Oskarët 2013 – Analizë

oscars 2013

Edhe një herë Akademia Amerikane e Filmit do të ketë punë të zgjedh ndërmjet krenarisë dhe patriotizmit pasi një e treta e filmave të nominuar kanë të bëjnë me historinë e SHBA-ve në periudha të ndryshme.

Lincoln flet për presidentin më me zë pas Uashingtonit në historinë e amerikanëve. Realizuar nga Steven Spielberg dhe me Daniel Day-Lewis e Sally Field në rolet kryesore, filmi përthur një treshe legjendare të emrave të kinemasë. Spielberg si zakonisht sjell më të mirën e aftësive të tija, mision në të cilin rol shumë të madh luan edhe Daniel Day-Lewis i famshëm.

Derisa Lincoln flet për njërën nga betejat e hershme më të mëdha të SHBA-ve, Zero Dark Thirty, flet për betejën e fundit të këtij shteti. Kathryn Bigelow dhe Marc Boal bashkohen në një projekt të ri që prek historinë e freskët të Amerikës, por kësaj radhe jo në atë masë sa për të mposhtur ‘mrekullitë’ tri-dimensionale të James Cameron. Filmi ka hasur në kritika të mëdha negative nga spektri i gjerë për arsye të torturës të shfaqur në film, e cila gjoja në fakt nuk ka ekzistuar. Kjo i ka kushtuar Bigelow me mos nominim për regji, derisa filmi, skenari, dhe Jessica Chastain me njërin ndër rolet më të mira në karrierën e saj do të jetë konkurrente e fortë në kategorinë për aktoren në rol  kryesor.

Derisa Lincoln është shfaqur para Senatit, Zero Dark Thirty ka pasur vetëm komente negative nga ky trup legjislativ.

I treti që prek historinë e SHBA-ve është filmi Argo nga Ben Affleck. Ky vjen me një adaptim pothuajse perfekt të njërës nga ngjarjet më të mëdha në histori të CIA-s. Shpëtimi i të ngujuarve amerikan në ambasadën kanadeze, paraqitet shkëlqyeshëm nga Affleck, i cili nuk ka pasur nevojë për emra të mëdhenj që të shndrisin në aktrim, duke i dhënë rëndësi skenarit dhe filmit. Injorimi i Affleck nuk është befasi dhe e papritur nga Akademia.

Tregimi i një të ngujuari në një anije me një tigër, që vjen si projekt filmik nën përkujdesjen e Ang Lee, ka mahnitur shumë shikues duke mohuar deklarimin që ‘nevojitet aksion i vazhdueshëm për argëtimin maksimal në 3D’. Ngjashëm si tek Argo, Life of Pi hedh në plan të parë regjinë, skenarin dhe adaptimin fantastik të kësaj aventure.

Amour është filmi më prekës dhe filmi i parë në gjuhë jo-angleze në vitet e huaja që nominohet edhe për filmin më të mirë edhe për filmin më të mirë të huaj. Dy aktorët e moshuar, Jean-Louis Trintignant dhe Emmanuelle Riva, pasqyrojnë në mënyrë të përkryer aftësitë e Michael Hanekes i cili mahnit edhe një herë me veprën e tij artistike. Një regji dhe një skenar fantastik nga austriaku.

Punën e mahnitshme pas kamerave tek filmat e nominuar për Oskar këtë vit e vazhdon ‘i çmenduri’ Quentin Tarantino. Ai vazhdon serinë e hakmarrjeve me tregimin për Xhangon në filmin ‘Django Unchained’. Një skenar dhe regji perfekte e ndihmuar nga aktrimi i të njëjtit nivel nga Christoph Waltz, Leonard DiCaprio, Jamie Foxx, Samuel L. Jackson, e edhe Kerry Washington. Filmi me shumë gjak dhe hakmarrje, bash për qejfi të Tarantinos.

