Out of the Furnace (2013) – Review

Out-of-the-furnace

Tema e hakmarrjes nuk është risi në filmat amerikan. Përkundrazi, është goxha e përhapur sa dikujt mund ti duket e tepruar. Megjithatë nëse shtjellohet me stil origjinal atëherë rezulton me një film të mirë. Kjo ndodh edhe me filmin ‘Out of Furnace’, por vetëm në dy të tretat e para të filmit.

Një familje normale amerikane, mesatare, që mbijeton nga zanati privat. Një baba me dy djem, i madhi që vazhdon traditën familjare, i dyti pjesëtar i ushtrisë amerikane me mision paqeruajtës në Lindjen e Afërt. Tashti si zakonisht nëpër filmat e dekadës së fundit, të gjithë ushtarët amerikan që rikthehen në vendlindje kanë probleme me adaptim në shoqërinë dhe ambientin që kishin lënë. Ngjashëm ndodh edhe me vëllain e vogël, që në këtë rast portretizohet nga Cassey Affleck. I zhgënjyer nga shpërblimet që ka marr për vuajtjet e tij jashtë, me një urrejtje ndaj vet vendit të tij ai vendos të kërkoj mënyra alternative për një jetë më të mirë, alternativa që do të kenë pasoja fatale për të.

Në anën tjetër, kemi vëllain e madh, Christian Bale, që është krejt ndryshe nga vëllai i vogël, përsëri diçka e zakonshme, me një jetë të thjeshtë të rehatshme, e cila shkatërrohet pas një aksidenti trafiku që e shpien prapa grilave të burgut.

Pra, tema është e zakonshme, për ti rënë më shkurt, Rasëlli (Christian Bale) nis misionin për tu hakmarr ndaj Harlanit (Woody Harrelson) i cili kishte likuiduar vëllain e Rasëllit, Rodnin (Cassey Affleck) pas një mosmarrëveshjeje derisa bënin biznes në rrahjet ilegale.

Tani, regjisori dhe skenaristi i këtij filmi, Scott Cooper është ‘fajtor’ për Oskarin e parë të Jeff Bridges, me punën e tij në ‘Crazy Heart’, film që do të vazhdoj të mbetet më i miri në karrierën e tij edhe pas ‘Out of the Furnace’. Pjesa e parë e filmit, dy të tretat siç e ceka më lartë, shtjellon storien në mënyrë të njëtrajtshme, qetë dhe lehtë. Pak a shumë pas vrasjes së Rodnit, veçse dihet se në çfarë drejtimi do të shkoj storia. Por, megjithatë mungon ajo adrenalina që ndërtohet për një fund ngazëllues. Kjo e mban më shumë në dramë se sa në aksion, gjë që personalisht mendoj se e bën filmin më të mirë. Por, pjesa e dytë e filmit, sidomos fundi ka mundur të jetë shumë më i mirë. Për të mos prishur filmin, nuk mund të tregoj fundin, por, mendoj që nuk ka pasur nevojë për diçka të tillë. Cooper bën punë të mirë deri në fund, kur duket sikur mërzitet nga krejt puna e tij dhe thjeshtë e ngre dorëzën e tualetit për të dërguar gjithçka në kanalizim.

Kasti i aktorëve është i mahnitshëm. Christian Bale, Cassey Affleck, Woody Harrelson, Willem Dafoe, Forest Whittaker, Zoe Saldana, Sam Shepard, Tom Bower… të gjithë janë përshtatur mahnitshëm me karakteret e tyre në film. Kjo e bën më real filmin. Porse, nganjëherë e kemi atë ndjenjën sikur këto karaktere po bëjnë diçka që nuk supozohej ta bënin, diçka që është mbi natyrën e karakterit të tyre. Sikur nuk janë në vete, sikur regjisori po limiton shprehjen e tyre. Dhe qartazi për një dështim të filmit nuk do të fajësoja askënd pos Cooperit. Po të ishte kasti më mesatar, do të kishim edhe pritje më të ulëta për të rezultuar me një film mesatar. Kështu kemi një kast aktorësh të mirë që bëjnë diçka nën nivelin e aftësive të tyre.

Nota personale: 7/10

Luan MorinaKritik filmi

Mund të ju interesoj edhe...