për tu shuar si skuadër, Spotlight duhet të bëj diçka të madhe dhe asgjë nuk është më e madhe se abuzimet e priftërinjve me të mitur në një vend si Bostoni. Por, rruga deri tek rezultati i një hetimi, artikulli merr kohë me muaj, dhe në këtë epokë të informacionit, muajt janë të gjatë. Një kolumne për këto abuzime aktivizon Spotlightin në rrugëtimin më të vështirë të karrierës së tyre. Një udhëtim që është i mbushur me pengesa të panumërta, kryesisht për shkak të rregullit dhe zakoneve lokale.

Michael Keaton, Rachel McAdams, e Mark Ruffalo bëjnë një punë të mrekullueshme në portretizimin e roleve të tyre. Sidomos më ka pëlqyer fakti që kam parë Keaton në një film tjetër i këtillë vetëm një vit pas ‘Birdman’. Për Ruffalon, dhe një rol të ngjashëm jemi njoftuar tek ‘The Normal Heart’. Edhe McAdams ka përvojë me ‘State of Play’ në rolin e gazetares. Pra që të dy vijnë me një përvojë sado minimale në këto role, dhe kjo veçse perfeksionon punën e tyre në film. Veçanërisht më ka pëlqyer aktrimi i John Slattery dhe Liev Schreiber të cilët vijnë në role më ndryshe nga ‘Mad Men’ e ‘Ray Donovan. Shërbejnë si karaktere në ‘nxitjen’ e ngjarjeve përgjatë gjithë filmit.

Skenari dhe rëndësia e tij nuk do fjalë. Është shtjelluar për mrekulli. Përmblidhen të gjitha detajet e nevojshme duke mos lënë asgjë jashtë tregimit. Filmi gjithashtu përçon mesazhin që synon duke vënë në pah dy gjëra – rëndësinë e gazetarisë hetuese dhe fuqinë e tepruar të institucioneve religjioze. Më kujton në masë të madhe ‘The Newsroom’, veç se është i bazuar në ngjarje të vërtetë. Jep një mesazh të qartë për gazetarët dhe rëndësinë e tyre në shoqëri. Në disa momente karakteret vendosen para sprovave, zgjedhjeve të ndryshme, duke vënë dyshime në atë që po bëjnë. Por, e gjithë kjo tregon se s’ka e keqe që s’mund të rrëzohet, që duhet të shërbej si kurajë për gazetarinë, edhe këtë tonën këtu. Gjithashtu në aspektin tjetër jep një sinjal rreziku, dritë të verdhë kundrejt fuqisë së tepruar të institucioneve religjioze, e që për gazetarët tanë do të duhej të ishte një dritë e kuqe. Edhe pse vet ndjekës i librit, jam i sigurt që shumica e bashkëmendimtarëve do të gjenin ‘Spotlight’ si një shabllon të përgjithshëm se si duhet të veprohet kundrejt të ligave që vijnë nga njerëz që përdorin religjionin për qëllimet e tyre më mizore.

Për këtë, ‘Spotlight’ mbetet një film artistikisht i përpunuar për mrekulli, duke mbërthyer në vete themelet e gazetarisë hetuese dhe keqpërdorimin e Zotit nga kriminelët. Nota personale: 5/5

Mund të ju interesoj edhe...