Silver Linings Playbook (2012) – Recensim

vlcsnap-2013-02-24-17h28m14s215

Silver Linings Playbook (2012)

IMDB Rejtingu: 8.3
Premiera e shfaqjes: 21 nëntor 2012
Kohëzgjatja: 122 minuta
Rejtingu: +18 për shkak të gjuhës dhe përmbajtjes për të rritur
Zhanri: Dramë, Komedi
Regjia: David O. Russell
Skenari: David O. Russell, Matthew Quick
Aktrojnë: Bradley Cooper, Chris Tucker, Jacki Weaver, Jennifer Lawrence, Julia Stiles, Robert De Niro
Shtëpia filmike: The Weinstein Company

Pas një periudhe në një institut mendor, ish-mësuesi Pat Solitano zhvendoset tek prindërit e tij dhe provon të riparoj lidhjen me ish-gruan e tij. Gjërat komplikohen edhe më shumë kur Pat takon Tifanin, një vajzë misterioze me probleme të saja.

Aktrimi më perfekt që kemi parë këtë vit, pa dyshim. E di, është e padrejtë, dhe shpeshherë e gabuar të absolutizohen gjërat, por, fjalinë e mësipërme e përkrah fakti për nominimin e emrave në të katër kategoritë e aktrimit.

Derisa me punën e Robert De Niros, jemi mësuar moti kohë duke mos harruar as performancat për Oskar në Godfather dhe Raging Bull. Edhe pse nuk mund të krahasohen veprat e tij të lartpërmendura, performanca e tij nëSilver Linings Playbook i afrohet më të mirave të viteve të fundit. Ai arrin të mbërthej në mënyrë të shkëlqyer karakterin e një babai të dhënë pas basteve, një fans i obsesionuar, një kryefamiljar i prekur nga kriza ekonomike në vitet e fundit të karrierës së tij prej punëtori, dhe një njeri burrë me probleme minore psikike. Të gjitha këto veti i gjejmë në karakterin e De Niros, Pat Senior. Skena e kacafytjes me të birin, dhe skena e përgatitjes për të dielën futbollistike (pa dashur të prish filmin me skena tjera) janë ndër skenat më interesante gjatë tërë filmit. Në të dyjat kemi një De Niro në formën e një aktori të madh. Pat Senior për tetë muajt e kaluar ka pasur të birin e tij të vogël, Pat Xhunior në qendër rehabilituese psikike.

Xhunior – i portretizuar nga Bradley Cooper, ka shkalluar kur ka gjetur gruan e tij në një lidhje jashtëmartesore. Problemet e tij psikike tani duket të jenë zhdukur, dhe Pat vendos të rikthej veten në formë fizike në tentim për të ringjallur martesën. Ai është zhvendosur në shtëpinë e prindërve dhe nis fazën e rilindjes duke lexuar libra gjimnazi dhe ushtrime vrapimi.

Duke nisur nga skena e ankesës për shkrimet e Heminguejit, kacafytja me prindin, bisedat me psikologun, dhe skenat tjera në pjesën e fundit të filmit, Bradley Cooper, në mënyrë të përkryer portretizon karakterin e tij jashtëzakonisht kompleks. Performanca e tij është e një niveli krejt tjetër nga ato komeditë jo aq artistike që jemi mësuar ta shohim më parë. Mund të themi se Bradley Cooper është ‘rritur’ në këtë film. Ka pasur karaktere të tilla edhe viteve të kaluara, për më tepër disa edhe kanë fituar Oskar, megjithatë nuk do të guxoja ta krahasoja me ato performanca. Por, edhe nuk do ta në nënçmoja. Cooper në mënyrë të përkryer portretzion Pat Xhuniorin. Nuk ka skenë ku nuk shkëlqen që nga pamjet e para në qendrën rehabilituese, kohën e rikuperimit fizik, bisedat me psikologun, si dhe në fazën e fundit. Cooper arrin me mjeshtri të pasqyroj karakterin e tij tek të cili shfaqet shpresë që për të gjithë të tjerët është tashmë e vdekur, vendosmërinë për tu kthyer vetvetes së vjetër, dhe vuajtjet me problemet që ka. Emocionet që kapin gamën më maksimale tek një karakter pasqyrohen shkëlqyeshëm. Në përgjithësi është një performancë që meriton Oskar.

