The Martian (2015) – Recensim

Herën e fundit kur Matt Damon ishte në hapësirë më çante nervat. Kësaj radhe edhe pse dukej se i vinte sikur dënim, megjithatë isha në anën e tij.

Karakteri i Damon, Mark Watney mbetet i vdekur gjatë një stuhie që prek ekipin e astronautëve në planetin Mars. Pjesa tjetër e ekuipazhit lë trupin e tij në Mars për të marr rrugën e papritur për Tokë. Veçse Watney del të mos jetë i vdekur. Rruga nga Marsi në Tokë merr vite në këtë të ardhme të përshkruar në film që bazohet në librin e Andy Weir. Të mbijetosh me vite të tëra në një planet pa oksigjen derisa të arrij anija tjetër kozmike është absurde. Të kthesh anijen tjetër që të marr vetëm një astronaut duke rrezikuar jetën e pesë të tjerëve është vendim që vë në kundërshtim arsyen me emocionet. Ky vendim do të prek një sërë karakteresh gjatë filmit, por së pari duhet të themelohet kontakti me Watney, që do të ndihmoj në mbijetesën e tij.

Por, Watney nuk bazohet vetëm nga ndihma prej Tokës për të mbijetuar. Duke qenë një botanist, ai provon të bëj të pamundurën – të krijoj ushqim në Mars. Kjo i duhet për të mbijetuar. Sa i ndihmon kjo, aq edhe e mbyt muzika e zhanrit disko.

Në fakt filmi ka disa këngë të mira si kolonë zanore të cilat sa afrohet fundit aq më të mira bëhen. Është një nga anët pozitive të këtij filmi goxha të gjatë, ndoshta edhe të tepruar.

Gabimi i parë që mund të bëni para filmit është të prisni diçka të mahnitshme për sy, sikur ‘Gravity’ apo ‘Interstellar’. Filmi mbetet larg të dyve. Nuk ka shumë të ofroj në aspektin vizual, por përqendrohet në një tregim i cili shtjellohet me sukses duke përfshirë shumë karaktere që komunikojnë me dialogë normal, pa ofruar ndonjë gjë të veçantë.

Tregimi nuk është kushedi sa emocionues. Provon të marr një nivel të lartë emocionesh në pjesë të ndryshme, por ndoshta qasja e karakterit të Damon, vet aktrimi i tij nuk na lë të lidhemi me të. Ndoshta edhe kujtesa e freskët e imja nga puna e tij në ‘Interstellar’ nuk më ka lejuar të ‘ndjej’ problemet e tij.

Kasti përfshin emra si Jeff Daniels, Chiwetel Ejiofor, e Jessica Chastain të cilët kanë një hapësirë më të madhe në skenë. këta dhe të tjetër kryejnë me zell detyrat e tyre, por nuk mund të shoh Kristen Wiig në një rol serioz. Në fakt përfshirja e saj dhe nominimi i filmit si komedi për Globet, më bën të dyshoj se më ka ikur kjo pjesa ‘komike’ e filmit.

Sidoqoftë, ‘The Martian’ mbetet një film mirë i realizuar. Ofron një qasje ndryshe ndaj eksplorimit kozmik dhe qenies së njeriut se a do të jetë në gjendje të sakrifikoj njërin nga ne për të arritur përparim në këtë aspekt të jetës. Nota personale: 4/5

Luan Morina
Kritik filmi

Mund të ju interesoj edhe...