Me and Earl and the Dying Girl (2015) – Recensim

me-earl-dying-girl

Çdo vit vjen nga një film ‘indie’ i lezetshëm që të kënaqë me thjeshtësinë e realizimit të përgjithshëm si një vepër kinematografike. Para dy viteve ‘Short Term 12’ me Brie Larson, vitin e kaluar ‘Chef’ me Jon Favreau, e këtë vit e kemi ‘Me and Earl and the Dying Girl’.

Filmi vjen nga një dyshe (quasi)amatorësh në botën e kinematografisë Alfonso Gomez-Rejon dhe Jesse Andrews. Derisa Rejon ka bërë regjinë e disa episodeve të ‘AHS’ dhe ‘Glee’, Jesse Andrews debuton si skenarist duke adaptuar tregimin e shkruar nga vet ai. Mendoj që ky ka qenë një avantazh në adaptimin e tregimit në film. Skenari më ka pëlqyer tejmase. Përmbledh pjesë komike, goxha komike sidomos në të tretën e parë që shërben si një intro për filmin. Ngjashëm edhe regjia përshtatet me skenarin. Ka disa manovrime të këndshme me ngjyra dhe kapje të sfondit që zakonisht është i mbushur me detaje dytësore të bukura.

Nick Offerman, Connie Britton, Molly Shannon, e Jon Bernthal janë pjesa dytësore e kastit që shërben për atë që janë të inkuadruar në film, për të përkrahur kastin kryesor i cili është i papërvojë dhe goxha fillestar. Por, kast i cili shkëlqen. Së tepërmi.

Gjithçka zhvillohet rreth Greg (Thomas Mann). Greg është një gjimnazist që posa ka nisur vitin e fundit të shkollës. Është një ‘urrejtës’ i shoqërisë duke provuar të përfshihet në të gjitha shtresat e shkollës, vetëm sipërfaqësisht duke mos i lejuar vetes të bëj shoqëri. Shokun e tij më të ngushtë – Earl (RJ Cyler) e quan bashkëpunëtor. Kjo për shkak të angazhimeve të përbashkëta në shkollë, si dhe përgatitjes së filmave të ndryshëm. Në fakt parodive të filmave të njohur, shumica e të cilëve filma kanë emra bajagi komik.

Papritmas në jetën e tyre futet Rachel (Olivia Cooke). Ajo është e bija e shoqes së të ëmës së tij e cila diagnostifikohet me leukemi. Fillimisht Greg detyrohet të shoqërohet me Rachelin për ti bërë shoqëri tashti që gjendet në një episod të vështirë të jetës. Shumë shpejt në këtë shoqëri përfshihet edhe Earl dhe filmat e tij me Gregun, që deri tani kanë qenë ekskluziv për sirtarë duke mos lejuar të shihen nga më shumë se katër sytë që i realizojnë.

Pjesa e parë e filmit është më komikja. Parathënia për Gregun, për shoqërinë e tij me Earlin, filli i shoqërisë së tyre me Rachel, qasja e Gregut mbi jetën, dhe sidomos mbi dashurinë, përdorimi aksidental i narkotikëve, do të ju lidhin menjëherë me filmin. Filmi vazhdon të mban një ritëm komik që duke pasur parasysh temën ka edhe një nuancë dramë duke u shndërruar në momente në tragjikomedi.

Është aktrim fenomenal nga një kast jo shumë me përvojë. Aktrim që përshtatet për mrekulli me skenarin dhe regjinë e përkryer për këtë projekt kinematografik që për mendimin tim është filmi më i këndshëm i këtij viti. Uh, edhe sa për të mos ju mbetur merak – vajza nuk vdes në fund. Nota personale: 5/5

Luan Morina
Kritik filmi

Mund të ju interesoj edhe...