Derisa Bradley Cooper për herë të parë e shohim në një film ‘serioz’, për Jennifer Lawrence nuk mund të thuhet e njëjta gjë. Aktrimi i saj në ‘Winter’s Bone’, duke pasur parasysh karrierën e saj paraprake që nuk e dallonte shumë nga një ‘amatore’ dhe moshën e saj, ishte i mahnitshëm. Nëse bëjmë një krahasim mes atij filmi dhe ‘Silver Linings Playbook’ e vërejmë një aktore më të pjekur, me më përvojë, më artistike, dhe më afër Oskarit. Lawrence është njëra nga aktoret më të kërkuara. Pasi ka siguruar një të ardhme të pasur falë filmave ‘Hunger Games’ ajo po vazhdon të jetë pjesë e filmave të orientuar më shumë nga arti se sa komercializmi. Personalisht do të dëshiroja ta shihja shumë më shpesh atë në filma si ‘Silver Linings Playbook. Ajo luan karakterin e Tifanisë, një vajzë e re me probleme psikike pas vdekjes së bashkëshortit në një aksident. Tashmë është zhvendosur në një shtëpi të ndërtuar për shije të saj, në oborrin e prindërve dhe ngjashëm si Pat Xhunior provon të kthej jetën në kahun e duhur.

Skena në kafene, vrapimet, dhe skenat kah fundi i filmit janë ato kur Lawrence shpërthen me karakterin e saj. Ajo arrin të mishërojë emocionet e karakterit të saj me aq përpikëri sa të afron edhe më shumë me filmin. Nuk është vetëm ajo që arrin të bëj këtë nga kasti në këtë film, por mund të them se e bën më së miri këtë.

E nominuar për Oskar është edhe Jackie Weaver që luan rolin e Dolores Solitanos. Nëse e krahasojmë me tri karakteret e lartpërmendura nuk mbetet mbrapa për kah hapësira e dhënë, në fakt paraqitet në çdo skenë ku është De Niro. Por, performanca e saj është disi më e rezervuar, më e mbyllur, edhe pse ka momentet e saja, qysh në fillim të filmit. Akoma nuk kam parë aktrimin e saj në ‘Animal Kingdom’ që i kishte sjell nominimin e parë për Oskar, por jam i njohur me veprën e saj në The Five-Year Engagement, një film jo aq i njohur, por mjaft i këndshëm. Ngjashëm si treshja e mësipërme ajo arrin të portretizoj karakterin për merak – një nënë e butë që kërkon të balancojë familjen e saj tashmë me probleme të konsiderueshme.

Role dytësore, hiç më pak të shkëlqyeshme kanë edhe Chris Tucker, Anupam Kher, Julia Stiles, e John Ortiz. Tucker sjell atë humorin e tij duke mos prishur dramën që ndjek filmin gjatë pjesës më të madhe. Ai luan karakterin e Denit, mikut të Pat nga klinika. Stiles luan rolin e Veronikas motrës së Tifanisë, dhe ka një skenë në fillim që vë në pah aftësitë e saja në aktrim.

E tani të kalojmë tek njeriu pas kamerave. David O. Russell bën njërën nga punët më të mira në karrierën e tij. Fansat e filmit ‘The Fighter’ që solli Oskar për Melissa Leon, dhe Christian Bale në njërën nga performancat më të mirë në karrierën e tij, e njohin për regjinë e atij projekti të shkëlqyeshëm. Tek ‘Silver Linings Playbook’, ai kalon disa nivele më lartë. Skenari është i adaptuar nga libri me të njëjtin emër, përshtatur për film nga Russell, që bën edhe regjinë e filmit. Tashti për skenarin nuk dëshiroj të flas shumë pasi nuk kam lexuar romanin e Matthew Quick, por, lirisht mund të them se Russell ka realizuar filmin në mënyrë më të përkryer të mundshme. Regjia është e realizuar me një shije që përshtatet me temën që trajtohet. Ka shumë kënde që fokusohen në vetëm një karakter, sidomos bisedat e Pat Xhunior me psikologun, dhe më pas me Tifaninë. Janë ato skena të ambientit të jashtëm që karakterizojnë e zbukurojnë këtë film, duke e bërë edhe më të veçantë nga shumica e filmave të nominuar. Realizimi i disa skenave tepër emocionale, përshkrimi dhe kapja e tyre, afrojnë shikuesin emocionalisht me karakteret. Ka momente, diku kah fundi ku për një moment filmi merr një drejtim vet-shkatërrues, diçka që ndryshon ritmin nga mesatar në të dy anët tjera, diçka që përsëri Russell arrin ta përshkruaj për merak. Por, ajo çfarë bën më së miri Russell është që vë aktorët në pozitat që i bëjnë të shkëlqejnë, dhe kjo është pikërisht ajo çfarë bëjnë ata.

Në përgjithësi një punë e shkëlqyeshme si pas ashtu edhe para kamerave. Film me temë emocionale, e përgatitur për mrekulli nga David O. Russell, dhe me aktrim fantastik të të gjithë kastit.

Luan Morina
Kritik për TV&Film

Mund të ju interesoj edhe...