Mbretëresha (2006) – Recensim

Titulli origjinal: The Queen

Zhanri: Biografi, Dramë

Skenari: Peter Morgan

Regjia: Stephen Frears

Premiera e shfaqjes: 02 shtator 2006

Kohëzgjatja: 103 minuta

Rejtingu: +13, për shkak të gjuhës së fortë

Kasti: Helen Mirren, Michael Sheen, James Cromwell

 

Para dy ditëve, të premten, ishte martesa e princit Uilliam, ndërsa të gjithë mbetem të mahnitur nga një numër aq i madh njerëzish që festonin dhe i bënin një nder të madh familjes më të madhe mbretërore në botë. Ishte një ngjarje e organizuar për lakmi. Por, ka qenë një kohë kur familja mbretërore ishte në skaj të respektit të popullit të saj. Ishin kohë të zymta dhe mjaft komplekse për të gjithë. E portretizimi i asaj kohe në film kërkon talent, guxim, dhe përkushtim. Kjo nuk i mungoi Stephen Frears dhe skuadrës së tij të cilët realizuan njërin nga disa filmat modern që i dedikohet familjes mbretërore, e të cilët kohëve të fundit nuk ishin të paktë në numër.

Filmi “Mbretëresha” përshkruan ngjarjet fiktive që kanë ndodhur në Mbretërinë e Bashkuar në kohën e vdekjes së princeshës Diana. Kontroversat kishin filluar para kësaj tragjedie, me princeshën e divorcuar nga princi Charles, me aventurat e saja jashtë-martesore duke lënë mbretëreshën në një pozitë të palakmueshme dhe mjaft nënçmuese. Me vdekjen e saj kontroversat sa vijnë e shtohen, familja mbretërore injoron vdekjen e saj duke provuar ta konsideroj si një person të rëndomtë, pa bërë homazhet e zakonta mbretërore, ndërsa populli u kundërvihet këtyre vendimeve në mënyrën e tyre. Popullariteti i mbretëreshës prek dyshemenë, dhe përderisa vendi shkon në një krizë institucionale që ringjallën epshet për republikanizëm është vetëm një njeri që mund të shpëtoj vendin e tij. Kryeministri i parë laburistë pas shumë vitesh, Tony Blair ndërhyn në këtë vakum konfuz duke provuar të afroj popullin me mbretëreshën e saj, duke lënë anash principet e tij personale dhe partiake, ai rrezikon edhe përkrahjen e votuesve të tij.

Roli kryesor në film, roli i mbretëreshës portretizohet nga dama Hellen Mirren, që ka bërë një punë të shkëlqyeshme në këtë film. Të portretizosh një mbretëreshë në çastet më të rënda të jetës së saj nuk është punë që bëhet lehtë, por, dama Hellen Mirren e realizoi këtë në një mënyrë të veçantë duke sjell një mbretëreshë më të modernizuar se ajo që portretizonte në filmin “Elizabeta e parë”. Tashti të luash mbretëreshën një herë mund të bëhet disi, por dy herë, dy mbretëresha të ndryshme kërkon goxha përvojë dhe talent. Dama Hellen Mirren kishte më shumë se që nevojitej nga të dyja këto.

E hera e parë që portretizonte kryeministrin Toni Blair nuk ishte as për aktorin Michael Sheen. Njeriu që ngjan dhe realizon shumicën e filmave që përfshijnë Tony Blair, duket se është familjarizuar me rolin e tij të kryeministrit. Hiq më keq më se herët e kaluar, pra si gjithnjë një aktrim i shkëlqyeshëm nga “Tony Blair” i filmave artistik.

Pra filmi pak a shumë rrotullohet rreth këtyre dy personazheve, duke mos anashkaluar edhe personazhet tjera të portretizuara nga James Cromwell, burri i mbretëreshës, Helen McCrory, gruaja e kryeministrit, si dhe Alex Jennings që luan rolin e princit të Uellsit.

Ti kthehem edhe një herë ngjarjes që fillon menjëherë pas fitores së Tony Blair në zgjedhjet, i cili si një president laburist premton modernizime, që brengos edhe mbretëreshën. Nga një lidhje e tensionuar që ishte në atë kohë, ngjarjet vetëm sa përkeqësohen me vdekjen e princeshës. Filmi arrin pikat më të ndjeshme gjatë pushimit të princeshës në kështjellën Balmoral, e gjithashtu edhe në bisedën e parë të tensionuar dhe “pa dorëza” të kryeministrit me mbretëreshën, ku pak a shumë ndërrojnë edhe rolet e tyre. Ka dhe disa çaste të tjera mjaft interesante përgjatë gjithë filmit, dhe nuk besoj që do të zhgënjeni nëse shikoni këtë dramë autobiografike, sidomos nëse jeni admirues të filmave mbretëror.

Filmi ka qenë një sukses jo vetëm artistik por edhe ekonomik, ndërsa dama Hellen Mirren ishte nominuar për çmimin Oscar për aktoren më të mirë në rol kryesor. Gjithashtu filmi ka qenë në Top 10 filmat më të mirë të vitit në një numër të madh revistash ndërkombëtare.

 

Luan Morina

Recensues filmash në Telekomanda

Traileri


Mund të ju interesoj edhe...