Rikthehet Rubikon – Intervistë me Adriatik Kelmendin

Të martën me 25 shtator, nis sezoni i nëntë i emisionin debatues më të vlerësuar në televizionet kosovare, Rubikon me Adriatik Kelmendi.

Për nëntë vite të transmetimit në kanalin më alternativ në Kosovë, Rubikon ka ofruar një pasqyrë krejt ndryshe nga emisionet tjera duke krijuar një kredibilitet dhe besueshmëri, që rrjedhimisht ka sjell edhe shikueshmërinë më të madhe të Rubikon në këtë zhanër të programeve televizive. Mysafirë të Adriatik Kelmendit kanë qenë disa nga emrat më të njohur në politikën shqiptare dhe atë ndërkombëtare.

Për të diskutuar për sezonin e ri kemi realizuar një intervistë me autorin e këtij programin dhe njërin ndër personalitetet televizive më të preferuar për publikun kosovar, z. Adriatik Kelmendi.

Telekomanda: Z. Kelmendi, sezoni i ri televiziv tashmë ka ardhur. Është gjithçka gati për Rubikon?

Adriatik Kelmendi: Për Rubikon ende nuk është gjithçka gati, pasi që s’është ende gati skena e re . Por, edicioni i ri starton të martën, më 25 shtator, pasi që mjafton që unë jam gati, ekipi në KTV është gati dhe vullneti për t’i dhënë intervista dhe debate interesante shikuesve besnikë është aty. Kështu që, motorrat nxizen të martën.

Telekomanda: Do të ketë skenë të re për emisionin. Mund të na tregoni çfarë do të jetë më ndryshe, apo mbetet befasi për shikuesit?

Adriatik Kelmendi: Do të jetë më e madhe se zakonisht dhe do të ofrojë më shumë mundësi për emisionin. Për të tjerat, do t’i lë shikuesit që ta vlerësojnë.

Telekomanda: Po formati do të pësoj ndonjë ndryshim. Do të ketë ndonjë risi, apo cikle të reja siç kishte vitin e kaluar?

Adriatik Kelmendi: Natyrisht se Rubikon vjen edhe këtë sezon me risi dhe aktualitete, por gjithnjë origjinal dhe i pakompromis. Në sezonin e ri, do të zhvillohen edhe debate e intervista të lidhura me përvjetorët e rëndësishëm, siç është 100-vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë dhe 5-vjetori i pavarësisë së Kosovës.

Në kuadër të ciklit “Rishikimi i historisë”, do të vazhdohet me temat lidhur me lëvizjet, grupacionet dhe individët e ndryshëm drejt pavarësisë, prej mesit të shekullit të kaluar e tutje.

Njësoj, edhe në sezionin e ri do të vazhdojë cikli I popullarizuar “Rubikon Pa Kravatë”, si dhe shumë intervista e debate ekskluzive e me shumë interes për publikun. E ndërkohë do të ketë edhe disa cikle të reja, të cilat momentalisht nuk do t’i shpalos, për arsye objektive.

Telekomanda: Formati ‘Pa kravatë’ ka treguar të jetë i suksesshëm në bazë të statistikave tona, sipas të cilave emisioni me Adelina Ismailin ka qenë një ndër programet më të shikuara në Kosovë vitin e kaluar. Do të vazhdoj dhe do të ketë yje të tilla nga bota e argëtimit?

Adriatik Kelmendi: Po. Do të vazhdojë të ketë intervista “ndryshe” nga bota e argëtimit. Ideja e “Pa Kravatë” që nga fillimi ka qenë që t’i sjell në studio njerëzit që zakonisht i shohim në skenat tona, por që s’i kemi parë ndonjëherë në debate dhe analiza të fenomeneve të ndryshme shoqërore e kulturore. Këto emisione besoj kanë arritur shpesh që publikut t’ia tregojnë edhe anët e panjohura të idhujve të tyre, të personaliteteve publike e të tjerë.

Telekomanda: Pasi që politika është tema kryesore e emisionit, si e shihni situatën politike në vendin. Pritni të keni ‘punë’ më shumë se zakonisht këtë sezon?

Adriatik Kelmendi: Jam duke i fërkuar duart, pasi që priten zhvillime dramatike e dinamike gjatë muajve në vazhdim. Por për të gjitha këto zhvillime, personazhet, analizat e detajet e tjera rreth tyre gjithsesi se do të informoheni në Rubikon

Telekomanda: Z. Kelmendi, faleminderit për intervistën dhe suksese.

Adriatik Kelmendi: Kënaqësi e veçanë të flas për faqen e vetme në gjuhën shqipe dedikuar analizës së televizionit dhe filmit. Shumë suksese edhe në të ardhmen.

 

*Intervistën për Telekomandën e realizoi Luan Morina, kryeredaktor dhe themelues i Telekomanda.com

Mund të ju interesoj edhe...