Selma (2014) – Recensim

selma-trailer

Filmat që shtjellojnë temën e racizmit në SHBA, gjithnjë na dërgojnë në një botë tjetër që na duket sa imagjinare aq e pamundur krahasuar me instiktin aktual për shtetin më të mirë në botë, siç pretendohet në disa nga filmat që nuk sjellin edhe këtë anë të SHBA-ve. Por, shumica e filmave e këtyre filmave që shtjellojnë racizmin janë aq mirë të realizuar sa që sjellin këto ngjarje në mënyrë të përkryer që të thithin në botën dhe tregimin e tyre duke të bërë të dyshosh bindjet dhe mendimet tuaja edhe nga më të fortat. Një film i këtillë është ‘Selma’.

Ava DuVernay sjell tregimin e njërit nga rrugëtimet e Martin Luther King, kampanjën për të siguruar të drejta të barabarta për vota. Është një marshim epik nga qyteti i Selmas deri në Montgomery në shtetin e Alabamas në vitin 1965. Është një periudhë e lëvizjes për shkrirjen e racizmit në SHBA, lëvizje e cila edhe sot has në pengesa në pjesët më konservative të SHBA-së, në shtetet jugore siç ishte edhe rasti i Alabamas.

Filmi nis me pëgatitjet e Martin Luther Kingut për pranimin e shpërblimit Nobel për paqe, për të vazhduar me fjalimin e tij i cili mbetet në prapaskenë derisa shpërthen një kishë zezake që në mesin e viktimave lë fëmijë. Filmi fund e krye përfshin luftën për të drejta të barabarta, kundër racizmit, duke sjell Martin Luther Kingun derisa lufton në disa frone, kundër të bardhëve, kundër presidentit, kundër zezakëve, dhe kundër vetvetes. Në të gjitha këto frone, King duhet të luftoj për të mbajtur qetësinë, paqen, duke parandaluar viktimat eventuale. Këto beteja e bëjnë filmin të përqendrohet kryesisht tek karakteri i King, pa devijuar shumë me skena dhe ngjarje dytësore. Kjo e bën ‘Selma’-n një realizimin të shkëlqyeshëm nga Ava DuVernay që nuk ka edhe kushedi sa përvojë në këtë zeje, ngjashëm si skenaristi Paul Webb. Pos dialogëve të përkryer, ngjitja e ngjarjeve, këndi i kapjes së tyre e bën një film edhe teknikisht të përgatitur në nivelin më të mirë.

Ndërkohë David Oyelowo sjell një version të përkryer të Martin Luther Kingut në ekran. Pos në fjalimet dhe dialogët, qëndrimi i tij edhe pa thënë asnjë fjalë sjell një karakter të shkëlqyeshëm që fiton përkrahjen e shikuesit edhe po të mos ketë asnjë njohuri paraprake për të bëmat e Kingut. Carmen Ejiogo në rolin e gruas së tij sjell një karakter të gatshëm për të sakrifikuar gjithçka për kauzën në të cilën janë inkuadruar. Ngjashëm si Carmen, edhe pjesa tjetër e skuadrës së King ofron një aktrim shumë të zellshëm. Të kënaqur me paraqitjen e tyre si zakonisht më kanë lënë Wendell Pierce të cilin e ndjek vazhdimisht nëpër serialet e tij televizive, si dhe Cuba Gooding Jr. Por, nuk duhet harruar as performancën e mahnitshme të Tom Wilkinson në rolin e presidentit Lyndon Johnson, dhe Tim Roth në rolin e guvernatorit të Alabamas, George Wallace. Derisa ky i fundit veshët me një rol të përkryer antagonist, Wilkinson në rolin e presidentit sjell një urë ndërmjet dy palëve të përfshira në tregim.

‘Selma’ sjell një tregim epik, sentimental, të realizuar për mrekulli. Vet fakti që është një tregim i bazuar në ngjarje të vërtetë e bën këtë film edhe më emocional, një realizim shumë më i mirë se ato që kemi pasur viteve të fundit në lidhje me racizmin si ’12 Years a Slave’ e ‘Butler’. Nota personale 4/5.

Luan Morina
Kritik filmi

 

Mund të ju interesoj edhe...