Shoqërueset e nuses (2011) – Recensim

Titulli origjinal: Bridesmaids

Zhanri: Komedi

Skenari: Annie Mumolo, Kristen Wiig

Regjia: Paul Feig

Premiera e shfaqjes: 13 maj 2011

Kohëzgjatja: 125 minuta

Rejtingu: +18, për shkak të skenave për të rritur dhe gjuhës gjatë gjithë filmit

Kasti: Kristen Wiig, Maya Rudolph, Rose Byrne

 

Është vlerësuar njëra nga komeditë më të mira të verës dhe vërteton këtë deri kur fillon të ngjaj në një romancë. Janë ato skena me nuancë romantike që me dëshirë do ti kaloja po të mos dëshiroja të bëja një recensim për këtë film. Në film janë përfshirë disa nga emrat më të mirë të komedisë kinematografike, por nuk kanë arritur të shfaqin të gjitha aftësitë e tyre, ndoshta në mungesë të një skenari e regjie që në disa skena e bëjnë filmi pak si shumë “cheesy” duke ç’orientuar ndjenjat dhe emocionet e shikuesit. Ajo çfarë ta shpif në këtë film padyshim është romanca dhe drama që provohet të futet si me zor nëpër skena duke prishur atë komedinë e mbetur.

Në anën tjetër pjesa komike e filmit është e cilësisë së lartë duke dëshmuar talentin e Kristen Wiig në këtë zhanër. Ju që e keni parë tek Saturday Night Live e dini mirë për çfarë po mendoj. Por, edhe tek komedia e këtij filmi shfaqet një emër sa i ri e i panjohur ndoshta në botën e kinemasë po aq i suksesshëm dhe komik në këtë film. Melissa McCarthy e cila nuk më ka impresionuar kaq shumë as tek Mike & Molly. Ka qenë jashtëzakonisht e shkëlqyeshme në ngjyrimin me komedi dhe të qeshura të Bridesmaids. E mahnitshme! Vajza që vodhi skenën do ta quaja. Edhe Rose Byrne e Maya Rudolph kanë goxha hapësirë në këtë film dhe përkundër talentit të tyre nuk ofrojnë kushedi sa komedi. Ndër emra tjera që paraqiten në Bridesmaids janë edhe Jon Hamm e Jill Clayburgh, të cilët mbesin në hije dhe me paraqitje jo të shumta nuk ia arrijnë të ngritin këtë film në një shkallë më lartë. Mos të harroj edhe Chris O’Dowd i cili në mënyrë ndryshe nga të tjerët ngjyros filmin me një komedi më ndryshe duke shërbyer si karakter ndihmës në këtë drejtim, por mund të them që është i vetmi karakter në film që ia arrin të aktroj siç duhet skenat komike me romancë, gjë në të cilën të gjithë të tjerët mendoj që dështuan.

 

Në përgjithësi filmin do ta quaja një komedi solide, por assesi e shkëlqyeshme. Romanca nuk është kërkah. Megjithatë filmi arrin të pasqyroj intrigat që do të përcjellin një shoqërim të shoqeve më të mira gjatë periudhave të ndryshme të jetës të cilat do ti dërgojnë në drejtime të ndryshme që do të lëndonin këtë lidhje, e që do ta bënte më shumë një dramë se sa komedi. Pra, nuk është një film që do të ju shkoj nerva, por nëse kërkoni komedi atëherë lëvizni deri tek skenat ku shfaqet Melissa McCarthy. Ah, edhe një skenë me të birin e një burri me të cilin takohet Kristina Wiig. Është një fëmijë simpatik dhe biseda e tij me Annie-n e bën këtë skenë goxha interesante.

 

Luan Morina

Recensues filmash në Telekomanda


Mund të ju interesoj edhe...