Rust and Bone (2012) – Recensim

Rust-and-Bone-3Rust and Bone (2012)

IMDB Rejtingu: 7.6

Premiera e shfaqjes: 21 nëntor 2012

Kohëzgjatja: 120 minuta

Rejtingu: +18 për shkak të përmbajtjes së rëndë për të rritur, nudizmit, dhunës dhe gjuhës

Zhanri: Dramë, Mister

Regjia: Jacques Audiard

Skenari: Craig Davidson, Jacques Audiard, Thomas Bidegain

Aktrojnë: Marion Cotillard, Matthias Schoenaerts

Shtëpia filmike: Sony Pictures Classics

 

I vendosur në kujdestarinë për të birin e tij, Ali largohet nga Belgjika për Antibe për të jetuar me motrën e tij dhe  burrin e saj. Lidhja e Aliut me Stefaninë, një trajnerë e balenave, thellohet pasi Stefani pëson një aksident tmerrues.

 

Një stërvitëse delfinësh gjatë një shfaqje pëson aksident që e lë atë në karrocë handikapi. E aksidentuara është Stefania, karakter që portretizohet nga aktorja e njohur franceze, Marion Cotillard, tashmë e shpërblyer me Oskar për rolin e Edith Piaf në filmi La Vie en Rose. Mundësia eventuale për tu nominuar edhe një herë për Oskar ishte arsyeja kryesore pse vendosa të shoh këtë film. Filmi është i realizuar në gjuhën frënge dhe flet për Stefaninë e cila pas një zënke në klub nate njoftohet me Alit, një baba i divorcuar dhe ish-boksier i cili pas rikthimit tek e motra nis punën si roje nate.

Pas aksidentit të Stefanisë, mes saj dhe Alit lind një miqësi, që disi është e komplikuar dhe e zhanrit ‘miq me benefite’, diçka që keni mundur të shihni tek ‘Friends with Benefits’ veçse këtu me një ngjyrë dhe storie më të zymtë. Kjo formë e zhanrit pos aksidentit të Stef, më shumë ndikohet nga kjo miqësi. Në thelb të dy karakteret kryesore të filmit janë shumë të ngjashëm dhe po ashtu shumë të ndryshëm. Derisa aksidenti ndryshon në masë të madhe Stef, e cila tani është më e hapur, më e lëndueshme, dhe më e vuajtur; Ali mbetet i ngrysur, i mbyllur, i tensionuar duke paraqitur një mashkull të lumtur i cili nuk ‘i jep pesë pare’ për asgjë. Derisa miqësia e tyre kalon nëpër faza të ndryshme, njëkohësisht edhe karakteri i Alit ndryshon duke shkuar kah fundi. Nevojitet një aksident i tij për të thyer akullin e karakterit të tij dhe për të barazuar bilancin në këtë miqësi.

Tashti kur jemi tek performanca e Marion Cotillard. Ndoshta për një nuancë është më lartë mbi Matthias Schoenaerts. Megjithatë nëse duhet ta rendis tek lista për Oskarët e sivjetmë do ta kisha vështirë edhe ta fusja tek pesëshja e të nominuareve. Është pak vështirë të komentohet mbi performancën e saj, dhe mendojnë që pjesën më të madhe të punës e kanë realizuar editori dhe pjesa e skuadrës pas kamerave. Sigurisht është nevojitur edhe aktrimi dhe talenti i Cotillard, e cila është aktorja ime e preferuar franceze për momentin, por për Oskar kam dyshime.

Është një film i ndjeshëm, prekës, për shkak të elementeve tematike. Këtë duhet ta keni parasysh para se të vendosni të shikoni e filmit, e gjithashtu ka gjuhë dhe përmbajtje për të rritur gjatë tërë filmit. Pos nëse jeni fans i Cotillard, filmave francez, apo filmave me tematika të tilla, e dramave të zymta, nuk do të ju preferoja të shikonit. E për grupin e parë, fansat e Cotillard që kanë parë performancën e saj tek The Dark Knight Rises, mendoj që është i nevojshëm ky film ashtu që të fitoni ‘dashurinë’ e humbur (nëse keni humbur diçka) në karakterin e saj tek filmi i fundit për Kalorësinë e errët.

 

Luan Morina

Kritik për TV&Film

Mund të ju interesoj edhe...