Room (2015) – Recensim

Niku i vjetër e kishte qenin e sëmurë dhe ishte ndalur të kërkonte ndihmë nga Joy e cila ishte një vajzë tinejxherë, e edukuar për të ndihmuar të gjithë. Por, Niku nuk kishte edukatë të njëjtë. Ai as nuk kishte qen. Kishte mashtruar Joy të cilën e kishte kyçur në një hangar tashmë shtatë vite.

Jack kishte pesë vjet. Gjithçka çfarë kishte parë tërë jetën e tij ishte brenda asaj strehe. Çdo natë para se të shkoj në gjumë, Jack përshëndet orenditë e vendosura në atë hangar. Televizori dhe një dritare në kulm është e vetmja dritë ë hyn nga bota e jashtme.

Mjaft më! Koha për të dal jashtë!

Bazuar në novelën e Emma Donoghue, e cila bën edhe skenarin e ‘Room’ me regji të Lenny Abrahamson – që të dy kushtimisht amatorë në këto profesione, na vjen ndoshta edhe filmi më i mirë i këtij viti për shijen time. Është një temë prekëse, emocionale, fund e krye. Edhe dikush pa zemër do të kishte probleme të mbante sytë e tharë në shumë skena. Krejt kjo ndihmohet nga aktrimi i Brie Larson në aftësitë e të cilës kurrë nuk kam dyshuar që nga ‘Short Term 12’, dhe Jacob Tremblay i cili bie si një engjëll me përvojë dekadash në trupin e një fëmije.

Harmonia e tyre në skenë është e mrekullueshme. Kanë një lidhje nënë e bir të paparë viteve të fundit në kinema, e ndoshta edhe kurrë më parë. Krijojnë një lidhje emocionale që të bën të marrësh anën e tyre të tregimit qysh në pamjen e parë, edhe pse vet tema e filmit çdo njeri normal do ta vendoste në anën e tyre të tregimit. Aktrimi i tyre është aq real sa na bëjnë të harrojmë që jemi edhe duke shikuar vetëm një film artistik.

Mënyra se si Jack përshkruan botën e brendshme, në çdo detaj, refuzimi për të mësuar se ekziston një botë e jashtme, se ka gjete të verdha, adaptimi në botën e jashtme, takimi me gjethen e parë të verdhë, takimi me njerëz të tjerë, me telefonin, me natyrën, ajrin e freskët, me dritën – të gjitha këto na ofrojnë skena emocionale duke na bërë të rishqyrtojmë të gjitha ato që dimë dhe mënyrën se si jemi njoftuar me to. Aktrimi i Jacob Tremblay është i përkryer. Është një rol që kërkon talent, dhe talent me bollëk ka në këtë fëmijë.

Ndër talentet dhe yjet e të ardhmes në botën e kinematografisë, padyshim që zë vend edhe Brie Larson. Tek ‘Short Term 12’ ka pasur një rol kryesor, të cilin e ka performuar me zotësi. Aktrimi i saj tek ‘Room’ tejkalon shumëfish atë performancë. Ajo rritet edhe si aktore me një rol prej nëne, dhe jo të një nëne të zakonshme. Këtë nënë ajo e sjell në skenë për mrekulli, dhe ka disa skena ku kjo bie në pah, si brenda në dhomë, si jashtë në botë.

Të dy arrijnë të sjellin karakteret e tyre në të dy format dhe tranzicionin nga karakteri i dikujt të kyçur për gjithë ato vite dhe dikujt që (ri)shijon botën e jashtme (përsëri).

Më ka pëlqyer edhe aktrimi i Wiliam H. Macy dhe Joan Allen. Sidomos kjo e dyta bën një punë të mirë në pjesën e dytë të filmit.

Mbi të gjitha është narracioni i Jackut që e bën këtë film të mrekullueshëm, përshkrimi i tij i dy botëve. Aktrimi, tregimi, ngjyrat, kamera, e bëjnë ‘Room’ njërin nga filmat më të mirë të vitit, më të mirin që kam parë deri tani. Nota personale: 5/5

Mund të ju interesoj edhe...