The Pretty One (2013) – Recensim

The-Pretty-OneZoe Kazan së fundmi e kam parë në filmin ‘Ruby Sparks’, tek i cili kishte bërë edhe skenarin e filmit dhe kishte pasur rolin kryesor. Aty kishte shkëlqyer si në shkrimin e filmit si në portretizimin e karakterit që vet kishte krijuar.

Por, tek ‘The Pretty One’ aktrimi i saj vuan sidomos në çerek orën e parë të filmit. Këtu Kazan portretizon dy binjake me shtresë shoqërore të ndryshme, por shumë të dashura ndërmjet vete. Vërehet qartë mundimi i saj për të aktruar dy karaktere krejt të ndryshme në të njëjtë skenë. Vetëm pas vdekjes së karakterit më të ndrojtur, ajo disi e gjen një baraspeshë që e mban deri në fund të filmit.

Tema e filmit është e bazuar në dy motrat, Audrey dhe Laurel. E para vdes në aksident trafiku ku të dyjat ishin prezent, dhe njëkohësisht është një agjente e patundshmërive në qytet, me një jetë më moderne sesa Laurel që deri më tani kishte jetuar në fshat përkrah babait të saj. Me vdekjen e Audrey, Laurel merr vendin e saj jo me dëshirë, por vetëm pasi të gjithë, përfshirë edhe babanë e saj dyshojnë që ajo është motra e saj, Audrey.

Ajo me qejf pranon të futet në këtë aventurë të re, me të vetmin qëllim që të shijoj jetën e Laurel, por, kjo aventurë nuk do të jetë vetëm me gjëra të shijshme. Karakteri i saj i ndryshëm vërehet kur nis të dëshiroj të gjitha gjërat, njerëzit, dhe punët e kundërta që ka dashur e motra e saj.

Pra, më shumë ngjan në dramë se sa në komedi, por duke pasur parasysh që është vepra e parë e metrazhit të gjatë të Jenee LaMarque, atëherë më duhet të pranoj që është një punë e mirë fillestare. Regjia është mirë e realizuar, skenari nuk ka ndonjë mangësi të madhe, rrjedhja e ngjarjeve përputhet me kohëzgjatjen e filmit, dialogët janë mirë të lustruar. Por, sikur tek aktrimi, edhe këto fusha përmirësohen shumë pas vdekjes së njërës nga motrat. Pra, duhet të mundoheni që të kaloni 15 minutat e parë para se të ‘hyni’ në film. Nuk janë kushedi sa të veçantë, prandaj ndoshta edhe mund ti kaloni në tërësi, dhe pastaj sigurisht do të ju duket një film goxha i mirë.

Jake Johnson (New Girl, Drinking Buddies) ka një rol interesant që nuk ndryshon shumë nga rolet e tij të zakonta në veprat që kam përmendur në kllapa. Bën punë të mirë ngjashëm si John Carrol Lynch e Frances Shaw që kanë një hapësirë më të madhe në film. Interesante ishte edhe shfaqja sado e shkurtër e Danny Pudi. Edhe ky sikur Jackson ka të njëjtin qëndrim, të njëjtën shprehje fytyre sikur tek ‘Community’.

Film mesatar. Ia vlen të kaloni 90 minuta nëse e keni në qejf Zoe Kazan. Nuk është kushedi çfarë filmi, por, një notë mesatare prej 3/5 mendoj që do ti përshtatej duke pasur parasysh se është film debutues i LaMarque dhe ka një kast jo shumë të njohur.

Luan Morina
Kritik filmi

Mund të ju interesoj edhe...