E keni parë Volverinën të këndoj, apo edhe Robin Hudin e Maksimusin (Gladiator)? Atëherë këtë mundësi do ta keni tek mjuzikëlli i njohur Les Miserables që sjell një aktrim fenomenal të Hugh Jackman, Russell Crowe, dhe të mahnitshmes Anne Hathaway. Portretizimi i veprës së Viktor Hygos nuk do të ishte të realizohej në asnjë mënyrë më të mirë, nga askush tjetër. Paralajmëron një rikthim të mjuzikëllave në skenë. Tom Hooper shfaq talentin e tij edhe kësaj radhe.

Projekti i pavarur, pa ndihmën e shtëpive të mëdha filmike, Beasts of the Southern Wild pa kurrfarë dyshimi është filmi më i lezetshëm i vitit. Tregimi për një komunitet të ngujuar në rrethinën e Nju Orlins pas stuhisë Katrina, tregon botën e mahnitshme dhe të trilluar të Hashpapit, karakteri që portretizohet në mënyrën më të mirë të mundshme nga vogëlushja Quvenzhane Wallis. Për mendimin tim, filmi i dytë më i mirë i vitit.

E më i miri, prej të nominuarve, pa dyshim është Silver Linings Playbook. Është i vetmi film që sjell në nivel të shkëlqyeshëm bashke dyzimin e punës së aktorëve dhe ekipit pas kamerave. David O. Russell, kthen në film për mrekulli librin e Matthew Quick. Tregimi i sendërtuar jashtëzakonisht mirë shfaqet para kamerave me aktrimin e përkryer të tërë kastit të këtij filmi të udhëhequr nga i mrekullueshmi Robert De Niro. Bradley Cooper ka rolin e karrierës, derisa Jennifer Lawrence tashmë nuk sheh mbrapa me nominimin e saj të dytë në tri vitet e fundit. Jackie Weaver arrin të ‘skenën’ për atë pak kohë që ka, pa harruar edhe Chris Tucker e Anupam Kher.

Filma të shkëlqyeshëm, që përfshijnë një gamë të gjerë zhanresh, regjie, skenari, e aktrimi. Përzgjedhje e shkëlqyeshme edhe pse ka pasur hapësirë edhe për një film shtesë që lehtë mund të zaptohej nga Skyfall – filmi më i mirë ndonjëherë për Agjentin 007, dhe filmi The Dark Knight Rises, kryeveprës së Christopher Nolanit dhe njërin nga filmat më të mirë të realizuar ndonjëherë për superheronjë.

Derisa Silver Linings Playbook është filmi më i mirë i vitit për mendimin tim, ky nder për mendimin tim tek regjia i takon Michael Hanekes, skenari origjinal Quentin Tarantinos, skenari i adaptuar David O. Russell. Aktori më i mirë meriton Bradley Cooper, aktorja më e mirë Quvenzhane Wallis, aktori më i mirë dytësor Christopher Waltz, dhe aktorja më e mirë dytësore Anne Hathaway.

Megjithatë favorit për të fituar dhe fituesit eventual, gjithnjë sipas mendimit tim janë: filmi më i mirë – Argo; regjia më e mirë – Steven Spielberg; skenari më i mirë origjinal – Quentin Tarantino (Django Unchained); skenari më i mirë i adaptuar – Tony Kushner (Lincoln); aktori më i mirë – Daniel Day-Lewis; aktorja më e mirë – Jennifer Lawrence; aktori më i mirë në rol dytësor – Christoph Waltz; dhe aktorja më e mirë në rol dytësor – Anne Hathaway.

Pa marrë parasysh fituesit që zgjedhën, s’do të thotë që juve do të DUHET tu pëlqejnë ata. Shija e juaj, vlerësimi juaj, nuk guxon të ndikohet as nga Oskarët, as nga BAFTA-t, as nga SAG-at, apo Globet e Arta. Është e shenjtë dhe origjinale, prandaj vazhdoni të shikoni filmat që ju pëlqejnë. Kritikat dhe shpërblimet janë për tu dhënë një udhërrëfyes se çfarë është e mirë, dhe ndoshta nuk e keni parë akoma.

 Luan Morina

Kritik për TV&Film

Mund të ju interesoj edhe...