Rinis Portokalli

E diela do të ndryshojë ngjyrë në “Top Channel”. Ata janë gati. Nasi, polici, të burgosurit, atentatorët… Por nuk do të jenë vetëm. “Portokallia” rikthehet për më shumë humor, me personazhe të reja, me batuta me dhe pa politikanë, me probleme sociale që do ju bëjnë të qeshni, por edhe të mendoni.

Sezoni i 18 fillon këtë të diel, ora 20.45 në ekranin e “Top Channel”. E premtja dhe e shtuna u është rezervuar atyre që duan ta përjetojnë live këtë spektakël humori, pranë ish-ekspozitës “Shqipëria e Re”. Vetëm pak orë na ndajnë nga ngritja e siparit, por puna vazhdon.

Në sallën e audicioneve dhe korridoreve të “Portokallisë” ka ritëm, batuta, tension, por nuk mungojnë edhe të qeshurat. Regjisori Altin Basha premton se do të jetë një sezon i mbushur me surpriza.

“Është një sezon që do të fillojë vrullshëm me disa personazhe interesante krijuar nga aktorët tanë. Kemi një aktor të ri, i cili do të bëjë provën e parë në skenën e ‘Portokallisë’. Pas një numri të gjatë audicionesh ka ardhur në një rezultat që mendojmë se është i prezantueshëm për publikun dhe shpresojmë që t’i kënaqë. Kemi të tjerë aktorë në audicion që mund të na premtojnë personazhe, të cilët do të prezantohen në javët në vijim. Kemi disa surpriza simpatike për sa i përket strukturës dhe pikëpamjes muzikore. Jemi munduar të bëjmë diçka të re këtë sezon dhe urojmë që të gjejë pëlqimin e publikut”, tregon regjisori Altin Basha.

Në këtë sezon të ri, “Portokallia” do të ketë edhe një skenografi të re, realizuar nga Fatmir Minga. Më shumë portokalli dhe më shumë kolorit për këtë spektakël. Eneda dhe Salsano do të jenë sërish bashkë në prezantim. Artikullin e plotë mund ta gjeni në faqen zyrtare të Top Channel në këtë link. /Top-Channel/

Mund të ju interesoj edhe...