Sezoni televiziv 2010/2011 – Parashikimi

Edhe pse shumica e kanaleve kanë filluar me emisionet e tyre javën e kaluar, megjithatë java e dytë ose e tretë e shtatorit është ajo kur fillojnë ose së paku duhet të fillojnë shumica e programeve televizive për sezonin e ri.

Ky vit nuk do të sjell shumë ndryshime, megjithatë janë disa që vlen të përmenden.

Do të fillojmë në bazë të ditëve të javës të krahasojë skemën programore, e cila akoma nuk është përfundimtare.

Të hënën do të vazhdoj të dominojë RTK me serialin Kafeneja Jonë (20:00) dhe Milioneri (21:00). Dominimi do të jetë edhe më i lehtë kur dihet se programet konkurrente në atë kohë janë inferiore ndaj këtyre dyjave. Kemi Bursën e Kosovës, që është mjaft e suksesshme por që nuk do të ketë sukses në një termin kundër Kafenesë tonë, dhe Kabare të cilën nuk e di a shikon kush a jo.

Në ora 22:00, në RTK do të shkoj Subvencion, një emision mjaft i suksesshëm për ekonomi, kryesisht për shkak të temave dhe debateve mjaft të nxehta. Në KTV, si zakonisht do të vazhdojë Asist me Agon Fehmiun, një emision që thjesht nuk sheh ditë të zymta tashmë shumë vite. TV21, do të vazhdojë me Ditari dhe serial India.

Vetëm vështrojeni skemën e 21shit nga ora 19:30 deri në ora 23:30. Telenovela (serialet janë më të mira) 2 orë e 30 minuta, lajme 45 minuta, dhe 45 minuta program tjetër informativ. Ky është mëkat për shikuesit. Kjo ndodh për katër ditë të javës pos të hënës, kur kemi edhe një program  tjetër fare pak cilësorë, Kabare.

Kalojmë te e marta. RTK do të përqëndrohet në Ligën e Kampionve. Kur të ketë pushim Liga e Kampionve, do të ketë ndonjë  film apo dokumentar. KTV, ka Pulsin dhe Animan, dy programe mjaft të qëlluara në lëminë e tyre. Në ora 22:00, do të rikthehet Talenti X, një kopje inferiore e Got Talent. Ndërsa deri atëherë do të jetë Taxi Show solid, dhe seriali i vjetër amerikan jo i suksesshëm, Men Behaving Badly.

Tek skema e RTV21, e vetmja gjë që ndryshon është termini 21:15. Të martën transmetohet Sy me Sy, debat në lidhje me çështjet aktuale në Kosovë nga fusha të ndryshme. Mund të jetë i shikuar në mungesë të Ligës së Kampionve, dhe për shkak se në KTV kemi telenovelë.

Edhe e mërkura është e ngjashme. RTK me Ligën e Kampionve ndërsa KTV me 038 Live dhe Cosmo. Nuk e di se a do të kthehet 038 në terminin e vjetër apo do të qëndrojë aty në ora 17:15. Nuk di se sa impakt ka në këtë terminin e ri nëse transmetohet 250 ditë në vit. Më mirë do të ishte të transmetohej një herë në javë. Top Koha Music do të vazhdojë të transmetohet në ora 22:00, ndërsa në TV21 në ora 21:15, është duke u transmetuar dokumentari për shqiptarët në Turqi. Sigurisht më i shikuar se Bota e yjeve e cila nuk mund të funksionojë në këtë termin.

E enjta do të vazhdojë të jetë ditë përplotë me emisione politike. RTK do t’ia dedikoj tërë terminin prime-time emisionit Jeta në Kosovë, që është mjaft i shikuar. Në KTV, në ora 20:00, do të vazhdojë të transmetohet Rubikon, ndërsa SpitaliKS në ora 22:00, pra edhe një natë mjaft e begatshme e KTV-së. TV21, pas serialeve do të transmetoj emisioni Zoom.

Të premtave RTK siç duket do të vazhdojë të mbaj një debat politik para Oxygen-it mjaft të shikuar. KTV, eventualisht dikur do ta kthej Përallë me tupan, edhe pse sezoni i kaluar për mendimin tim ka qenë ndër më të dobëtit, por me pak mysafirë më cilësorë dhe skeqe më pak “banale” ky emision mund të kthehet në binarë ashtu siç ka qenë. Deri atëherë do të ketë filma mjaft cilësorë, dhe ndoshta më pas do të vendoset emisioni javor i Shpija 2, pasi të shtunave do të duhej të mbetet liga spanjolle në KTV. TV21 do të shfaq për ndryshim nga dy kanalet tjera programin për ekonomi, Standardi ynë të premtave.

Fundjava do të kalojnë me shumë më pak futboll se zakonisht.

TV21 do të transmetoj Unë jam Top Model, RTK debatin Evropa më afër, ndërsa KTV ndeshje të ligës spanjolle. KTV do të jetë më e shikuara sipas të gjitha gjasave, ndërsa një program që dedikohet vetëm të rinjve siç është Unë jam Top Model nuk besoj se do të ketë sukses në prime-time. RTK me Evropa më afër mund të ketë një shikueshmëri serioze, por programe politike gjatë fundjavës është pak “e tepërt”.

Të dielën KTV do të vazhdoj të transmetoj ligën spanjolle. Ndoshta edhe ndonjë film më pas. Nuk di se si qëndrojnë punët me Familjen Moderne dhe Cimerat, por tek e para disa gjëra duhet të ndryshojnë sepse kanë filluar të bëhen të vjetra, pra nevojitet freski. Cimerat personalisht nuk i kam shikuar pasi që nuk duket si një serial që mund të zë vend në skemën time programore të dielave në ora 21:00, që në një farë mënyrë është koha më e mirë për të shikuar TV. Dyshoj se do të kthehen këto dy seriale këtë sezonë, sidomos Familja Moderne që është më e mirë se Cimerat por edhe që ka buxhet shumë më të madh. Megjithatë për Familjen Moderne mendoj se meriton së paku edhe një gjysmë sezone deri në fund të vitit.

Për fund…

nuk kishte me qenë kushedi sa vështirë apo e shtrenjtë që secili kanal të ndante një orë në programacionin e tyre për të njoftuar shikuesit me të rejat (të vjetrat) në skemat e tyre programore.

Luan Morina

* Këto opinione janë të bazuara në supozime për skemën e re programore që pritet të kenë tri kanalet kombëtare në Kosovë. Pra, nuk kemi asnjë informatë zyrtare se cilat emisione do të vendosen në çfarë orari.

Mund të ju interesoj edhe...